Londra e gatshme të pranojë qarkullimin e lirë për disa vite pas Brexit
Kryeministrja britanike, Theresa May do të jetë e gatshme të garantojë lirinë e qarkullimit për evropianët për disa vite, pas Brexit-it, shkruan sot shtypi britanik.
Sipas së përditshmes “Times”, kjo periudhë do të jetë dy vjet, ndërkohë që e përditshmja “Guardian” përmend një periudhë tre deri në katër vjet.
”Ministri i Financave, Philip Hammond do të ketë mbështetjen e të gjithë ministrave të kabinetit qeveritar për këtë projekt të marrëveshjes së tranzicionit që do të zgjasë dy vite pas daljes nga blloku evropian parashikuar në vitin 2019″, shkruan “Times” që citon një burim britanik të afërt me negociatat.
“Guardian”, që citon një burim brenda kabinetit qeveritar, konfirmon se ky i fundit do të pranojë idenë për një lëvizje të lirë gjatë një periudhe të caktuar që mund të arrijë deri në katër vjet pas Brexit.
Mbajtja e qarkullimit të lirë do t’u mundësonte ndërmarrjeve britanike të ruanin një akses në tregun unik evropian gjatë një periudhe tranzicioni.
Në Bruksel, kryenegociatori evropian për Brexit, Michel Barnier i kërkoi Londrës të qartësonte qëndrimet e saj për faturën e divorcit dhe të të drejtave të qytetarëve, në përfundim të katër ditëve negociatash.