Albspirit

Media/News/Publishing

Si e thyen mirditasit urdhrin e Ali Pashait. Ngjarja me kardhiqotët, ja si e përshkruan gjenerali francez

Në kohën e sundimit të Ibrahim Pashë Bushatit, sipas të dhënave që jep studiuesi Gjet Ndoj në librin e tij “Antologji historike”,  marrëdhëniet mes mirditorëve e familjes së Bushatllinjve për shtatë vjet me radhë u prishën. Shkak ishte vrasja e komandantit të një reparti mirditasish nga Ibrahim Pashë Bushati, në vitin 1806.

Gjatë kësaj periudhe 7 vjeçare, sundimtari tjetër i famshëm, ai i Janinës, Ali Pasha e shfrytëzoi këtë armiqësi të përkohshme, duke kërkuar ndihmë nga mirditasit dhe duke u lidhur me ta.

Ali Pasha kur mirditasit ishin në luftë për shtatë vjet me Ibrahim Pashën, kërkoi të lidhej me Mirditën duke synuar të shtinte në dorë gjithë Shqipërinë e Veriut nëpërmjet saj. Ai kërkoi të kishte pranë tij, një repart mirditasish, në ushtrinë e tij. Ndikimi i ndërsjelltë i dy sundimtarëve në Mirditë dhe i Mirditës tek ata, sollën për rrjedhojë fuqizimin e krahinës dhe forcimin e unitetit të saj. Ndërmjetësinë e parë të Mirditës me Ali Pashën, e bëri abati vendas i Mirditës, Gazulli, kur i dërgoi një numër njerëzish nën armë të drejtuar nga kushëriri i tij që kishte shërbyer në kishën e tij, Ndrekë Gazulli. Atë, Ali Pasha e bëri komandant dhe i dha titullin “Kapidan”.

Momenti i parë i mosmarrëveshjes së Aliut me repartin dhe komandantin e mirditasve, kapidan Ndrek Gazulli ka qenë kur nuk u zbatua urdhëri i pashait për të masakruar burrat e Kardhiqit.

“Qenë pikërisht këta mirditas që më 1812 bënë aq shumë emër, sepse tek Hani i Valaresë kundërshtuan urdhrin e Vezirit, Ali Pashë  Tepelenës, për të masakruar kardhiqotët e lidhur”.

Francezi Samson KLever, ish gjeneral i ishtrisë së pashait e përshkruan kështu këtë dëshmi:

“Aliu u ngarkoi mirditasve masakrën. U dëgjuan pëshpëritje në radhët e tyre. Aliu kujtoi se do ishte puna për shpërblimin dhe nuk ua vuri veshin.

Ndreka, komandant i mirditasve doli përpara dhe me zë të sigurtë tha:

‘Ali Pasha, urdhrat tuaja ne na fyejnë. Ne nuk jemi armatosur të luftojmë kundër njerëzve të çarmatosur e të mbyllur. Lërini të dalin kardhiqotët, jepu armët e tyre, të njoftohen për tu mbrojtur dhe ne do të dimë të luftojmë. Mirditasit…nuk janë për t’u shërbyer si xhelatë”.

Fama e Mirditës mori dhenë. Urdhrin e kobshëm e zbatoi Thanas Vaja. Pas këtij kundërshtimi Aliu i dha luftëtarëve mirditas dyfishin e pagës së të tjerëve dhe armë shumë më të mira e të  bukura se të tjerëve./A.Demiraj/

Please follow and like us: