Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: QERSHI TË KUQE

Buzët e tua janë – dy qershi të kuqe guri-
e forta e ëmbla e kuqja nga dheu,
shtrudhur në dy qershi me lëng.

Qershi në drurë të lashtë – brinjë prej baltës së Adamit hyjnor,
Qershi të përkohshme kopshti, në buzët në krejt trupin tënd
Pjekur me lëng, ëmbëlsi, me dritë…
Kjo është si të shlirosh nga shkëmbinjtë ujë,
Një lumë të fjetur nga aq ashpërsi.

Kurrë nuk do ta di se sa të bukura janë qershitë e një stime
As fajtor nuk jam që më pëlqejnë qershitë e pafajshme
pjekur në buzët e tua
të varura atje larg si gjthë qershitë në botë në shpate lugina a male
me lëng pjekur dhe në motin që vjen
edhe më përtej viteve në kuqëlim stinë pas stine
buzët e tua të kuqe.

Sonte, që ta heq mendjen nga ti.
Me miqtë, me ca gota përpara, do të ndjekim finalen
e kampionatit botëror të futbollit.

Po nesër?

Nesër qershitë e tua të buzëve do të jenë në pemë..
Do të rrëzëllijnë
të vesuara me purpurin e ri të agimit
varura atje tej në të kuqen e përjetshme tej gjumit e zgjimit.

Dhe kjo është e bukur: kështu ne jemi ngjizur
Nëpër shekujt
Nga e kuqja e buzëve të tua ardhur,
nga buzë gruaje drejt në të kuqen prej foshnje
në ditën tonë të krijimit.
14 korrik 2014

Please follow and like us: