Albspirit

Media/News/Publishing

Johan Volfgang Gëte: Fausti

Fragment

Brerorja e virtytit hijeshon
veç perandorin, veç ai zbaton
ashtu si duhet drejtësinë.
Pa drejtësi njerzia s’mund të rrinë,
e duan dhe për të kan’ aq nevojë,
atij ndaj i përket t’ua sigurojë.
Po fundja ç’vlen njeriu shembullor,
i mençur, zemërmirë, punëtor;
Kur dergjet i sëmurë një shtet i tërë
Dhe të këqijat vijnë sërë-sërë?
Nga ky pallat krejt vendin kush e sheh
Në ëndërr-makth vetveten e pandeh:
Kudo vetëm shëmtira pjell shëmtia
Kudo sundon e ligjshme padrejtësia
E zezë duket bota, gjithësia…
Grabit kush gra, kush dhi e dhen,
kush kryq, kupa ndër altarë,
pastaj lëvdohen fort krenarë
që asnjë lloj ndëshkimi nuk i gjen.
Proçeset s’kanë të mbaruar
Gjyqtari fryhet në kolltuk
Ndërkaq rebelët e pashtruar,
asgjë s’i ndal, asgjë s’i zhduk.
Me miq e shokë siguruar
Rron e gëzon çdo kriminel
Ndërsa njeriu i vetmuar
Ndonëse pa faj fajtor na del.
Kështu zë bota shkatërrohet
Dhe shkon me hak keq e më keq
E s’mund parimi të lartohet
Që drejt të mirës na udhëheq.
Kështu i ndershmi
më në fund përkulet para ryshfetarit,
kështu gjyqtari kur më s’mund,
bëhet ortaku i zuzarit.
E nxiva ca, këtë e di
po punët janë edhe më zi.

 

Përktheu Shpëtim Çuçka

Please follow and like us: