Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Mborja: Gramoz Ruçi, Ilir Meta, feldmarshalli Paulus dhe fustanet e grave…

Beteja e Stalingradit midis forcave sulmuese gjermane dhe atyre sovjetike nga gushti i vitit 1942 deri më shkurt të vitit 1943, mbahet si një nga përleshjet më të përgjakshme të Luftës së Dytë Botërore. Adolf Hitleri, detyrën për të mposhtur Stalingradin, ia kishte ngarkuar gjeneralit Frederik Paulus. Kur Armata e gjashtë e Wehrmacht dhe Njësia e Katërt e Panzerave ndodhej e rrethuar dhe pa asnjë shpresë, Frederik Paulusi iu lut Hitlerit ta lejonte të bënte një përpjekje që të thyente rrethimin e të tërhiqej, por përgjigjja nga Fyhreri ishte e prerë: “Jo”. Madje, më 26 janar 1943, kur trupat që udhëhiqte ai morën goditjen përfundimtare dhe nga 330 000 u katandisën në 91 000, Hitleri, për t’i dhënë zemër, e gradoi Paulusin “Feld Marshall”. Tregojnë se, kur e njoftuan Stalinin për këtë, ai iu përgjigj qetë: “Ky është një lajm shumë i mirë. Hitleri po na jep mundësinë që të kapim rob edhe një feld marshall.” Vërtetë ashtu ndodhi. Nuk kaloi asnjë javë dhe më 2 shkurt, në bilancin e Ushtrisë Kuqe, bashkë me 91 000 ushtarë, 22 gjeneralë, u regjistrua rob edhe një feld marshall. Ishte Frederik Paulusi…

***

Në fakt, kjo histori mu kujtua më 28 prill, ditën që 87 deputetët votuan Ilir Metën për President të Shqipërisë. Menjëherë, nën titullin “Padrejtësia vret më shumë se varfëria” shtjelloja me shkrim bindjen se “Hesapet që shpërfillin moralin, kudo mund të çojnë, por asnjëherë nuk janë rruga e sigurtë drejt një reforme për Drejtësi”, prandaj nuk më dukej e udhës që “për ta nxjerrë nga Çadra, duhej votuar për President ai që pamë nga video-përgjimi i Dritan Priftit në janar të 2011-s”.

Pastaj, inatin tim ia adresova Gramoz Ruçit, i cili më 27 prill, mu duk se bënte kinse si i nervozuar kur “kërcënonte” Ilir Metën të bëhej President.

Nuk kaluan shumë ditë dhe në fushatën për 25 qershorin, Presidenti i zgjedhur Ilir Meta, duke përdorur arsenalin e shpifjeve të mikut të tij Sali Berisha, iu lëshua Gramoz Ruçit. Na kujtoi “fustanin” që “paskësh veshur” për të kaluar Kakavijën më ’97-n Gramozi?! (Sa mirë ia bëri!) Por ngazëllimi im për këtë “shpërblim” që Ilir Meta i bëri labit, që vetëm për frikacak nuk mund të akuzohet, nuk zgjati shumë. Pas pak ditësh Ilir Meta i veshi LSI-së fustanin e së shoqes dhe na la Shqipërinë pa “zonjë të parë”…

Duket se Meta e kishte të qartë skenarin e asaj që po ndodhte qysh atë ditë kur e “kërcënuan” të bëhej President. Patjetër që e kuptoi se donin ta ndanin nga Berisha. Nuk jam i sigurtë, nëse që më 27 prill ai kuptoi gjithashtu se, ata që e propozuan në atë post, me një gur vrisnin dy zogj:

E para, e nxirrnin nga Çadra dhe e dyta, duke e bërë President, e frynin artificialisht për ta bërë “peshk të madh” në “tavën” e Drejtësisë, siç është kushti në “menunë” e BE. Patjetër që qëllimin e parë e kuptoi, por s’kishte ç’bënte dhe e pranoi ofertën që iu bë nga Gramoz Ruçi. Buza nuk i qeshi kurrë dhe prandaj, sapo u votua si President, flaku tej parrullën presidenciale “me dashuri e qetësi” dhe u soll si një kryetar partie i marrë…

Tani radhën, për të mos ia dhënë kënaqësinë Byrosë Kombëtare të Hetimit që të arrestojnë një President, e ka përsëri Ilir Meta. Vetëm ai e ka në dorë këtë mundësi. Po të jetë i mençur, e shmang këtë duke mos u paraqitur në seancën e betimit në 24 korrik. Arsyen e ka të fortë: Një burrë nuk mund të betohet kurrë para një burri “që ka veshur fustan”. Sot, këshilla ime mund t’i duket e hidhur Ilir Metës, por unë jam i bindur se, kur ta ketë me bollëk kohën për të medituar, do të më mirëkuptojë patjetër dhe do të më jetë mirënjohës që ia kujtova historinë njëjavore të feldmarshallit Paulus dhe “fustanin” e Gramoz Ruçit…

Please follow and like us: