Albspirit

Media/News/Publishing

Desada Metaj: Kotësia e ministrave të PD

24

Nga Desada METAJ

Ministrat e PD në qeverinë e rilindjes janë absurdi më i madh politik i këtyre ditëve të nxehta. Ata po qëndrojnë nën hijen e Edi Ramës si pjesë e një marrëveshje, tashmë të pranuar si dështim, për të siguruar mbarëvajtjen e procesit elektoral. Po qëndrojnë ende në zyra ministrash duke u sfiduar çdo ditë nga vartësit rilindas për vendimmarrjen e tyre dhe në përpjekje për të hartuar një raport përfundimtar për zgjedhjet.

Por, më shumë sesa për një raport, tani që po mbushet muaji nga mbarimi i zgjedhjeve, duket se ministrat po e përdorin “raportin” si një justifikim për të zgjatur ditët në karriget e qeverisë së Ramës.

Në të vërtetë, 7 ministrat teknikë të qeverisë Rama duhet të ishin larguar, në mos më 26 Qershor, të paktën në 1 Korrik. Nëse anëtarët rilindas të Task Forcës nuk i kanë sjellë informacionet e tyre në kohë, siç thotë zëvendëskryeministrja Mandija, ky është një argument plus jo për të qëndruar, por për t’u larguar me dinjitet nga zyrat e ministrave të Ramës. Ato zyra nuk i përkasin më asnjë qeverie teknike, nuk garantojnë më asnjë proces, por thjesht janë një fasadë që dikush mund ta përdorë për të justifikuar pjesëmarrjen e Lulzim Bashës në qeverinë e ardhshme me Edi Ramën.

Të gjithë zërat pro kësaj ideje, edhe pse jo mbështetës të kryetarit me funksione të ngrira, po i përdorin ministrat pa fuqi, si mënyrë për të thënë se PD do të jetë pjesë e qeverisjes në shtator. Vetë Basha e ka mohuar këtë fakt, madje në turin e tij për zgjedhjet në PD i ka mëshuar fort faktit që zgjedhjet kishin probleme, u blenë nga Edi Rama dhe se me qeverinë e tij do të ketë vetëm përballje.

Edhe pse kjo nuk ka më vlerë pas marrëveshjes që ai nënshkroi buzagaz me Ramën, tashmë është momenti që ministrat teknikë të largohen. Nuk ka rëndësi, nëse largimi i tyre hyn në fuqi me dekret apo jo. Dorëheqja e ministrave teknikë nuk është një kazus kushtetues. Është çështje e dinjitetit të tyre dhe të PD. Ky është një rast për të treguar se, nëse do të jetë pjesë e një opozite të fortë, të mos ketë më asnjë fije apo lidhje me qeverisjen që po sipas saj po shkatërron Shqipërinë.

Duke qenë pjesë edhe e një gare që më shumë po e përçan sesa po e bashkon opozitën, Lulzim Basha duhet të tregojë qartë qasjen e tij përballë pushtetit të Edi Ramës.

Please follow and like us: