Albspirit

Media/News/Publishing

Ministri i Drejtësisë denoncon tenderimet: Të hetohen tre ministrat e LSI

 

Ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, ka kërkuar hetimin e tri procedurave të tenderimit të realizuara gjatë periudhës së drejtimit të dikasterit nga paraardhësve të tij të LSI-së, pas dyshimeve se mund të jenë korruptive duke krijuar miliarda lekë borxhe për institucionin.

Sikurse ka bërë të ditur “Panorama”përmes një shkrese zyrtare, që mban datën 2 korrik 2017, Bardhi u është drejtuar tre institucioneve, me pretendimin se gjatë vitit elektoral Ministria e Drejtësisë ka prokuruar më shumë fonde sesa fondet e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit.

Tre prokurimet për të cilat ka ngritur pretendime ministri Bardhi i përkasin periudhës dhjetor 2016- prill 2017. I kontaktuar dje nga “Panorama”, Ylli Manjani, ish-drejtues i Ministrisë së Drejtësisë gjatë kohës së zhvillimit të dy prej procedurave në fjalë, nuk pranoi të komentojë. Ministrat parardhës të Gazmend Bardhit, në katër vitet e fundit kanë qenë, Nasip Naço, Ylli Manjani dhe Petrit Vasili.

Shkresa e firmosur nga Bardhi i drejtohej Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, si dhe i dërgohej për dijeni Ministrit të Financave, kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave. Sipas shkresës, nga analiza e detajimit të fondeve buxhetore për periudhën 2017-2019 rezultonte se Ministria e Drejtësisë ka prokuruar më shumë fonde për secilin investim, krahasuar me fondet e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit. “Në vlerësimin tonë, një institucion shtetëror nuk mund të prokurojë një shërbim, nëse më parë nuk është siguruar financimi nga Buxheti i Shtetit. Ky detyrim, rezulton se është anashkaluar gjatë realizimit të të paktën 3 procedurave të prokurimit, 5 të tilla të raportuara nga Sektori i Prokurimeve në Ministrinë e Drejtësisë. Pavarësisht nga fondet e vëna në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë ka prokuruar shërbime në vlerë disa herë më të larta, duke krijuar vetëm për muajt e parë të vitit 2017 një detyrim shtesë të paparashikuar në Buxheti i Shtetit, në vlerë minimalisht 120 064 400 lekë”, thuhet në shkresën e ministrit të Drejtësisë, Gazmend Bardhi.

Please follow and like us: