Çapajev Gjokutaj: Muhabete levantine për samitin e Triestes
Samiti i atleteve të bardha. Kështu mund ta perceptojë lexuesi i painformuar Samitin e Triestes, po të niset nga titujt e mediave on line.
Lajmi se Edi Rama shkoi të takonte Zoran Zaevin me kostum të errët dhe atlete të bardha, u publikua dhe u ripublikua nga shumica e mediave dhe ngjalli goxha reaksion në rjetet sociale.
Për hir të atleteve kaloi thuajse pa u vënë re një problem, sa i rëndësishëm aq edhe i diskutueshëm: krijimi i një zone të lirë ekonomike mes Serbisë, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Kjo zonë, thonë përfaqsuesit e BE-së, do krijojë një treg me 20 milionë banorë, shumë më tërheqës për investitorët e huaj. Do hapë vende pune, do nxisë bashkëpunimin rajonal dhe do zbusë armiqsitë e vjetra.
Zëra skeptikë nga rajoni thonë se zona e lirë ekonomike është një marifet i BE-së. Integrimi europian i Ballkanit Perëndimor po bëhet hallvë e ftohët. Mungesa e një perspektive të afërt europine, po bën që në rajon të rritet ndikimi rus, turk, madje edhe ai kinez. Në pamundësi për hapa integrues konkretë, BE-ja ofron zonën e lirë. Kur s’ke pulën, kënaqu me sorrën.
Po krijohet Jugosllavia e re, thonë ca shejtan budallenj mall vëndi. Atë që s’e bëri dot Titua në 1948-ën po e bën, pa çak e pa bam, qeverisja jonë e sotme.
Këto dhe gjëra të tjera të diskutueshme kërkonin që mediat të fokusoheshin me përparësi tek ideja e zonës së lirë.
Të sillnin në vemendje të publikut ç’mendojnë ekspertët, ç’fiton e ç’humbet Shqipëria, ç’duhet bërë që të maksimalizojmë fitimet e të minimizojmë humbjet, si duhet shfrytëzuar kjo inisjativë për të nxitur integrimet mbarëshqiptare pavarësisht kufijve etj. etj.
Po të nisesh nga sa thonë mediat, Shqipëria nuk ka ekspertë. Ka vetëm ca gjithollogë dhe një aradhë gazetarësh që bëjnë lajme me atlete dhe të kujtojnë muhbetet levantine në kafene e berberhane.