Shpresa Hoxha: Gjuha shqipe në mediat vizive
Hyrje
Sot, në periudhën e lirisë së plotë, të periudhës së pasluftës së fundit në Kosovë po ballafaqohemi me përdorim të ndryshëm të gjuhës shqipe, përkatësisht të mosrespektimit të standardit të saj, në kohën kur do të duhej t’i kushtohet vëmendje maksimale. Në këtë drejtim “Gjuha është njëri ndër tiparet më të spikatura e më të shquara të çdo njeriu dhe çdo populli. Në të më së miri ruhen e pasqyrohen pavarësia e një populli dhe trashëgimia e tij kulturore” (Ajeti 1989:36).
Punimi, me këtë rast, merret vetëm me gjuhën e folur dhe të shkruar të qendrave televizive të Kosovës, sepse brengos fakti, se kur shtetet tjera, madje shumë milionëshe për nga numri i banorëve, flasin dhe shkruajnë një gjuhë letrare ose zyrtare, duke e respektuar në plotni standardin e vet, atëherë pyes: “Athua se çka është duke ndodhur me ne sot”?
Po t’i shikojmë emisionet e shtëpive televizive, ndër ne sot në Kosovë fitohet përshtypja se gjuha shqipe anon më tepër nga gegërishtja dhe nëndialektet e saj, ndërsa emisionet televizive të Shqipërisë kanë përdorim më të theksuar të dialektit toskë, edhe pse duhet vënë në pah se gjuha andej kufirit përdoret, flitet dhe shkruhet më me kujdes. Megjithatë, nga folësit dhe udhëheqësit e emisioneve televizive të Shqipërisë vërejmë përdorime dialektore e shmangie nga standardi, p.sh. në vend të përdorimit të drejtë të fjalëve: vend, mend, i çmendur, të tria, shqiptohen, si: vënd, mënt, i çmëndur, të treja, etj. Vërehet edhe mosrespektimi apo anashkalimi i përdorimit të zanores – ë – p.sh në një emision të TV Klan ‐ it shkruan: “Zogu i Presheves”, zone, nje vjershe per koalicionin e ri Rama – Meta, ku dukshëm shihet qartë mungesa e përdorimit të – ë – së.
Gjuha e folur dhe gjuha intelektuale
“Historikisht, më e lashtë është gjuha në trajtën e saj të folur, e cila siç dihet nga filozofia e gjuhës, ka lindur së bashku me mendimin, në të njëjtën kohë dhe si rrobë a veshje materiale e tij” (Shkurtaj 2006: 255). Mirëpo, duhet pasur parasysh, gjithnjë se gjuha intelektuale dallohet dukshëm nga ajo e folur, e në veçanti ajo e mediave, ku marrim shembull për pastërtinë e gjuhës dhe që është shumë e rëndësishme për moshat e reja në formimin e të folurit të drejtë të tyre. “Gjuha e lajmeve të radios dhe të televizionit kanë rëndësi e forcë ndikuese të madhe në ditët tona” (Shkurtaj 2006: 56). Mbase, në kohën kur është arritur marrëveshja për drejtshkrimin e gjuhës shqipe në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (në nëntor 1972), mendoj se të gjithë kemi bërë përpjekje maksimale për t’iu përmbajtur rregullave gjuhësore, si në sistemin arsimor, në medie përgjithësisht, ashtu edhe në film, teatër. Në këtë kontekst sot, vërejmë mosrespektim të përdorimit të gjuhës së shkruar e të mos flasim për gjuhën e folur në mjetet e informimit publik, në veçanti të udhëheqësve të emisioneve televizive argëtuese, humoristike etj., në të cilat vërehet sheshazi përdorimi i nëndialekteve kosovare, madje të bastarduara dhe gjuha e nivelit më të ulët të mundshëm, që po i dëmton në masë të madhe të miturit, por edhe rininë në përgjithësi.
Këtu nuk është vetëm problemi i gjuhës së folur në qendrat tona televizive, por edhe papërgjegjësia e redaktorëve, të cilët gjuhën e shkruar të këtyre mjeteve të informimit nuk e kontrollojnë si duhet dhe lejojnë gabime dhe lëshime prej më të ndryshmeve.
Mospërdorimi i shkronjës ‐ ë –Kështu, mungesa e shkronjës, përkatësisht zanores shqipe – ë – është
pothuajse e zakonshme. E hasim në shumë shkrime, tituj dhe reklama të programeve televizive.
Televizioni 21 në vazhdimësi e bën reklamimin e tepihëve me të njëjtin gabim: eleganc dhe stil (TV21), për: elegancë, pa e parë të udhës që ta përmirësojë gabimin e përsëritur me muaj të tërë; Mbules divani (KTV), për: mbulesë; shum artikuj në amvisëri (TV21), për: shumë; Duaje shtëpin tënde (TV21), për: shtëpinë; thithse elektrike Samsung, për: thithëse. Vihen re edhe gabimet, si: … ku natyra të përtrinë., në vend se të shkruhet: …ku natyra të përtërinë. Krem per rrudhat ne trup, për: Krem për rrudhat në trup.
Në reklama ndeshim edhe përdorim të panevojshëm të – ë‐ së, si p.sh.: detërgjent për detergjent. (KTV); Qendra – Gjilanë (TV21). Në vend se të flasësh më zgjidhë, për: Në vend se të flasësh më zgjidh. Koleksion i ri i tëpihëve nga Belgjika. (KTV), për: Koleksion i ri i tepihëve nga Belgjika.
Shpesh vërehen përdorimet e gabuara të fjalëve dhe shprehjeve të ndryshme si p.sh.: Palloma të lëngëta. (TV21), në vend se të thuhet: palloma të lagështa.
Huazimet ‐ tjetërsim i gjuhës
Një dukuri tjetër, në emisionet televizive e tjetërsimit të gjuhës qëndron tek përdorimi i dukshëm i huazimeve të panevojshme angleze si në të shkruar, ashtu edhe në të folur; si te udhëheqësit e emisioneve, ashtu edhe te mysafirët e ftuar të rastit, të cilët nuk bëjnë përpjekje të mjaftueshme për ta
folur gjuhën shqipe sipas standardit të saj. E njëjta gjë shihet edhe në reklamat televizive si: Brendet më të mira; për: Llojet, ose tipat më të mirë. “Konkurs për pozitën…”, në vend se të shkruhet dhe thuhet: Konkurs për vendin e punës. Tek ne fjala pozitë, më herët, por edhe tani ka kuptim të një vendi ose titulli më të lartë, dhe kjo është kopjuar dhe “përkthyer” nga anglishtja: position = pozitë, për lehtësi nga papërgjegjësia e disa përkthyesve të papërgjegjshëm.
“Kushtet dhe termet …”, për: afatet. “Emisionet Live”, për: Emisionet e drejtpërdrejta; emision “Imazh” (RTK), për: pamje (panoramë), figurë artistike (Ndreca 1936: 328). “ Pikat e planit të implementimit…” (RTK), për: Pikat e planit të zbatimit. Nuk mungojnë edhe huazimet sllave të përdorura dhe të shkruara në reklama televizive, si: Virshlle 1 kg. 99 cent, për: salsiçe, suxhuk; Tepihstaza (TV21), për: lloj shtroje për korridore: rrugica, udhëza; Trenerka për fëmijë, për: veshje sportive, uniformë sportive (Fjalor 1974: 881); Torbë udhëtimi (KTV), për: trastë, çantë, valixhe; pllafonierkë (TV21), për: llampë tavani etj. Ne nuk mund të jemi purist, por jo edhe të pranojmë pa kontrolluar çdo huazim të huaj, duke i pasur fjalët tona shqipe. Për këtë çështje studiuesi kosovar, akademiku R. Qosja shkruan: “Mund të thuhet se përdorimi i fjalëve të huaja në gjuhën shqipe, si edhe në gjuhët e popujve të tjerë, është i domosdoshëm. Purizmi, që bazohet në parimin e përjashtimit prej gjuhës kombëtare të të gjitha fjalëve të huaja, është i
dëmshëm, po ashtu është siç është i dëmshëm edhe përdorimi i tyre, natyrisht në rastet kur nuk janë, vërtet, të domosdoshme. Gjuha, më në fund, i përvetëson fare lehtë dhe fare natyrshëm dhe i hedh ato që nuk i përgjigjen dhe që nuk i duhen”, (Qosja 1983: 70‐74).
Origjinaliteti i gjuhës shqipe duhet ruajtur, duke i ikur përdorimit të fjalëve dhe shprehjeve të huaja kur ato ekzistojnë në gjuhën amë. Në një shkrim tjetër të reklamave është i pranishëm përdorimi i shkronjës së madhe në vend jo të duhur, si: Kërkohet agjent për gjuhë Gjermane…. Nëse duhet theksuar në këtë rast, atëherë do të duhej nënvizuar ose edhe të shkruhej: Gjuhë gjermane me shkronjë të madhe për Gjuhë dhe jo Gjermane.
Gjuha e folur në TV
Dëshmia se kemi emisione televizive të udhëhequra në gjuhë të folur, popullore, pa e përfillur fare standardin e shqipes dëshmojnë shumë emisione televizive pothuajse të të gjitha kanaleve tona televizive në gjuhën shqipe. P.sh., në RTK, televizion publik, në emisionin “IMAZH” me të ftuarin Labin, dëgjojmë këtë bisedë, pa përpjekje për ta folur gjuhën e unifikuar letrare: “tan kohën po e qes vet”; “m’kan bo mu ndi mir”, “kom thon që……”, “po na ngon…”; n’çat far fryme… (Klan Kosova), në vend se të shprehen: Më kanë bërë të ndihem mirë; Kam thënë se…; Po na ndëgjon; Po në atë frymë. Edhe në reklamat televizive ndeshim përdorimin e gjuhës së folur popullore pra, të shkruar me gabime gjuhësore, mbase, duke u munduar, që reklamën ta bëjnë më bindëse për opinionin e gjerë. Ja disa shembuj të tillë: “Veshësh e dokësh si llokum” (KTV), për: Vishesh e dukesh si llokum.; “Dhezë sigurt” (TV21), për: Ka sukses të sigurt ose: Ka efekt; “Me randësi këpucat knap”, për: Me rëndësi këpucët tamam.; “Syza t’dillit” (1st Chanel) për: Syza të diellit; Veç edhe ka njo!, për: Vetëm edhe nga një! ; Funa për fëmijë.(TV21) për:
Funde për fëmijë. Je prishtinalike e vërtetë. Për: Je prishtinase e vërtetë. Këtë lloj shprehjeje e dëgjojmë nga udhëheqësi i emisionit “Odeon” dhe një këngëtare e cila thotë se: Jam mitrovicalike (TV21), në vend se të thuhet: mitrovicase.
Gjuha shqipe në serialet televizive
Fjalori i përdorur, veçanërisht nga artistët në serialet humoristike televizive shqipe, si p.sh. “Stupcat”, ka ndikim jashtëzakonisht negativ te moshat e reja dhe fjalët e shprehjet e tyre, të cilat ata i përdorin me një gjuhë të shprishur fare dhe humor të pakontrolluar, fëmijët dhe të rinjtë i përsërisin më pastaj në mes vete. Nuk duhet lënë anash edhe tekstet e këngëve, posaçërisht ato të fëmijëve dhe të këngëve argëtuese, që thurren e këndohen me një gjuhë jo standarde, të mos flasim për ato “rep” që përmbajnë edhe gjuhë të rrugës. Por, në këto raste shtëpitë televizive nuk e bartin përgjegjësinë e tërësishme, megjithatë do të mund të bënin përzgjedhjen e tyre dhe të mos lejohen të rinjtë të ndikohen me gjithfarë fjalësh dhe shprehjesh jo përkatëse për moshat e reja. Madje, edhe udhëheqësit e emisioneve shpërfillin të folurit e drejtë kur jemi te këngët, si p.sh.: “Është kjo një kangë”; “Ndonjë kangë tjetër?”; “Kangën
mund ta votoni” (Klan Kosova); “në fund do bjen në kurth. (TV21), për: Në fund do të bjerë në kurth. Këtu kemi përzierje të standardit të gjuhës shqipe me dialektin gegë, për fjalët: këngë, këngën dhe në shembullin e fundit mospërdorimin e nyjës së përparme – të.
Shembull i veçantë i anashkalimit të plotë të standardit të gjuhës letrare shqipe është TV Rrokum, i cili emisionet i bën kryesisht në dialektin gegë dhe pa kritere gjuhësore, p.sh.: “Ashton ka përgëzue Thaçin dhe Dacic, tue rrëfye pasigurinë e saj”; Ministri i Egjiptit ia ka konfirmue njohjen”.
Mediat dhe shtypi kanë ndikim shumë të madh në gjuhën e popullit dhe me ata që nuk bëjnë përpjekje për ta përfillur nuk duhet të merremi fare. Përkitazi me këtë, duhet veçuar folësit e lajmeve, të cilët maksimalisht përpiqen për të folur dhe shqiptuar drejtë gjuhën shqipe, si edhe disa prej udhëheqësve të denjë të shtëpive televizive në vendin tonë, të cilët edhe meritojnë lëvdata.
Përkthimi i filmave
Përkthimi i filmave është problem më vete, edhe këtu ka mori gabimesh e lëshimesh prej më të ndryshmeve, si: drejtshkrimore, morfologjike, sintaksore, përmbajtjesore, kuptimore etj. P.sh në serinë turke: “Dashuri dhe ndëshkim” (KTV) je e çmuar për banorët e shtëpisë; për: je e çmuar për njerëzit e shtëpisë.
Në këtë shembull vërejmë se përkthyesi pa menduar mirë e bën përkthimin e fjalës banorët në vend se fjalisë t’i japë kuptim të mirëfilltë, ashtu siç edhe thuhet: njerëzit e shtëpisë. Me siguri që shikuesi i serisë filmike do ta kuptojë domethënien, por nga pikëpamja kuptimore kjo vret veshin e lexuesit për arsye se në këtë insert filmi bisedojnë dy anëtare femra të një shtëpie. “Mos flit gjepura” (KTV); për: mos fol gjepura; “Duket djalë i kultivuar”; për: Duket djalë i edukuar, ose i mirë. Më pas vërehet shumë shpesh në përkthim përdorimi i nyjës së përparme të gjinisë mashkullore, të rasës gjinore, të vënë pa vend. Gabimet e këtij lloji janë të përsëritshme në serialet turke të shfaqura në qendrat tona televizive. “E pikëllova edhe të birin”; për: E pikëllova edhe birin tim. “I lumtë të birit tim” (KTV); për: I lumtë birit tim. “Nëse e sheh të vëllanë tim, mos fol me të”; për: Nëse e sheh vëllain tim mos fol me të. “A do ti tregoj të birit gjithçka? (TV21); për: A do t’i tregoj birit tim gjithçka?
Të pranishme janë edhe përkthimet e gabuara në gjini, si p.sh. përkthimi i përemrit të gjinisë femërore në vend se të përdoret gjinia mashkullore, si: Kjo është helm shumë i fortë.(TV21); për: Ky është helm shumë i fort. Ndeshim shembuj me fjalë të papërfunduara, përkatësisht me gabime teknike gjatë përkthimit të filmave dhe lajmeve, lëshime këto të përsëritura herë pas here. “Shpresoj se harroni të kaluar”. (TV21); për: Shpresoj se e harroni të kaluarën, “A do ti dëgjoj këto i dashur im?; për: A do ta dëgjoj këtë i dashuri im? “Mustafa: Reforma zgjedhore ëshët afër përfundimit”; për: Mustafa: Reforma zgjedhore është afër përfundimit. “Baja e Dobërçanit” (KTV); për: Banja e Dobërçanit. Të gjitha këto lloje gabimesh, përgjegjësit e qendrave televizive do të mund t’i korrigjonin me lehtësi dhe jo të krijonin përshtypje jo të mirë para shikuesve të vet. Edhe në rastet kur tekstet u dërgohen me gabime dhe lëshime gjuhësore, mendoj se do të ishte e udhës që ato të korrigjohen nga personat përgjegjës për gjuhë (nëse i kanë!).
Duhen bërë përpjekje për ngritjen e standardit
Do cekur se pas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë në nëntor të vitit 1972, ka pasur përpjekje të mëdha të respektimit të gjuhës shqipe, si në të shkruar, ashtu edhe në të folur. Të gjithë “u hapnin shtegun vendimeve që mëtonin mënjanimin e zgjidhjeve ndasore dhe që shkonin drejt zgjidhjeve sa më të përbashkëta e mbarëkombëtare” (Shkurtaj 2006: 17). Kohëve të fundit ndjehet një zbehje ku e ku në të gjitha mediat, përfshirë edhe qendrat televizive, apo më mirë të themi një mospërfillje e dukshme dhe papërgjegjësi institucionale.
Po të ndalemi dhe t’i shikojmë filmat e xhiruar të viteve të shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta në Kosovë, gjuha shqipe e folur dhe ajo e shkruar dallon dukshëm nga e sotmja edhe pse ditëve të sotme do të duhej të bënim përparim në këtë drejtim dhe të shkonim drejt respektimit të nivelit më të lartë të standardit të gjuhës shqipe dhe të pasurimit të mundshëm të tij. “Zhvillimi dhe pasurimi i shqipes sot duhet të jetë shqetësim i vërtetë i gjithë shqiptarëve, shqetësim që duhet të nxiste energjitë dhe përpjekjet e të gjithë bartësve të saj, institucionalë e individualë, për ta bërë shqipen mjet të komunikimit sa më të lehtë, sa më të vyer e sa më të gjerë” (Islamaj 2008:70). Në një emision të televizionit “Al sat” (28. IV 2013) u tha: “Shqipja të mbrohet me ligj si maqedonishtja, të mos lejohet cenimi i standardit të saj”. Në pajtim me këtë, do të duhej të ndërmerret një iniciativë e përbashkët dhe të kërkohej një vendim i tillë, jo për rajone të ndara shqipfolëse, por për gjuhën shqipe të të gjitha trevave shqipfolëse pa dallim.
Përfundim
Përdorimi i drejtë i gjuhës është pjesë e rëndësishme, përbërëse e kulturës kombëtare shqiptare. Andaj është detyrë e secilit prej nesh ta përdorim në pajtim me rregullat e saj, ta respektojmë dhe mbrojmë nga ata që duan t’i rrënojnë themelet e vëna me dekada të tëra, pa e përjashtuar mundësinë e pasurimit me fjalë dhe shprehje të reja, qofshin ato edhe huazime, veçmas ato të teknikës së re, të cilat huazohen nga mbarë bota deri tek mundësia e krijimit ose përkthimit të tyre në gjuhën tonë.
Pёrmbledhje
Në dritën e faktit se çdo gjuhë duhet të flitet dhe të shkruhet sipas rregullave të kërkuara letrare, në ditët e sotme, kjo nuk mund të pranohet për qendrat televizive të Kosovës, sidomos programet në gjuhën shqipe, të cilat nuk janë në atë nivel në të cilin do të duhej të ishin. Në shumicën e programeve, shqipe është folur dhe shkruar në forma të ndryshme në dialekt e nëndialekt të Kosovës. Është e kuptueshme që në disa programe humoristike gjuha e folur popullore, është e zakonshme, por injoranca e shqiptarit standard në disa nga këto programe nuk do të kishte qenë e lejuar. Nuk mund të shihen gabime në shkrimet e ndryshme, si dhe në të folur, si mungesa e zanores shqiptare ‐ ë ‐ apo e përdorimit të saj të panevojshme, përdorimi i huazimeve angleze, të cilat lirisht mund të zëvendësohen me fjalë përkatëse shqipe.
Mosrespektimi i shkronjave kapitale, përkthimet me shumë gabime jo vetëm leksikore të filmave janë vetëm disa prej çështjeve shmangieve të standardit kombëtar që janë objekt i këtij studimi.
Fjalёt çelёs: gjuhë letrare, dialekt, standard, përkthim, film, media.
Abstract:
In spite of the fact that every language have to be spoken and written according to the literary rules required, Albanian of nowadays, especially in Kosovo’s TV centers, the programs in Albanian, is not in a level it has to be. In most of the programs, Albanian is spoken and written in different dialectical and sub dialectical forms of Kosovo. It is not respected in a level it has to from the responsible TV organizers and editors. It is understandable that in some humoristic programs, the folk spoken language is common but the ignorance of the standard Albanian in some of these programs wouldn’t have been allowed. There can be seen different mistakes in writings as well as in speaking, like the lack of the Albanian vowel – ë – or its unnecessary use, the use of English borrowings where they may be freely translated with respective
Albanian words, disrespect of capital letters, translations with a lot of mistakes of different films etc.
Key words: erary language, dialect, standards, translation, film, media.
Bibliografia:
AJETI, Idriz (1989), Çështje të gjuhës letrare.
ISLAMAJ, Shefkije (2008), Gjuha dhe identiteti, Botimet TOENA, Tiranë.
NDRECA, Mikel (1986), Fjalor fjalësh e shprehjesh të huaja, Prishtinë.
QOSJA, Rexhep (1983), Nocione të reja albanologjike, Prishtinë.
SHKURTAJ, Gjovalin (2006), Kultura e gjuhës, shulu, Tiranë.
X x x x (1974), Fjalor serbokroatisht shqip, Prishtinë.
/albshkenca.org/