Jorgos Seferis nën përkthimin e Kadaresë
MËNGJES I BUKUR VJESHTE
Ja më në fund më hynë në zemër
Këto male me këtë ndriçim përsipër
Me lëkurën plot rrudha si bark elefanti
Kur sytë bashkë me vitet i tkurren.
Ja më në fund më hynë në zemër
Këta plepa, këta plepa të rrallë
Që ngrenë shpatullat drejt qiellit.
Gegët trupgjatë, toskët rondokopë
Verës me kosë, dimrit me sëpatë në shpinë
Po ajo gjë, përherë e përsëritur,
Po ato gjeste, po ato trupa.
Monotonia thyhet.
Ç’thotë muezini nga minare e lartë: dëgjoni!
Ja, u përkul që nga ballkoni fqinjë të ngrejë një kukull flokë-artë,
Ajo dy krahët e saj tund drejt qiellit,
Nuk don ta lejë veten të dhunohet.
Por minareja prapë përkulet ndaj ballkonit si kullë e Pizës
S’dëgjohen veç murmurima
Që s’janë as prej gjethesh, as prej ujrash
“Allah, allah”. Aq më pak është era, lutje e çuditshme.
Një këndes ia dha këngës, duhet të jetë bjond.
“Shpirt i pushtuar prej mallit që fluturon drejt majash”.
I ka shkuar ndokujt ndërmend fatin e një mali të lexojë
Në vijat e përrenjve të tij si në vijat e dorës?
Ka menduar ndokush? O, ky mendim këmbëngulës kokëfortë
I mbyllur si në kuti boshe
Gjithë natën duke u ndeshur me kartonin,
Si mi që dyshemenë gërryen.
Monotonia u prish.
“oh, ti që fluturove drejt majave”.
Ja që më hyri në zemër gjithashtu
Ky buall i qetë i fushës maqedonase,
I ngadaltë si ai që e di se s’mbrrim kërkund
Që të kujton kokën krenare të Versengetoriks Kreshnikut
Tel qu’en lui meme enfin l’eternite se change.
Korçë 1937
Perktheu Ismail Kadare