Pater Anton Harapi: Pse u bana pjesë e Këshillít të Naltë të Regjencës
Sapo ka dalë nga shtypi vepra e At Anton Harapit “Naltimi i ndërgjegjes kombtare”, Botime Françeskane Shkodër, 2017. Vepra përmbledh të gjitha shkrimet në prozë të At Anton Harapit botuar në revistën “Hylli i Dritës”. Janë vënë edhe disa shkrime të At A. Harapit botuar në gazetën “Ora e maleve” 1923-1924. Prej këtyre shkrimeve përzgjedhim për botim rrëfimin e tij, që hedh dritë mbi pjesëmarrjen e tij në Regjencë, së pari- sepse çështja ka qenë dhe është e debatuar (pse kleri u përzje me ‘qeveritë kuislinge’), dhe së dyti se shumë kohë pas vdekjes, e ka të drejtën e fjalës- një shpjegim i tij pse u bë pjesë me lejen e eprorëve dhe si nismë personale.
Lindi më 5 maj 1888 në Shirokë, studioi në Austri, botoi disa vepra, qe pjesë e grupit opozitar me Luigj Gurakuqin. Me instalimin e regjimit, mbas disa kërkimesh, komunistët e gjetën. Për gati gjashtë muaj qëndroi në birucat e hetuesisë, në Tiranë, nën tortura. U pushkatua natën e 14 shkurtit 1946, në orën 18:30. Eshtrat e tij, kalbur në një gropë të panjohur, në rrethinat e Tiranës, vijojnë të presin një varr. Më 25 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar zgjodhi si anëtarë të Këshillit të Naltë, Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Fuat Dibrën dhe Padër Anton Harapin. Ky i fundit asistoi në të gjitha mbledhjet e zhvilluara me praninë e Këshillit të Naltë, porse u betua më 13 janar 1944 pasi kishte marrë edhe lejen e Papës.
NJË SQARIM HYRËS NGA “HYLLI I DRITËS”
Kur asambleja kombtare nji zani lypi qi në Këshillin e Naltë të Regjencës të figurote edhè persona e P. Anton Harapit, shumë kush u gëzue, s’kje kush qi tha se ai nuk e meritote atë rangë aq të naltë. Por ndër ata qi nuk u gëzuen për ketë punë kje edhe P. Antoni vetë. Në nji kohë në të cillen “të ndershmit”, kërkojshin me u strukë, me e ‘ruejt vetin’ për nji kohë tjetër mâ të mirë, në nji kohë shpartallimi t’plotë t’auktoritetit shtetnuer, në nji kohë kur, me pranue nji zyre të tillë dote me thanë me vû vetin shêj pushke mënís së shumëkuj e fjalëvet të gati gjithkuj, lypej zemer e guxim me i përgjegjë apelit t’Atdheut, qi i lypëte ndihmë. Por miku i mirë njihet në ditë të ngushtë.
Rrëfimi
Tash sa kohë publiku shqiptar ka pritë me ndie nji fjalë prej meje. Megjithëse parashoh se do të kuptohem keq dhe do të komentohem ndoshta edhe mâ keq, due t’i a çoj në vend dishirin: due t’a thom fjalën t’eme. Por, vall, shka të thom, kurse me fjalë jemi ngi? A kemi kund ndonji punë të mbarë, pse sa per fjalë të bukura nuk jemi ngusht aspak?
1 – Ja, pra, se nji punë e mirë u ba: mbas sa muejsh anarkije, sa të frikëshme aq edhe të rrezikëshme, sot – mirë a keq – kemi nji Këshillë të naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeverí, kemi nji auktoritet shqiptár. Ketë vepër dikush e shikon me sy të mirë e dikush me sy të keq, aq sa edhe miqë e dashamirë të mij mrrijtën: Shka i u desht Patër Antonit me i a hy kësaj pune? Këtyne due t’i u përgjegji, jo si zyrtár, por si mik, jo për të përligjë vehten, por për të ndritun mendimin t’em dhe të tyne.
Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me dashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk m’a tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtrënguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mire të baj nji marrí: ase – sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të kompromentohem.
2 – Ja arsyeja për të cilën pranova të marr pjesë n’auktoritetin shqiptár: pse nuk mujta t’a shoh Shqipnín n’anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për né Shqiptarët anarkija asht nji turp dhe nji delikt: po, turp asht të ngatrrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonín shqiptare, pa qenë të zotët t’i a gjejmë fijen lamshit; delikt asht në ketë moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë për ideal vllavrasjen, përmbysjen e katundevet, humbjen e gjas dhe shkatrrimin e familjevet. Kësaj i thonë rrokoll më rrokoll! Pra, m’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnija.
3 – Maní… E po, si kujton Pater Anton Harapi se ai po e shpëton Shqipnín?! … Jo, zotní! Asnjeni nesh, qi kemi marrë zyrën e Këshillit të Naltë, nuk e kemi pretenzjonin të mbahemi shpëtimtarët e popullit. Dhe atëherë, pra?… Shqipnín do t’a shpëtojë Zoti, kurse na i kemi vu vehtes nji misjon: të përpiqemi me të gjitha fuqit për t’a pakësue mjerimin dhe shemtimin shqiptar. Na e kemi ndërgjegjën të kjartë se jemi njerëz nevoje, d. m. th. se vetëm nevoja e kohës na ngrehi në ketë shkamb; as nuk kemi fjalë të mdhaja dhe premtime të bukura, por, po mujtëm t’i a lehtësojmë popullit sado pak ata shka vuen, dhe po mujtëm të vejmë nji gur të vogel për konsolidimin e çashtjes shqiptare, do të jemi të lumtun.
4 – Përveç këtij misjoni, nji tjetër arsye e fortë më shtyni t’a baj ketë hap: Qaje, Zot, të keqen – thashë me vehte – si mos me u gjetun në Shqipní burra të zotët, qi të marrin pergjegjësi publike dhe të mos flijojnë vehten për kolektivitetin?! Mospranimi i bashkëpunimit në ketë rasë – me e shikue hollë- për mue do të kishte qenë nji spekulacion: unë, i grishun botnísht të jap kontributin t’em për çashtjen e kombit dhe për ndihmën e popullit, ma parë do t’anojshem të ruej kryet dhe prestigjin t’em personal, se sa me rrezigue vehten për çashtjen e përbashkët. Anishka – thashë – rroftë populli edhe pa mue, rroftë Shqipnija!
5 – Edhe komunistavet due t’u a tham nji fjalë, por kjartë e shkurt. Unë jam i bindun se pak janë ata Shqiptarë, të cillët vërtè e kuptojnë doktrinën komuniste, por, tashmâ të gjithë po e shohin dhe po e njohin organizatën dhe vepren komuniste në Shqipní. Kjo âsht e vertetë, e kjo don me thanë se gadi të gjithë komunistat shqiptarë veprojnë me krye në thes pa dijtë shka bajnë dhe për shka veprojnë. Por, po thonë se e kanë per Shqipní, e vetëm per Shqipní. Unë due t’u besoj, por ky dallim midis doktrinës komuniste dhe veprës komuniste me formën kombtare – sikurse i kam ndigjue unë dhe vetë tue dishmue organizatorët komunista – mue më ban me dyshue për sinqeritetin e kësaj rrymë Shqiptare: Pse, vall, komunistat veshen e ngjeshen me zellin atdhetar, kurse atyne mbi të gjitha u intereson doktrina e jo atdheu? Masat terroristike, mandej, vllavrasja, lidhnija e ngushtë deri në dependencë të plotë prej dorës së huej, dhe përdorimi i çdo mjeti për qellim nuk i lanë vend dyshimit. More, me kubure në gjoks nuk bahet kush as vllá, as shoq, por ja skllav, ja mizuer apo hypokrit… Gjithëmonë tue rrënue, nuk ndërtohet.
Porse, mbas gjase, komunizmi sot nder ne e ka lanë m’anesh doktrinën dhe don të justifikohet me veprën politike atdhetare. Kjo për mue âsht nji kontrast. Nuk due të bjerri kohë tue polemizue me komunista, vetëm po thom se këtu në Shqipni palla në thes nuk hyn. Nuk kemi si t’andrrojmë me ngrehë republikën e Platonit, kurse jemi endé në gjendjen primitive; nuk kemi sot si të kapërcejmë n’internacjonalizëm kurse endé nuk e kemi formue si duhet ndërgjegjën kombtare. E pse atyne u âsht mbushun mendja se luftën e fitojnë udhëheqësit e së tretës internacjonale, nuk âsht kjo nji arsye, qi na qysh tash t’i a nxjerrim syt shoqishoqit dhe të krijojmë hekatomba shqiptare.
Pater Anton, ti me atë prizmën t’ande a e shef kund Shqipnin?… Kështu më shkruente tasht së voni nji mik i përzemërt: kështu e dij se më pyetë zemra e popullit shqiptar. Ku jemi? Ku vemi?… Përgjegja duket si t’ishte e lehtë, por asht shumë e vështirë. Lufta botnore e shtini ndër gjire të veta rrëmbyese edhe Shqipnin. Kolosët ma të mdhejt të botës, si – çë mos mbahet mend kurr – po gjuehen shtjelma dhe po vriten shoq me shoq aq rreptas, sa me u dridhun fëmija në zemer të nanës. Çfarë politike do të ndjekim tash na mizat e vogla për të shpëtue? Kush thotë se i vetmi shpëtim për né, asht të vehemi me luftue krahas me njenin a me tjetrin vigan, kurse unë mendoj, se e vetëmja rrugë shpëtimi asht, të ruhemi, mos të marrim ndonji shtjelm andej a këndej, prej njenit a prej tjetrit, dhe të bahemi të paqenun; të hupim pa shenjë, pa dukë. Ja, në dy fjalë politika për né në ketë kohë: t’a ruejmë vehten moralisht dhe materjalisht sa me të bashkuem dhe sa ma të fuqishëm, gati për çdo eventualitet.
Sa për politikën e mbrendshme, unë jam i bindun se gjindemi në nji kaos mendimi dhe në nji kontrast flagrant veprimi; dhe po të vijojmë në ketë rrugë, do t’i a bajmë vorrin vehtes, do t’i a vejmë kazmën Shqipnís. Ja, edhe se për ç’arsye:
1 – Disorjentimi i ynë në mendim dhe në punë, fill çon në vend planet e anmiqvet, të cilët duen me na pá të humbun. Qe sod, sà kapadají, aq rryma e aq parti!
2- Demoralizimi i ynë ka vojtë ke s’ve ma: në njenën anë, aq e kemi humbë besimin në shoqishoqin, sa në mendje të shumkuj asht hjekë mundësija e altruizmit dhe e mirësis shoqnore. N’anën tjetër na ka rá zemra në bark: gati të thuejsh e kemi bjerrë ndërgjegjën dhe besimin në vetvehte si kolektivitet; mandej edhe sot, qi për né asht jeta a vdekja si komb e si shtet, gjithënji vijojmë në shpinë të Shqipnís, të bajmë spekulacjone, të krijojmë parti, të ndjekim krahinarizëm, fanatizëm, akraballek, dhe – ma tepër se kurrgja – t’i hjekim politikë njeni tjetrit. Shpirti i Shqiptarit njitash ma duket se asht lodhë përnjimend. Puna ka vojtë në te, dhe nuk ka tjetër, por njena dysh: a të bashkuem, a të mbaruem.
3 – Reaksioni nacjonalist, aq për t’u lëvdue në moshën e ré, filloi me të vërtetë me nji ideal, por mjerisht degjeneroi në pasjon, i cili na verboi aq keqas, sa kemi sy dhe nuk shohim, kemi mende dhe nuk bindemi se vllavrasja, qi dita me ditë po merr përpjestime dhe mënyrë aq të tmerrshme, ajo asht rrenimi i ynë fizik, moral, ekonomik dhe politik.
T’i nxjerrim sytë shoqishoqit, t’i presim veshë e hundë, t’a sakatojmë kambësh e duersh, t’a dhunojë shqiptari shqiptarin në mënyrën ma barbare, këta nuk asht zakon i Shqiptarit; as nuk âsht ideal e nacjonalizëm, por asht egërsi, degjenerim, turp dhe faqe e zezë. Patëm fillue me nji poezí dhe po mbarojmë me nji tragjedí, sa me i u dhimbtë gurit e drunit. Nuk asht dita sot të likuidojmë fajet e fajtorët; sot na duhet të bajmë nji punë të vetme: të shpëtojmë kapitalin e parë, qi âsht Shqipnija dhe populli. Fajtorët mjaft t’i paralizojmë qi mos të jenë të damshëm mandej nesër do t’i thrrasim me na dhanë arsye.
4 – Rrymët e soçme po bajnë nji gabim të randë: ata po ndërlikojnë rendin ndër idé dhe ndër punë. Susheptibiliteti i shumanshëm na bani të harrojmë realitetin e punës, çashtjen kombtare dhe shpëtimin e popullit, edhe jemi kapun fyta-fyt dhe po përleshemi për çashtje formash e reformash: endé nuk e dijmë me sigurí ku e kemi Shqipnín dhe kryekreje zehemi për formën shtetnore; endé nuk e dijmë si do të përfundojë lufta për Shqipnín t’onë, dhe që me tash duem t’u vejmë reforma Shqiptarëvet. Ja, po mbetemi pa popull, pa fshate, pa troje! Ja, po shpenzojmë mija njerëzish, miljona pasunísh, të gjithë kapitalin moral dhe financjar shqiptar! E po për shka? Jo sigurisht per Shqipni, se në ketë pikë jemi të gjithë njij mendjeje, por vetëm pse në ketë kohë, e cila asht kriza e fundit, duem t’imponojmë, kush reformën shoqnore, kush formën shtetnore. Po a të vdekunvet, njij populli të fikun dhe të mbaruem do t’i ndjellim kohën e Arit apo Parrizin Shqiptar!?… Mos druej, djalëri, mos u frigoni udhëheqës shqiptarë, idealista, a shka jeni a i thoni vehtes! Zot, shpëtoftë Shqipnija dhe populli, pse unë ma i pari – ju a dhashe besën e Zotit – do t’a qes kushtrimin dhe do të prij për reformën shoqnore, pse tashma e kanë pa, edhe miopët shqiptarë, se me sistemet e deritashme nuk kemi si të rrojmë ma në Shqipní. Po nuk ka patën rysun dhe çelë sytë tridhetë e sa vjetë provësh e rreziqesh, as treqind vjetë të tjera nuk do të munden me na regjë. Veç të shpëtojmë, pse i gjalli ka derman.
5 – Mbas gjithë së keq, këto janë dame dhe gabime qi shihen e dihen, prandej mund të ndiqen e mund të ndreqen. Unë gjej shka t’admiroj edhe ndër kundërshtarë: vendimin e prém, sakrificën e qindresën. Nuk jam me ta as në parim as në metodë, as për shka bajnë e si bajnë, por atynë disí mund t’u bahet hallall mbasi luftojnë për dishka. Por shka t’u bajsh gjymësakëvet, abstensjonistëvet, indiferentëvet, Shqiptarëvet të vdekun në shpírt, të cilët – a prej frike, a prej egoizmi vehtjak qi mos t’i qesin trazim vehtes, ku edhe për t’u mbajtun elitë dhe esnafë në sferën e atyne qi nuk duen të përzihen – e kanë vu për nderë e vlerë qi mos të deklarohen në kurrnji mënyrë: as për Qeveri, as për anarkí. Këta janë parasitët e Shqipnís, për ta pasiviteti dhe negativiteti janë ideal; nuk duen të vehen në rrezik as sa të zít e thonit, por të rrojnë dhe të gëzojnë në shpinën e të tjerëvet. Dobësi mendore! Dobësi morale! Dobësi shoqnore! Po qe kush për plumb, pa tjetër, këta kishin me qenë ma të parët.
Në luftën e Waterloo-s i qe paraqitun Napoleonit nji kryetar komunje, i cili, tue i deklaruem vehten asnjanës, mendoi të justifikohej. Vranje, – tha Napoleoni – venje në plumb menjiherë, pse anmikut qi të del përball i qoftë falë, por ky qi rrin i mëshefun n’apathín e vet, ky asht edhe ma i rrezikshëm, pse jo vetëm asht anmik, por edhe spekulator i dobët.
E mjerisht, shtatëdhetë për qind të Shqiptarëvet janë të tillë! Si do t’u bahet? Çonju të vdekun, se na mbytën të gjallët! Çou, Vas Pashë Shkodrani, e qaj, pse nuk paska qenë për t’u qá Shqipnija atëherë, kur ti me shokët e tu përpiqeshit t’a shpëtojshit prej kthetravet të hueja, por sot, por sot me lotë gjaku do ta dertojmë, se Shqiptarët me duert e veta janë tue rrenue kulm e themel:
O moj Shqipní e mjera Shqipní
Kush të ka qitun me krye në hi…
Tepër pesimist, Pater Anton, kanë për të më thanë shumë zemra qi ndiejnë, na me fjalë të tjera paskemi mbarue?!
Jo. Me të vërtetë nuk kemi mbarue. Kemi endé kohë. Mjaft të duem se mundemi; mjaft të mos përtojmë se dijmë; mjaft të vehemi sinqerisht, se me siguri i dalim. Ja edhe se si:
1 – T’a krijojmë nji fuqi morale në Shqipni. Edhe në mos gjejshim nji njeri qi sot t’a përmvetësojë të tanë idén, vullnetin dhe përpjekjet e jetës shqiptare, kemi ma shumë se nji asish, të cilët randojnë moralisht aq, sa me bâ pikën e gravitetit të jetës s’onë kombtare. Duhet të besojmë në dikend, të besojmë në vitalitetin shqiptar, të besojmë në fuqin e vullnetit t’onë, por të besojmë përnjimend. Po nuk i besuem vehtes sa duhet, nuk ka pse të besojë kush në né. Lypet t’a rindërtojmë ndërgjegjën t’onë vehtjake dhe kolektive.
2 – T’a krijojmë fuqin shtetnore me nji mobilizim shpirtnuer dhe trupuer të të gjithë Shqiptarëvet, me nji dishiplinë të shtërngueshme dhe me nji organizim të vërtetë.
Në kambë, ju oficera! Shka pritni? Shka droni? Shka shtirateni? A sot a kurr, ju të parët për t’a shpëtue popullin, për t’a shpëtue Shqipnín. Për shka ju rriti, për shka ju mbajti dhe ju përgatiti Shqipnija në mos për ketë ditë rreziku?! Dam për ju me u strukun si pula të lagta sot, qi tmera dhe potera vlon anë e kand nepër viset shqiptare. Kush përveç jush, do të prij në logun e fatosavet? Ky âsht profesioni i juej, për njiketë ditë jeni betue, sedri i juej nuk do të durojë kurrsesi t’u a kalojnë sot varzat e grát në vendim, në guxim dhe në sakrificë. Jam i bindun se me dhetë oficiera të venduem, por qi kanë qitun cekën të vdesin përnjimend, i a vejmë bazat organizatës shqiptare.
Ku jeni, ju zyrtarë, qi Shqipnís m’i merrni rrogat dhe i prishni punën, dhe jo vetëm punën, por i cenoni edhe ekzistencën? Ku âsht ndërgjegja, karakteri dhe prestigji i juej? Si u a jep shpirti të mirrni rrogat e Shqipnís, kurse ju dhe askush tjetër, çuet popull e Komb me i u dhimbët gurit e drunit?!… Mos më qit arsye as shkaqe, ti zyrtar! Detyra për detyrë, ky âsht nderi, kjo âsht vlera e njij zyrtari. Të ka kapun frika se po vdes uni a pushke? Po ti me atë zemër lepuri dhe me atë vepër të pajetë, ti vdekë se vdekë – Vdis, të paktën në detyrë dhe për detyrë! Po t’a kishte kaq fuqi morale secili zyrtár, ja se u bâ organizata dhe fuqija shtetnore. A nuk e ndien vehten as per kaq? Hesht, pse ti kështu si e ké bjerrë të drejtën me qenë, e ke bjerrë të drejtën dhe me folë!… Por ka edhe ndër zyrtarë përjashtime. Ka pernjimend njerëz detyre, por nuk kanë ku me qenë, përse nji gúr nuk ban múr.
3 – Të gjitha këto çohen në vend dhe plotsohen me nji fjalë dhe me nji vepër të vetme: të sakrifikohemi. Mjaft kemi sakrifikue të tjerët; sot t’i a nisim nga vehtja e jonë. Ju atdhetarë, qi levdoheni se bani vdekjen për Shqipní, të jeni të zotët të sakrifikoni pikëpamjet dhe pasjonet rrymët dhe idét, oportunitetin dhe komoditetin vehtjak, po deshët t’i shpëtojmë rrezikut që na rrin mbi krye. Këtu i due idealistat, udhëheqësit, intelektualët: salus rei publicae suprema lex esto! Ky asht imperativi i ditës për të gjithë ata, qi ndjejnë përmbrenda si njerëz dhe si Shqiptarë. Shpëtimi i çashtjes së përbashkët âsht bashkimi, por nuk kemi si të bashkohemi deri sa të mbajë seicili të vetën. Ase kemi sakrifikue pikëpamjet t’ona, ase do të sakrifikojmë Shqipnín. Kjo âsht sakrifica shpirtnore e vetëmja për t’i a mrrijtë qëllimit.
Por edhe mos të kujtojë kush – si qe partish, elementash, krahinash – se e ban Shqipnín Hajmalí apo privativë të vetën, pse Shqipnija âsht nji mollë e tharbët, sa nuk ka burrë qi i ngjet dhambët, pa i u pi keqas; jo qi Shqiptari për nji plesht e djegë jorganin… Kushtrim, djalëri; kushtrim, burra të pjekun; qytetas a katundarë kushtrim, Shqiptarë, të çdo krahine, të çdo besimi a shkalle shoqnore! Lëshoni, armët, pash Zotin, pse mjaft gjak âsht derdhun, mjaft shemtim âsht bâ, mjaft futa e zezë asht vú…
Sod qi jemi më kuti të permbysemi me t’eger e me të butë, në ketë përmbytje të fundit, për ne nuk do të ketë gjermanofila, anglofila, italofila: s’ka njerëz të djeshëm e të nesërm, sot do të jemi shqiptarë e vetëm shqiptarë, të zott të çveshemi e të harrojmë gjithshkafen, vetëm e vetëm për të shpëtue kombt, shtet e popull. Urrah të bashkohemi, se mbaruem: Të prajnë fjalët e arsyetimet. T’a bajmë monumentin kombëtar: bashkimin e shqiptarve. (Hylli i Dritës, nr. 1, 1944)
Veprat që shkroi, veprat që la
Sa ishte gjallë, shkroi dhe botoi këto vepra:
Emz. Françesk Melchiori O. F. M. Arqipeshkev i Durrsit. Ligjiratë e majtne nder salikime të tija 2-XI-1928; Shtypshkroja Françeskane, Shkodër, 1928.
Vlerë shpirtërore, Kontribut per trajtimin mendor të Shqiptarit, Shtypshkroja Françeskane, Shkodër, 1936. Botue rishtas në 1942, në 1994 dhe në vitin 2009.
Mbas martirizimit të tij u botuen këto vepra:
Ândrra e Prêtashit, kontribut për kulturën shqiptare, nën kujdesin e Át Daniel Gjeçaj, Romë, 1959, botue rishtas prej At Zef Pllumit në vitin 1994 dhe në Botimet françeskane, në vitin 2008.
Valë mbi valë, nën kujdesin e At Daniel Gjeçaj, Romë, 1995.
Shkrimet në prozë u botuen në Gjakovë, 1997, me titull: Njisimi kombtár dhe ideali kombtár, Kuvendi Françeskan, dhe në Tiranë, 1999, nën kujdesin e Aurel Plasarit me titull: Kulla e Babelit, botues Phoenix.
Përshtati në gjuhën shqipe veprën e Anton Herget, Edukata ase mirërritëja e fëmivet, punue per mësues e mësuese të shkollavet shqyptare, [përkth. e përsht.] Prej njij Franciskani shqyptàr, Shtypshkroja Franciskane, Shkodër 1925.
Në Prishtinë, më 2003, në Shpresa&Konica u botuen, në pesë vëllime, veprat e Harapit e për Harapin, titullue: “Shqyptari dhe bota e tij”; “Valë mbi Valë”; “Andrra e Pretashit”; “Vlerë shpirtërore” dhe “Të tjerët për veprën e Harapit”.