Albspirit

Media/News/Publishing

Gjokë Dabaj: Për Mustafa Nanon, Mark Markun e ca të tjerë

 

Sigurisht, s’ka asgjë për t’u tërbuar, tha Mustafa Nanoja. Vetë emri MUSTAFA dëshmon shkoqur që, ky gazetar i yni, ky analist nga më të dukshmit, ky autor librash, për një pjesë lexuesish mjaft tërheqës, është një ARAB, të parët e të cilit, pa dyshim, kanë ardhur nga Arabia Saudite dhe janë vendosur në një fshat të Skraparit. Kush mund ta kundërshtojë këtë pohim timin, të mbështetur “shkencërisht” në të gjitha të dhënat linguistiko-etimologjike që i kemi në dispozicion? Emri MUSTAFA vjen nga arabishtja dhe ka kuptimin i zgjedhur, i shquar. Ma ka shpjeguar këtë fjalë vetë Mikel Ndreca dhe përmbi Mikel Ndrecën unë nuk vë asnjë shpjegues tjetër të fjalëve të huaja.
S’ka asgjë për t’u tërbuar as për deklaratat e Mark Markut, se vetë Mark Marku, një tjetër analist i dukshëm, i cili na del e pakta njëherë në javë nëpër media, një nga pedagogët mjaft prezentabël në auditoret e universiteteve tona, është një ROMAK i kulluar, një puro LATIN, të parët e të cilit, me siguri, kanë ardhur këtu në Mirditë që në kohën e Perandorisë Romake. Dëshmitarë për këto “të vërteta” kam jo vetëm Mikel Ndrecën, por edhe Tod Dhamon, sado që emri MARK mund të shkojë edhe më tutje, deri te një farë ARESI i shumë shekujve para Romës.

Gjykuar në këtë mënyrë, siç në të vërtetë gjykon Mustafa Nanoja, unë jam i detyruar të pranoj që edhe nëna e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ka qenë “me siguri” një sllave. Emri i saj është një fjalë e përbërë, tema e parë VOJ vjen nga VOJ(SKA), ushtri, tema e dytë SAV/Ë,-A, vjen nga SLLAV, me rënien e LL-së. Emri i përveçëm i gjinisë mashkullore ndër sllavët është VOJISLLAV. Ku ka më qartë dhe çka këtu për t’u tërbuar?!

Gjykuar po në mënyrën siç gjykon dijetari tjetër i yni, Mark Marku, as flamuri shqiptar nuk qenka shqiptar, sepse qenka marrë “hua” prej Bizantit!
Sigurisht, nuk do të kish asgjë për t’u tërbuar, në qoftë se Vojsava ka qenë vërtet një sërbe, bijë e ndonjë tribuje ardhur në trevat tona të Pollogut shekuj më parë, dhe nuk do të kish asgjë për t’u tërbuar, në qoftë se flamuri ynë do të ish vërtet një huazim prej asi bizantinësh që i njeh Marku. Por, në qoftë se nuk është kështu, atëherë, në mos për t’u tërbuar, e pakta për të vajtuar ka arsye. Për të vajtuar mjerimin ku kanë rënë sot shumë nga publicistët tanë dhe shumë nga historiografët tanë. Shumë nga ata që paguhen për të folur edhe broçkulla para Kombit Shqiptar!
Mund të jetë thënë diku që fisi i Vojsavës ishte një fis tribalësh, por sa është kjo e vërtetë? Është thënë edhe për Millosh Obiliqin që ish një serb, madje e kanë bërë edhe hero folklorik të kombit të tyre. Është thënë e thuhet edhe për Balshët që ish një dinasti serbe. Në të gjithë dokumentet e Mesjetës, vetë serbët quhen ILIRË dhe gjuha serbe quhet “ilirski jezik”, gjuhë ilire. Ç’mund të na thotë Mustafa Nanoja lidhur me këtë ngatërresë emërtimesh në ata shekuj?!
Në kohën e sotme banorët sllavë të Shkupit quhen MAQEDONË. Por a janë vërtet MAQEDONË? Sllavët e Shkupit e quajnë Aleksandrin e Maqedonisë paraardhës të vetin. Por a është vërtet paraardhës i tyre Aleksandri i Maqedonisë? Sigurisht, s’ka asgjë për t’u tërbuar as këtu, por kur ata sllavë, apo edhe arbër të sllavizuar, dalin sot e vrasin djem shqiptarë në Shkup e në Kumanovë, këtu, more burrë, nuk mund të themi, nuk themi dot: Ç’ka për t’u tërbuar?! Ata, pra sllavët, kanë hyrë prej kohësh në ujëra kënetash. Ata nuk thonë e nuk shkruajnë asgjë pa një prapamendim gjenocidi. Krejt historiografia e tyre është një TRAJNIM për masakra mbi shqiptarët! Po ne, përse u dashka të zhytemi në po ata ujëra?! Përse të mos jemi më të thellë, më të kthjellët dhe, rrjedhimisht, më krenarë me vetëveten, të paktën në ato pika ku mund të jemi të tillë? Për shembull, te Gjergj Kastrioti dhe te Flamuri ynë!?
Edhe unë jam kritik ndaj shumë elementëve të së kaluarës sonë, por mundohem të mos e mohoj asnjëherë atë që e kemi pasur pozitive. Atë që, në fund të fundit, na ka mbajtur gjallë si etni e si komb.

Është e vërtetë që simbolin e shqiponjës dykrerëshe e ka përdorur Konstantini i Madh, perandor i Perandorisë së Romës, përfshirë aty edhe pjesën lindore, e cila më vonë u quajt edhe Perandori Bizantine. Por kush ish Konstantini i Madh? Cilës etni i përkiste ai?

Është e vërtetë që këtë simbol, shqiponjën dykrerëshe, e gjejmë nëpër të gjitha kishat ortodokse, jogreke dhe greke. Por prej kujt e morën këto kisha këtë simbol?
Është e vërtet që këtë simbol, shqiponjën dykrerëshe, e kanë në stemat dhe në flamujt e vet, ngjyrash e nuancash të ndryshme, edhe shteti malazias, edhe shteti serb, edhe shteti rus, edhe mjaft shtete të tjerë. Por, a na lejohet ne shqiptarëve të nxitohemi për të thënë që ky simbol nuk është i yni?!

Nuk po futem më thellë në histori e në mitologji, por po them vetëm kaq: Konstantini i Madh ishte nga Naisusi (Nishi i sotëm) i Dardanisë. Ai nuk ka qenë as latin, as grek. Ai ka qenë i etnisë dardane, prej së cilës rrjedhin kosovarët e sotëm. Dhe, meqë jam këtu, po dua të shpreh mendimin tim edhe lidhur me emrin KOSOVË. Emri KOSOVË nuk lidhet as me mëllenja (KOOS), as me harabela. Emri KOSOVË vjen nga shprehja “Tokë e Konstantinit”, reduktuar ndër shekuj në formën *E KONSTIT ose *E KOSTËS, (Krahaso humbjet e tingujve te ISTANBUL që vjen nga KONSTANTINOPOL dhe humbjet e tingujve te KOSTA që vjen nga KONSTANTIN) dhe përfunduar me prapashtesën sllave të pronësisë –OV, në formën e sotme KOSOVË.
Konstantinopli, nga viti 495 e këndej, ka qenë edhe kryeqyteti ynë, nuk ka qenë kryeqytet vetëm i grekëve, i armenëve dhe i popujve të tjerë, pjesë të asaj perandorie, por ka qenë edhe i yni, i ilirojugorëvet, të cilët më vonë u quajtën arbën dhe arbër. Ne nuk jemi pushtuar, mbas vitit 495, prej Perandorisë Romake Lindore, të njohur ndryshe edhe si Perandori e Bizantit, por kemi qenë pjesë shtetformuese e asaj perandorie. Kemi qenë për disa dhjetëvjeçarë edhe në krye të asaj perandorie. Atëherë, pse të mos mendojmë që simboli i shqiponjës dykrerëshe të mund të ketë qenë, në zanafillën e tij, simboli ynë e pastaj të jetë bërë edhe simboli i të tjerëvet?

Vetë emri i asaj perandorie njëmijëvjeçare shpjegohet me mjetet e gjuhës shqipe. Nuk e kam me shaka. E kam seriozisht dhe shpjegimi im, sa i përket këtij rasti, është i parrëzueshëm. Qysh në lashtësi, shumë kohë para se të vendoste Konstantini i Madh për të ndërtuar aty një kryeqendër të dytë të Perandorisë Romake, në atë vend, mbi ngushticën e Bosforit, ka ekzistuar një qytezë me emrin BIZANT. Me mjetet e fjalëformimit të gjuhës shqipe, ky toponim i lashtë shpjegohet kështu: *MBI ZANËT/Ë,-I , vend mbi ngushticë, vendbanim i vendosur përsipër një ngushtice detare, pra, aty ku gryka e detit është ZANË, është mbyllur. Rrjedhimisht, emri i perandorisë thuajse njëmijëvjeçare, 495-1453, përdorur me mburrje e fodullëk të pafre prej grekëve gjatë gjithë atyre shekujve dhe në të gjithë shekujt e mëvonshëm, është një emër thjeshtë iliro-arbro-shqip.

Participin ZANË, *ZENË, e hasim edhe në disa hidronime në gadishullin tonë, prej të cilëvet janë krijuar edhe toponime, madje makrotoponime, që përmenden në histori. Kështu kemi në brigjet e Dalmacisë të paktën tre emra lumenjsh ZANTINA, (më vonë, nën ndikimin e italishtes dalmatine, CETINA), lumenj të cilëve, duke qenë në terren karstik, u është ZANË gryka dhe kanë humbur nën dhe. Prej një të tillë lumi e ka marrë emrin edhe CETINJA, kryeqyteti i derivonshëm i Malit të Zi. Po kështu edhe ZENTA e dikurshme, principatë e njohur mesjetare arbërore, e ka marrë emrin nga lumi ZENTA, më vonë ZETA, të cilit gjithashtu i ZIHEJ gryka në rrjedhën e epërme të saj.

Nëse e kalojmë Detin e Zi dhe hidhemi më në veri, do të gjejmë edhe atje emrin e një shteti, i cili prapë shpjegohet qartësisht me gjuhën shqipe dhe kjo është UKRAINA. U-ja është parashtesë, -IN(A) është prapashtesë, -KRA(H)- është rrënja e fjalës, e cila vjen nga emërtimi anatomik arbro-shqip KRAH, përdorur edhe si emër vendi me kuptimin anë. Psh, KRAHU i djathtë i lumit, KRAHU i majtë i lumit, ky KRAH këndej, ai KRAH andej. Dihet që emërtimet anatomikë nuk vijnë prej emërtimeve topikë, por e kundërta. Kontributi ynë duhej të ishte dhe duhet të jetë, që nxënësit e shkollave të mesme të Ukrainës ta mësonin të gjithë nga ka ardhur emri i atdheut të tyre.
Jo vetëm kaq, por sllavët, përfshirë aty edhe rusët, edhe emrin e bukës e kanë me prejardhje iliro-arbërore. Ata bukës i thonë HLEB, që, me rrugë metonimike, vjen nga *ELBËH, sepse në shekujt e Mesjetës buka e atyre viseve gatuhej kryesisht prej ELBIT. Në shekujt VII-IX në të folurit e këtyre hapësirave gjeografike ka ndodhur dukuria e metatezës dhe ashtu, fjala *ELBËH ka marrë formën HLEB.

Në fondin e tyre leksikor themelor në gjuhët sllave ka me qindra fjalë të huazuara prej iliro-arbërishtes. Prej këtyre qindra fjalëve të fondit të tyre leksikor themelor, në gjuhët sllave, përfshirë edhe gjuhën ruse, janë krijuar me mijëra fjalë të përbëra dhe të prejardhura, aq sa etimologët seriozë, shqiptarë edhe sllavë, por edhe të tjerë, do të duhej të kryenin studime shumë të zgjeruar, të çliruar njëherë e përgjithmonë prej konceptesh trishtimsjellës të “sanduiçit”.
Në raste të tjerë, unë i kam shpjeguar gjerësisht edhe rrethanat historike të ndikimit aq të madh të kulturës iliro-arbërore në kulturat sllave, si në këtë jugore, ashtu edhe në ato lindore e perëndimore.

Fjala sllave RJEKA, lumë, shpjegohet me foljen e gjuhës shqipe ME RRJEDHË dhe dihet që ME RRJEDHË nuk mund të vijë nga RJEKA, por është e kundërta. Fjala sllave PLLANINA, mal, shpjegohet me fjalën shqipe PYLL dhe dihet që PYLL nuk mund të vijë nga PLLANINA, por është e kundërta, sado që PYLL mund edhe të ketë pasur lidhje me ndonjë *PADULEM, gjë që mbetet gjithsesi për t’u diskutuar e saktësuar. Fjala sllave RAVNINA,vend i rrafshët, shpjegohet me foljen shqipe ME RA. Formantet –NI-NA janë qartësisht formante ndajshtesorë, ndërsa V-ja është një tingull epentetik. Fjala sllave POLE, fushë, shpjegohet me foljen shqipe ME ULË, me kuptimin e një hapësire toke TË ULËT. Forma fillestare arbërishte hamendësohet të ketë qenë *MBË-UL,-A, parashtesa MB- ka dhënë P-, si MBAS-PAS, MBRAPA-PRAPA etj, ndërsa U-ja është alternuar me O-në, si te FOND nga FUNDUS etj, etj.
Por analisti ynë Mustafa Nano dhe profesori Mark Marku ngjajnë shumë, për nga konceptet, me banorë të paarsimuar ose gjysmë të arsimuar të një shumice krahinash tona në Jug e në Veri. Qindra mijë shqiptarë ortodoksë të Shqipërisë Jugore, fillo nga Preveza e ngjitu lart, i thonë vetes GREKË. Në Fushë-Arrës është një familje shqiptare myslimane, së cilës katolikët shqiptarë vendës i thonë “Shtëpia e Turkut”. Në krahinën e Matit, kur dikush kërkon të mësojë prej dikujt të vërtetën më të besueshme, thuhet: “N’je Turk, ma thuj si ka qan aj muhabet!” Në Tivar, katolikët shqiptarë të atyre anëve, myslimanëve shqiptarë bashkëkrahinas, u thonë TURQ. Ndërkohë që, të dyja palët regjistrohen herë si malazezë, herë si myslimanë, herë si boshnjakë e herë si kroatë. Ndoshta pikërisht këta mentalitete e kanë shtyrë Mustafa Nanon ta ndiej veten “në sanduiç”. Ndoshta pikërisht këta mentalitete e kanë shtyrë edhe Mark Markun të mendojë që, as flamuri ynë s’është i yni.

Analisti dhe shkrimtari Musafa Nano dhe profesori Mark Marku ngjajnë shumë edhe me një tezen time nga Tivari dhe me burrin e saj nga rrethet e Milotit. Tezja ime u mburrej kunatave dhe fqinjëve të veta: “Un jam jugosllave. Un jam pej Jugosllavijet.” Sado që nuk i lidhte dot as dy fjalë në asnjë nga gjuhët sllave. Ndërsa burri i saj, me qëllim që t’i dilte përpara çdo keqkuptimi, në Kohën e Enverit, u deklaronte shpeshherë bashëbiseduesvet: “Un gruun teme e kam jugusllave. S’kam pse ta fsheh.” Që të dy ishin analfabetë.
Pikërisht këtu ka shumë arsye për t’u tërbuar! Si është e mundur që intelektualët tanë ta ulin veten kaq poshtë, sikur të jenë krejt pa shkollë?!

Historian prej Tivari, ardhur në Shqipëri në 1962 dhe banues aktualisht në Shijak

Please follow and like us: