Albspirit

Media/News/Publishing

Mentor Nazarko: Vetting për të gjithë…boll me fletërrufetë kolektive!

Çfarë është e ashtuquajtura lista e zezë e Ramës? Në një pikëpamje, është vijim i fushatës elektorale, ose fillim i saj, sa kohë që fushata legale që e shpalli fitues absolut, kishte një sfond tjetër. Kjo temë fushateske jashtë afatit legal, administrata që keqtrajton qytetarët, që është e korruptuar, etj., etj., prek shumë.

Ajo rezonon me ndjesinë e keqe kolektive ndaj cilësisë së administratës. Ajo ndikon në shpresën kolektive se diçka mund të ndryshojë kur sulltani merret drejtpërdrejt me hallet e qytetarëve duke ndëshkuar feudalët poshtë që i keqtrajtojnë ata.

Nëse e analizojmë në një kuptim tjetër, për hir të së vërtetës, kjo nuk është diçka që s’ka ndodhur më herët. Mjafton të kujtojmë shembullin e ndjekur vite më parë nga ish-kryeministri Berisha, kur u zgjodh si kreu i qeverisë, ndërsa në atë kohë Rama pëlqente Twitter-in. Berisha ishte një ndjekës fanatik i këtij rrjeti social dhe si politikan i stërvitur, i drejtohej qytetarëve në këtë rrjet social që t’i shkruanin për çdo lloj problematike që ata hasnin, duke i dhënë garancinë e zgjidhjes sa më të shpejtë. Berisha ofronte dhe numrin e telefonit dhe përpiqej sipas shumë burimeve t’i kthente përgjigje vetë në shumicën e rasteve deri në orët e vona të natës. Në atë periudhë, sigurisht që nuk njihej qytetari digjital në formën e denoncimeve në Facebook, që Berisha tashmë si shef de facto i opozitës i jep besueshmëri, i amplifikon, i legalizon nëpërmjet autoritetit të vet publik.

Për rrjedhojë, kjo që ka bërë Rama ka precedent, atë të Berishës. i cili nën maskën e qytetarit digjital, ka institucionalizuar letrat anonime, ose jo. Të dy bashkë ndjekin një linjë të mëhershme sjelljeje korrigjuese nga lart, të administratës publike. Por nëse e analizojmë në planin kushtetues, publikimi i një liste zyrtarësh, mjekësh, gjyqtarësh, prokurorësh të përfolur nga qytetarët, e gjitha kjo është diçka e dënueshme, pasi është gjyq publik ndaj dikujt në pamundësi mbrojtjeje. Madje, Rama në ndonjë rast, ka rënë dhe mund të bjerë viktimë e mashtrimeve sipas një skeme që shpeshherë njerëz të propagandës së PS-së ia kanë bërë Berishës kur i kanë ofruar atij emra fiktivë vendesh dhe personash. Në rastin e Ramës qëlloi një i vdekur për shembull. Prej Ramës kemi gjyq publik jo për një, por për njëqind vetë, diçka e pazakontë, një institucionalizim i thashethemeve, në personin e kryeministrit, pavarësisht emrit tingëllues të Skuadrës së Shënimeve, që kurrë nuk ka mundësi të verifikojë themeltësinë e akuzave.

Jemi në situatën kur Rama po e institucionalizon fletërrufenë, e kolektivizon dhe nga pikëpamja e formës ai ngelet në modelin që Berisha i dha një fillesë. Dhe mund të jetë dhe i padrejtë apo selektiv: jo vetëm opozita pyet: po sikur të vijnë denoncime për të dhe ministrat e tij, a do t’i botojë ato?

Koha e zgjedhur për një akt të tillë është e papërshtatshme dhe për një arsye tjetër themelore. Rama po krijon nëpërmjet denoncimit publik një mekanizëm frike në kohën kur Vetting-u në shtator do të gjejë zbatim, si një masë ligjore dhe kushtetuese për njerëzit e gjyqësorit. E parë kështu, çka po ndodh është e tepërt dhe paralele me të. Është “deja vu”, pasi shkel të drejtat e njeriut, mobilizon denoncimet veresie, sjell në fokus kulturën e letrave anonime, ndonëse një pjesë e atyre pretendimeve mund të jenë të vërteta.

Efektet pozitive

Shpesh herë për të arritur qëllime të mira përdoren mjete të këqija.  Kjo që po ndodh është, sipas konceptimit të Ramës, me gjasë një lloj shoku kulturor në administratën publike: një goditje me doza të mëdha dhe në emra tabu si ai i Profesor Mentor Petrelës, dhe brenda taborrit të vet, për të krijuar ndjenjën e vëzhgimit, për të përmirësuar sjelljen e administratës, për ta spastruar atë me masa drakoniane, etj.  Ndërkohë, në sjelljen e Ramës, në përdorimin e këtij instrumenti politik, ka një risi. Përgjithësisht Rama ka përdorur deputetë të caktuar për të përdorur akuza nominale në dëm të këtij apo të atij zyrtari, apo politikani të palës tjetër.

Ai vetë rregullisht nuk është mbartësi i akuzave anonime. Mirëpo, në listën që ai paraqiti në pjesën e drejtësisë dhe administratës, kishte sa njerëz të vet, të LSI-së, apo të ndonjë subjekti tjetër. Për rrjedhojë, kjo bën që ky akt i Ramës të mos quhet si një akt ngushtësisht partiak.  Ndërkohë, për shkak se është hera e parë që ai e përdor personalisht një instrument të tillë akuze, që i jep zë thashethemnajës publike, sado e dënueshme e kritikueshme të jetë, ai ka arritur të krijojë një efekt të jashtëzakonshëm. Impakti, qoftë dhe me aktin e largimit të drejtorit të ALUIZNI-it në Berat, si duket nga vijimi i zhurmës publike është i madh dhe ky ka qenë njeri nga synimet e Ramës.

Ai nuk ka sharë askënd në vetë të parë, duke përdorur thashethemet, ama një herë që i përdori, krijoi një efekt të madh. Rama po vendos gishtin tek një plagë e sjelljes së administratës ndaj qytetarit, ku nuk janë përgjegjës vetem njerëzit e LSI-së si mendohej në fillim se botimi i listës ishte sinjal për spastrimin e administratës nga njerëzit e saj. Jo, Rama po godet dhe të vetët: drejtori i larguar i ALUIZNI-it në Berat, mund të jetë dikush që ka ngarë shumë pas votave, por mori një dënim të papritur nga sulltani i cili don që askush të mos ndihet i betonuar në rolin e vet.

Parë kështu, ky hap shembullor krijon perceptimin për nisjen e një fushate departizuese dhe dihet se Rama e ka patur obsesion krijimin e një administrate eficiente jopartiake që nga koha e hyrjes në bashkinë e Tiranës kur u prish qoftë me PS-në, qoftë me LSI-në, pse nuk pranonte të punësonte militantë partie. Nga ana tjetër, Rama e di fare mirë që korrupsioni i vogel i shpërndarë, është ai qe e rrit perceptimin e korrupsionit tek qytetarët. Korrupsioni i mjekëve, policëve, gjyqtarëve është më i prekshëm se ai i ministrave. Por dhe në goditjen e këtyre njerëzve të partisë së vet, ka një precedent ndonëse më brutal tek paraardhësi i tij Berisha. Policia kriminale, emisionet investigative kontribuan në arrestimin, në linçimin publik të shefave autoritarë të shërbimeve në QSUT-së, për pagesa të vogla rushfeti nga pacientë, dhe pikërisht televizimi i arrestimeve ndikonte në përmirësimin e indeksit të luftës ndaj korrupsionit.

Më në fund, mjeti i përdorur është i vrazhdë, pavarësisht qëllimeve dhe efekteve të mira. Që Rama të tregojë koherencë me tezën se nuk e kanë fajin njerëzit, por sistemi do duhet të na tregojë se prapa kësaj inisiative qëndrojnë hapa të tjerë reformues, institucionalë për ta bërë një administratë civile moderne, funksionale. E kuptojmë se për konsum popullor duhen hapa të tillë, dhe në verë madje, (sistemi i pikësimit, notave, etj, ndëshkimet shembullore, botimi i listave që mbetet diçka e dënueshme për të cilën ai ngjan se e ka pranuar se është gabim), por pas populizmit, duhen hapa shtetformues. Në shtator, mundësisht kur parlamenti të fillojë të funksionojë. Për shembull, shtrirja e Vetting-ut dhe në administratën publike, në politikë. Atëherë do e justifikojmë fletërrufenë kolektive që Rama e institucionalizoi një ditë të bukur vere.

Please follow and like us: