TERMINOLOGJIA PROFESIONALE SI VEPRIMTARI NDËRDISIPLINORE DHE DETYRAT E ALB‐SHKENCËS
Emil LAFE, Nebi CAKA, Agron DURO, Musa RIZAJ
Universiteti i Tiranës & Universiteti i Prishtinës.
Shkup 2014
1. Në vitet pas themelimit të Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip, që njihet edhe si Shoqëria e Stambollit (1879), kur lëvrimi i gjuhës shqipe mori përmasa të panjohura më parë, gjuhët kombëtare të kontinentit tonë kishin krijuar, në vija të përgjithshme, sistemet terminologjike të fushave të ndryshme të dijes e të mjeshtërive. Mungesa e autonomisë kulturore, e shkollës kombëtare dhe prapambetja ekonomike e kishin lënë mjaft prapa gjuhën shqipe në këtë drejtim. Pa hyrë në historikun e zhvillimit të
terminologjisë1, le të përmendim se rregullimi i terminologjisë shqipe si veprimtari shkencore e organizuar nis në vitet ’50 të shekullit të kaluar me ngritjen e sektorit të terminologjisë në Institutin e Shkencave (1955). Puna e këtij sektori dhe e bashkëpunëtorëve, e materializuar në një varg fjalorësh të
serisë “Terminologjia tekniko‐shkencore”, një pjesë e mirë e të cilëve fatmirësisht u ribotuan në Kosovë (1969), qe një përvojë e mirë dhe një nxitje për hartimin e fjalorëve terminologjikë edhe jashtë atij sektori.
Terminologjia e rregulluar dhe e standardizuar është element dhe tipar thelbësor i një gjuhe standarde. Dobinë dhe rolin e fjalorëve terminologjikë të gjuhës shqipe (1) e karakterizon më së miri ky vlerësim i albanologut Armin Hetzer, që ka ndjekur nga afër procesin e njësimit e të kodifikimit të shqipes standarde: “Vetëm nëpërmjet këtyre botimeve gjuha e shkruar shqipe fitoi nivelin e një gjuhe kulture plotësisht të zhvilluar me të cilën mund të shpreheshin të gjitha denotatet e shoqërisë moderne industriale në mënyrë të standardizuar … Mund të thuhet se shqiptarët me këtë fond dhe këto vepra
kanë arritur një gjendje që, për nga pikëpamja leksikografike, i bën ata të maten me popujt fqinjë”. (Hetzer 2009: 36).
2. Rëndësia e veprimtarisë shkencore të organizuar në fushën e terminologjisë është theksuar edhe një herë në konferencën shkencore “Gjendja dhe zhvillimi i terminologjisë shqipe – probleme dhe detyra”
(Tiranë, 19 qershor 2009), veçanërisht në referatin e mbajtur nga prof. Hëna Pasho e prof. Agron Duro. Shembujt e punës nga vende e gjuhë të tjera, që sollën në referatin e tyre në këtë konferencë prof. Nebi Caka e akad. Latif Susuri e bëjnë edhe më bindëse rëndësinë e punës sistematike e të organizuar në shkallë kombëtare për terminologjinë e gjuhës shqipe. Rregullimi i terminologjisë është një çështje e ditës për shumë gjuhë, pasi terminologjia duhet të pasqyrojë gjuhësisht edhe zhvillimin e sistemeve konceptore të shkencave dhe përparimin e teknikës. “Normëzimi dhe standardizimi i terminologjisë paraqet një sfidë për çdo komb, i cili ka për synim afirmimin e vet kulturor dhe ekonomik” (Caka & Susuri 2009: 544) – shprehen N. Caka e L. Susuri në referatin e tyre të sipërpërmendur. Në rastin e gjuhës shqipe normëzimi dhe standardizimi i terminologjisë i shërben njësisë dhe homogjenitetit të kulturës kombëtare shqiptare. Terminologjia e standardizuar sjell lehtësi në qarkullimin e dijeve shkencore, veçanërisht në sistemin arsimor në gjuhën shqipe në të gjitha shkallët në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni e më gjerë. Dua të përmend me këtë rast se njësimi i terminologjisë shkollore është trajtuar edhe në veprimtaritë e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare.
Për arsye të njohura ka jo pak dallime në terminologji ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës e trojeve të tjera shqiptare në ish‐Jugosllavi. Për dallimet në emërtesat teknike ka tërhequr vëmendjen me kohë kolegu Nebi Caka, i cili ka propozuar edhe që të hartohet një lloj fjalori praktik të këtyre dallimeve, p.sh. serbator në Shqipëri – rezervuar në Kosovë etj. Por kjo gjendje vihet re edhe në fusha të tjera. Në kumtesën e paraqitur në konferencën e terminologjisë të vitit 2009 nga akad. Esat Stavileci (jurist) gjejmë edhe këtë pohim: “Kam krahasuar praktikat në Shqipëri e në Kosovë në fushën e terminologjisë administrative dhe kam vënë re një shkallë relativisht të lartë të mosnjësimit… Shkalla e mosnjësimit ndonjëherë arrin kuotën e moskuptimit dhe nevojën e sqarimit term për term për të kuptuar thelbin e problemit, edhe pse përdoret një gjuhë e një fjalor.” (Stavileci 2009: 81). Ajo që ka vërejtur E. Stavileci se “terminologjia administrative në Shqipëri një kohë të gjatë ka qenë e ndikuar prej gjuhëve të huaja, ndërsa në Kosovë ka qenë e ndikuar kryesisht nga serbokroatishtja” (Stavileci 2009: 81) vlen edhe
për terminologjitë e fushave të tjera.
Nga këto shihet se krahas punës që duhet bërë për rregullimin e terminologjisë shqipe, si të thuash, “në vetvete e për vetveten”, duhet punuar edhe për njësimin e saj, d.m.th. për mënjanimin, sa të jetë e mundshme më shumë, të dallimeve Shqipëri – Kosovë e më gjerë. Mendojmë se çështja nuk është e thjeshtë për t’u zgjidhur në kuptimin që terminologjia e përdorur në Shqipëri, si shtet që ka hyrë në shekullin e dytë të jetës, është kurdoherë më e drejta, më e përshtatshmja, prandaj njësimi të bëhet në bazë të saj. Këtu duhet shqyrtuar me kujdes çdo rast, duke marrë parasysh parimet e terminologjisë, kërkesat për ndërtimin dhe përzgjedhjen e termave, shkallën e ngulitjes së termit në përdorim etj. Natyrisht kjo nuk është një detyrë që mbetet brenda gjuhësisë. Terminologjia është veprimtari ndërdisiplinore, ku gjuhësia është njëra palë e përhershme, ndërsa pala tjetër është fusha përkatëse e dijes a e veprimtarisë, d.m.th. sistemi i koncepteve të asaj fushe me nënsistemet e tij. Pikërisht specialistët e fushës janë ata që krijojnë të parët terminologjinë fushës së vet, e cila më pas u nënshtrohet rregullimeve të herëpashershme edhe me bashkëpunimin e gjuhëtarëve.
3. Ashtu si dhe për gjuhë të tjera, problemet kryesore të zhvillimit të gjuhës shqipe në ditët tona i përkasin rrafshit të leksikut dhe të terminologjisë në veçanti. Sprovat dhe ndihmesat e specialistëve nga fusha të ndryshme kanë nevojë për një shoshitje gjuhësore, në mënyrë që fjalët e përshtatshme të standardizohen e më pas të bëhen normë. Në seancën e dytë do të dëgjojmë dy kumtesa për risitë dhe problemet në terminologjinë e vreshtarisë dhe të verëtarisë. Vetë fjalët verëtar e verëtari janë neologjizma të qëlluar të prof. Andrea Shundit, që pasurojnë gjuhën shqipe dhe zëvendësojnë fjalët e huaja enolog, enologji dhe vinikultor, vitikulturë, ashtu siç janë zëvendësuar më parë vitikultor e vitikulturë me vreshtar e vreshtari, të cilat tashmë kanë zënë vend në fjalorët e shqipes. Në botimet e prof. A. Shundit me bashkëpunëtorë të tij gjejmë edhe një varg fjalësh‐terma të ndërtuara nga brumi i shqipes, si p.sh.: erëmim, flokëzim, flluskim, kësulëz (e shishes së verës), lastarizon, lastarizim, lisnim, lisnohet (vera merr amësimin e drurit të lisit nga voza), lisnim, mbushtore (vendi ku mbushen shishet me verë), moshim dhe pjekurim (i verës), motësim (stazhionim), ngjërues (degustator), ngjërim (degustim), pezulli (suspension), përshenjje, pjerrëtoj, pjerrëtim, puçërror, qimezon, qimezim, rienësoj, rienësim,
rruazon, rruazim, sythor, shihedhje, shishezim, (lëndë) shkojëzore, tapanxjerrëse, ujëdashës, urëzon, vreshtoj, vreshtim, zhgazohet, zhgazim etj.
Njohja e leksikut të fushave të caktuara semantike dhe e përpjekjeve të specialistëve për ta pasuruar atë duke u mbështetur kryesisht mbi brumin e shqipes, do të shërbejë për hartimin e një fjalori të ardhshëm të gjuhës shqipe (që të ketë të paktën dyfishin e fjalëve të FGjSSh) dhe për mënjanimin e fjalëve të huaja të panevojshme nga përdorimi. Në seancën e dytë do të dëgjojmë edhe një kumtesë problemore, që ka të
bëjë me terminologjinë e qarkullimit rrugor, e cila po merr përhapje gjithnjë e më të gjerë dhe shumë terma kalojnë kështu në leksikun e përgjithshëm, ashtu siç ka ndodhur edhe në gjuhë të tjera. Autorja (Irda Dervishi) ka shqyrtuar disa dokumente ligjore të Shqipërisë e të Kosovës dhe ka vërejtur një varg dallimesh. Po përmend, – duke ua lënë komentet autoreve të kumtesave, – disa shembuj (termi i parë i Shqipërisë, i dyti i Kosovës): distributor – pompë, karrexhatë – shirit rrugor, korsi – shirit i komunikacionit, korsi emergjence – shirit i komunikacionit për ndalje emergjente, shpejtim – nxitim, leje drejtimi – patentë shoferi, leje qarkullimi – leje komunikacioni, drejtues i mjetit – ngasës, ndenjëse – ulëse, pistë – shteg, qarkullim – komunikacion, (rrugë) interurbane – regjionale, kryesore – magjistrale, semafor – shenjë ndriçuese, sens ‐ kah etj. S’ka dyshim se një gjendje e tillë nuk mund të jetë e pranueshme. Megjithëse Shqipëria e Kosova janë dy shtete më vete, jo vetëm terminologjia, por edhe ndërtimi e përmbajtja e kodit të qarkullimit rrugor mund të ishte e njëjtë.
4. Pas parashtrimit të mësipërm, le të vështrojmë për së afërmi cilat do të ishin detyrat e Alb‐Shkencës si institucion dhe të anëtarëve të saj në fushën e terminologjisë. Nisur nga fakti se ideja e prof. Musa Rizajt për një konference të posaçme për terminologjinë në Takimin e sivjetshëm u mirëprit dhe u vlerësua,
mendojmë se detyra jonë e parë është që ta bëjmë të përvitshme këtë konferencë. Me këtë terminologjia do të mbetet çështje e përhershme në programin e takimeve tona vjetore, pavarësisht nga tema bosht e takimit. Kemi bindje se problemet e terminologjisë janë të tilla që e ushqejnë një konferencë të përvitshme si kjo. Për ta mbuluar organizativisht këtë nismë propozojmë ngritjen e një këshilli për terminologjinë në Alb‐Shkenca, ku të përfaqësohen me nga një anëtar (si person ndërlidhës) secili nga nëntë seksionet dhe veç këtyre të ketë 4‐5 anëtarë, që do të jenë pjesa operative e këshillit. Personat ndërlidhës do të mbledhin në seksionet e tyre çështjet terminologjike që kërkohet të shtrohen për diskutim në konferencën e ardhshme; këshilli do të ndërtojë programin e punës, do të caktojë përparësitë duke pasur parasysh edhe mundësitë konkrete, si dhe do të organizojë bashkëpunimin ndërmjet specialistëve e gjuhëtarëve.
Duke kaluar më tej, mendojmë se në fushën e terminologjisë Alb‐Shkenca do të bëjë atë që mund të bëjë si një institucion vullnetar dhe pa buxhet nga shteti. Për këtë arsye gjykojmë se Alb‐Shkenca nuk i ka mundësitë për të hartuar fjalorë të plotë terminologjikë shumëgjuhësh pa ose me shpjegime dhe të luajë rolin e një institucioni për normëzimin e terminologjisë. Normëzim në terminologji do të thotë që një sistem termash të fushe të dhënë të marrë miratimin e një institucioni me autoritet shkencor e ligjor,
pra të zyrtarizohet, të bëhet normë (Caka &Susuri 2009: 43‐44). Le të shpresojmë ndërkaq që veprimtaria për terminologjinë në një të ardhme të afërt do të mbulohet më mirë nga institucionet e specializuara shtetërore. Në këto rrethana Alb‐Shkenca mund të japë ndihmesë në dy drejtime kryesore:
së pari, në trajtimin e çështjeve teorike e praktike të terminologjisë shqipe si degë e veçantë e gjuhësisë dhe si veprimtari ndërdisiplinore; së dyti, në diskutimin e çështjeve konkrete që kanë të bëjnë me standardizimin e terminologjisë për fusha të veçanta, duke shpallur disa këshillime a rekomandime të arsyetuara. Anëtarët e Alb‐Shkencës në universitete, në institute kërkimore e në detyra të tjera mund të ndikojnë që këto rekomandime të merren parasysh, ose të nxitin diskutime për zgjidhje më të
përshtatshme. Në këtë mënyrë Alb‐Shkenca do të ndihmojë për gjallërimin e diskutimeve rreth terminologjisë dhe për të tërhequr në veprimtarinë terminologjike më shumë studiues të rinj nga gjuhësia dhe nga fusha të tjera. Kjo veprimtari do të synojë:
a) në njësimin hap pas hapi të terminologjisë që përdoret në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, veçanërisht në sistemin arsimor të të gjitha shkallëve; po ashtu edhe në njësimin e emërtesave teknike dhe të produkteve industriale;
b) në zëvendësimin e termave të huaj që janë në përdorim, me terma shqip të përshtatshëm;
c) në përmirësimin e standardizimit dhe mënjanimin e termave sinonimë, duke rekomanduar për përdorim njërin prej tyre;
ç) në gjetjen e zgjidhjeve sa më të përshtatshme për terma të rinj që mund të hyjnë në përdorim, duke ndjekur parimin e mjekësisë se është më lehtë të parandalosh sesa të shërosh;
d) në përputhjen e praktikës sonë terminologjike me përcaktimet terminologjike ndërkombëtare (në rastet kur vërehen mospërputhje).
Veprimtaria e Alb‐Shkencës në fushën e terminologjisë duhet të shtrihet gjatë gjithë vitit me diskutime në grupe pune si edhe në diskutime të hapura në forumin tonë përmes internetit. Pjesëmarrja e specialistëve jashtë Alb‐Shkencës do të jetë gjithnjë e mirëpritur. Të mbajmë parasysh se në fund të
diskutimeve duhet të arrijmë në disa këshillime të arsyetuara për gjithë të interesuarit. Gjatë periudhës deri në takimin e ardhshëm të shtrohen për diskutim më të gjerë çështjet e trajtuara në kumtesat e kësaj konference, krahas çështjeve të tjera që mund të propozohen. Njohja dhe zotërimi i terminologjisë në kohën tonë është kusht i domosdoshëm për çdo veprimtari. Pa u ulur ende në bankat e shkollës, fëmijët njohin me dhjetëra terma e emërtime teknike. Jemi të rrethuar ngado nga një mori aparatesh e objektesh dhe në marrëdhëniet me administratën e shtetit e me shoqërinë na duhet të kryejmë veprime e të nxjerrim dokumente, që kanë të gjitha emërtimet e tyre të posaçme. Prandaj terminologjia duhet të
jetë e përpunuar dhe e standardizuar. Leksiku terminologjik, d.m.th. fjalëtterma dhe fjalët me kuptime terminologjike, po marrin një peshë gjithnjë e më të madhe në fjalorin e çdo gjuhe. Edhe për gjuhën shqipe një terminologji e standardizuar dhe e njësuar me kritere shkencore është parakusht për një
fjalor shpjegues modern, që të përfshijë pasurinë leksikore themelore të mbarë shqipes. Puna jonë krahas standardizimit të terminologjisë, do t’i shërbejë edhe hartimit të një fjalori të rri shpjegues të gjuhës shqipe me një strukturë terminologjike të krahasueshme me fjalorët e sotshëm të gjuhëve të tjera.
Puna e gjuhëtarit në fushën e terminologjisë kërkon disa njohuri dhe shprehi të posaçme. Njohuritë që jepen në universitet për terminologjinë në kuadrin e lëndës së leksikologjisë janë mjaft të përgjithshme. Për të nxitur gjuhëtarët e rinj që të punojnë në këtë fushë me dobi të drejtpërdrejtë për praktikën gjuhësore dhe për shqipen standarde, do të ishte e dobishme të përfshihej në studimet për gradën master në Tiranë, në Prishtinë e në Tetovë, si një nga lëndët edhe “Terminologjia shqipe”, me një program të
përshtatshëm teorik e praktik. Kjo do të krijonte mundësi të jepeshin edhe më shumë tema doktorate nga fusha e terminologjisë, të cilat do të sillnin përparime në zgjidhjen e mjaft çështjeve konkrete. Bibliografia e pasur e studimeve teorike dhe përvoja e hartimit të fjalorëve terminologjikë (ose
terminografia) lejojnë të ndërtohet një kurs i tillë, që besoj se do të mirëpritej nga universitetet dhe do të tërhiqte një numër të mjaftueshëm studentësh. Le ta diskutojmë edhe këtë çështje në konferencën tonë dhe të përgatitemi për realizimin e saj.
Ditët e fundit kryeministri Edi Rama, është shprehur se qeveria e tij do të kujdeset posaçërisht për atë që mund ta quajmë disiplina gjuhësore e shtetit. Përveç zbatimit të rregullave të njohura të drejtshkrimit e të drejtshqiptimit, të gramatikës dhe të pikësimit, disiplina gjuhësore ka të bëjë, natyrisht, edhe me përdorimin e terminologjisë së standardizuar. Ne e përshëndesim këtë zotim të qeverisë së re dhe e vlerësojmë si hap të duhur për arritjen e standardeve evropiane të administratës shtetërore. Ky hap
meriton përkrahje të njëzëshme nga opinioni shoqëror. Instituti Alb‐Shkenca shpreh me këtë rast gatishmërinë e tij për një bashkëpunim të qëndrueshëm, sistematik e të cilësuar me administratën dhe institucionet e shtetit në fushën e këtij programi gjuhësor, duke e parë këtë si pjesë të bashkëpunimit të
përgjithshëm e të ndihmesës së Alb‐Shkencës për zhvillimin e kulturës e të shkencës shqiptare me bindjen e plotë se drita e diturisë përpara do të na shpjerë, drejt hyrjes sonë në Bashkimin Evropian si të barabartë ndërmjet të barabartëve.
Abstrakt
Terminologjia e rregulluar dhe e standardizuar është element dhe tipar thelbësor i një gjuhe standarde. Për rëndësinë e veprimtarisë shkencore të në fushën e terminologjisë është shkruar shumë, për këtë çështje janë mbajtur edhe konferenca të ndryshme shkencore. Mund të thuhet se shqiptarët me këtë fond dhe këto vepra kanë arritur një gjendje që, për nga pikëpamja leksikografike, i bën ata të maten me popujt fqinjë. Përveç për rregullimin e terminologjisë shqipe, duhet punuar edhe për njësimin e saj, d.m.th. për mënjanimin, sa të jetë e mundshme më shumë, të dallimeve Shqipëri – Kosovë e më gjerë. Andaj duhet të mbahen konferenca të posaçme për terminologjinë në Takimet e Alb‐shkencës. Me këtë terminologjia do të mbetet çështje e përhershme në programin e takimeve tona vjetore, pavarësisht nga tema bosht e takimit.
Fjalët kyçe: terminologji, gjuhë standarde, njësimi i terminologjisë, takime Albshkenca.
- Për këtë shih një varg monografish e artikujsh në pjesën “Bibliografi e terminologjisë” te vëllimi “Gjendja dhe zhvillimi i terminologjisë shqipe – Probleme dhe detyra (Konferencë shkencore).” Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Tiranë, 2009, f. 244-294.
/albshkenca.org/