Albspirit

Media/News/Publishing

Rektori: Buda është dembel, s’mban premtimet, Pollo priret pas interesit personal

Dashnor KALOÇI

Publikohen për herë të parë, dokumentet me “karakteristikat” e dy profesorëve Aleks Buda dhe Stefanaq Pollo, të përpiluara në vitin 1960.
Pinjoll i një prej familjeve më të njohura dhe aristokrate të Elbasanit, biri i një farmacisti (Taq Buda), që ishte diplomuar në shkollat e Evropës që në vitet e para të shekullit të kaluar dhe financues i “Normales” së Elbasanit, falë edhe një pasurie të madhe që ata kishin, edhe vetë ai nga 1920-ta deri në 1938-ën, për plot 18 vjet me radhë studioi dhe u diplomua në kolegjet e universitetet më të njohura të Austrisë, duke qenë kështu ndër të rrallët bashkëkombës të tij që kishte pasur këtë mundësi shkollimi. Po kështu, gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, duke tradhtuar hapur “klasën” së cilës i përkiste, ai fillimisht punoi e luftoi si ilegal në Tiranë dhe Elbasan, gjë e cila bëri që të zgjidhej deri në funksionin e lartë të nënkryetarit të Këshillit Nacional Çlirimtar të Qarkut të Elbasanit dhe pranë Qeverisë Provizore të Beratit, e kryesuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha. Dhe pas mbarimit të Luftës, në vitet që pasuan, ushtroi një sërë detyrash; që nga shef seksioni në Ministrinë e Arsimit, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare, Drejtor i Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë etj., për të arritur në vitin 1972 në postin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Funksion të cilin e mbajti deri në fund të jetës, pasi u zgjodh me votat unanime nga të gjithë kolegët e tij, sepse prej vitesh ishte dhe konsiderohej si një nga kapacitetet intelektuale më të shquara që kishte Shqipëria dhe në fushën e tij, shkencëtar i përmasave evropiane. Gjë e cila bënte të nderohej e respektohej kudo nga kolegët e tij edhe jashtë vendit. Por edhe pse kishte arritur gjithë këto “maja” nga më të lakmueshmet të tempullit të dijes, për “shokët e partisë” dhe aparatçikët e institucioneve të ndryshme, ai ishte një njeri që “nuk dinte të organizonte, që premtonte shumë dhe s’mbante premtimet, dhe gjithashtu ca dembel”. Kështu konsiderohej profesori e akademiku i famshëm Aleks Buda, prej atyre që kishin në dorë “fatin e jetës” së tij, por kishte edhe më keq. Sepse dy nipat e tij, Niko dhe Pirro Dodëbiba (ministër Bujqësie në vitet ’70), provuan burgjet dhe internimet. Apo vëllai i gruas, kineasti i njohur si themelues i regjisurës së filmit shqiptar, Viktor Stratobërdha, që do të vuante për vite me radhë në burgjet politike të regjimit komunist.
Po “të njëjtin fat” me profesor Budën, pak a shumë pati edhe kolegu e miku i tij i ngushtë, profesori i njohur Stefanaq Pollo, me origjinë nga një familje e pasur tregtare e Përmetit, biri i një emigranti dhe veprimtari atdhetar i shoqërisë “Vatra” (Themistokli Pollo), i cili në vitin 1920, iu përgjigj thirrjes “Atdheu në rrezik” të dhënë nga Qeveria e Lushnjës, për të ardhur në Shqipëri dhe për të luftuar me armë në dorë kundër atyre që nuk donin krijimin e shtetit shqiptar. Edhe vetë Stefanaqi, pasi kishte studiuar në Liceun Francez të Korçës, ndoqi rrugën e të atit, duke u angazhuar që në fillimet e Lëvizjes Antifashiste në qytetin që njihej ndryshe dhe si “Parisi i vogël”, për të dalë më pas në mal me armë në dorë në formacionet partizane, ku u ngarkua me një sërë detyrash me Rininë Antifashiste dhe Shtypin e Propagandën. Menjëherë pas mbarimit të Luftës, dërgohet me studime në Moskë, dhe pas diplomimit në vitin 1950, kthehet në Shqipëri për të ushtruar një sërë detyrash të larta në “lëmin e dijes”, si nënkryetar i Institutit të Shkencave dhe më pas Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë. Por edhe pse me këtë të kaluar që do ia kishte zili çdo koleg, si dhe “me një kalë shkollë” dhe një “barrë libra të shkruar”, përsëri “shokët e partisë” nuk ishin të kënaqur nga puna e tij. Dhe e shkarkuan nga detyra, pasi “nuk e bënte me dëshirë dhe qejf punën e dekanit, se prirej pas interesit personal”, pa harruar kryesoren, se “kishte pasur dhe një kushëri të dënuar me 20 vjet burg si armik i pushtetit popullor”. Të gjitha këto, si për profesor Pollon, ashtu edhe për profesor Budën, bëhen të ditura nga karakteristikat përkatëse të tyre të vitit 1960, dhe publikohen për herë të parë në faqet e këtij libri. Dhe, ashtu siç dihet tashmë, këto karakteristika ishin dokumente nga më të rëndësishmet të kuadrove dhe intelektualëve gjatë regjimit komunist, që i shoqëronin ato kudo ku shkonin “si hije të zeza”, dhe në më të shumtën e rasteve u rrinin mbi krye si “shpata e Damokleut”, për t’u “prerë kokën”, kur donte dhe vendoste partia. Ashtu siç ndodhi me qindra e qindra intelektualë e kuadro gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist. (Të dyja karakteristikat publikohen të plota dhe pa asnjë ndryshim apo shkurtim).

ALEKS TAQ BUDA
Datëlindja 7.IX.1911
Vëndlindja Elbasan
Vëndbanimi Tiranë,
Rruga “Fortuzi”
Profesioni Historian
Origjina shoqërore
Tregtar i madh
Gjëndja organizative
pa parti
KARAKTERISTIKE
Rrjedh nga një familje me origjinë tregtar i madh. I jati i tij përveçse një farmaci, ka pas 20 pendë qe, tokë edhe 500 rrënjë ullinj në Elbasan, të cilat iu shtetëzuan nga reformat e pushtetit popullor.
Qëndrimi politik i familjes dhe i vetë sh. Aleks ka qenë dhe është i mirë. Në shtëpinë e tij janë strehuar shokë të Luftës. Eshte arrestuar nga fashistët italjanë si pjesëmarrës në demonstratë.
Që në vitin 1942 ka bërë pjesë në Këshillin Nac-Çlirimtar provizor në qytetin e Tiranës dhe në Elbasan, deri në gusht të vitit 1944, datë në të cilën del në ilegalitet dhe punon në terren. Në këtë kohë zgjidhet si N / Kryetar i Këshillit Nac-Çlirimtar i Qarkut t’ Elbasanit. Prej tetorit 1944 thirret për të punuar pranë Qeverisë Provizore në Berat.
Vëllai i tij, Sofokliu ka qenë partizan, po kështu dhe dy nipat, Pirro dhe Niko Dodëbiba, si dhe i vëllai i gruas, Viktor Stratobërdha.
Nuk ka pasur dhe as nuk ka njeri nga farefisi të dënuar ose në rradhët e armikut.
Prej vitit 1920 deri më 1938 ka qenë në Austri, ku ka kryer arsimin fillor, të mesëm dhe arsimin e lartë në fakultetin e Filozofisë (Histori e Letërsi).
Pas mbarimit të studimeve, emërohe si profesor pranë shkollave të mesme, në Tiranë, Korçë dhe Elbasan. Mbas çlirimit si shef seksjoni pranë Ministrisë së Arsimit, në 1945-46, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare, prej 1946 deri në 1957, pranë Institutit të Shkencave dhe tani në Universitet si Profesor, Kandidat i Shkencave.
Pranë Institutit të Shkencave ka qenë anëtar Presidiumi, anëtarë i Institutit dhe Drejtor i Instituti Histori Gjuhësi. Nga funksionet e drejtorit dhe anëtarit të presidiumit, është shkarkuar për mungesë organizmi në punë edhe se nuk ka realizua planet e punës shkencore.
Në vitin 1952, kryesia e Institutit i ka bërë një vërejtje me shënim në biografi, për neglizhencë të tepruar dhe indisiplinë në punë.
Sh. Aleks ka një të metë të madhe se premton shumë por nuk i mban dot premtimet, e ka vështirë të shkruaj se është dhe ca dembel.
Megjithatë sh. Aleks ka cilësira të mira, është punonjës me përgatitje të mirë shkencore, punën e nxjerr me kualitet mjaft të mirë, jep mendime të çmueshme në zgjidhjen e problemeve.
Ndjek me kujdes zhvillimin e shkencës sovjetike dhe përpiqet që të fitojë sa më shumë nga eksperienca e saj.
Mban urdhërin e Punës të kl. të III-të.
P. KOMITETIN E PARTISE TE UNIVERS.

Rektori: Deko Rusi. Sekretari: Zija Këlliçi

—————————

STEFAN THEMISTOKLI POLLO
Datëlindja 25.1.1923
Vëndlindja Përmet
Vëndbanimi Lagjia “Partizani”, Rruga “Naim Frashëri”, Nr. 30
Tiranë
Profesioni Historian
Gjëndja shoqërore Tregtar i pasur
Gjëndja organizative A.P. Tetor 1943

KARAKTERISTIKE
Rrjedh nga një familje tregtar i pasur, i jati i tij para okupimit të vëndit nga fashizmi italajan, gjatë okupasonit e deri në vitin 1943 ka vazhduar tregëtinë (një dyqan në Përmet dhe një në Këlcyrë). Në vitin 1943, fashistët i dogjën dyqanin e shtëpisë dhe kështu babaj nuk është marrë me tregëti. Kushëriri i tij, Vangjel Pollo është dënuar nga gjyqi i Gjirokastrës me 20 vjet burg për arsye politike.
Shoku Stefan arsimin e mesëm e ka marrë në Liceun e Korçës, kështu qysh atje (Korçë), ka filluar aktivitetin antifashist. Në vitin 1942 ka hyrë në rradhët e Rinisë Komuniste dhe në majin e 1943 doli në mal (partizan), bashkë me shokët e klasës, ka punuar në terren (fusha e Korçës) me njësitet agitatore të rinisë, më vonë ka kaluar në terrenin e Kolonjës.
Shoku Stefan mbas Kongresit të Përmetit ka punuar në Qarkorin e Rinisë Komuniste të Korçës. Ka qenë delegate në Kongresin e I-rë të Rinisë dhe atje është zgjedhur në Këshillin e Përgjithshëm të B.R.A.SH.-it, njëkohësisht atje (Kongres), është dëguar përgjegjës i agjit-propit në Divizionin e II-të Sulmues.
Nga Tetori 1944 e deri në Tetor 1945 ka punuar në sektorin e BRASH-it si redaktor i gazetës “Kushtrimi i Lirisë”, dhe më vonë si redaktor i gazetës “Bashkimi”.
Për qëndrimin e tij të mirë dhe si një shok me perspektivë, në tetorin e vitit 1945 dërgohet nga Qeverija jonë për të kryer studimet e larta në Bashkimin Sovjetik. Atje për pesë vjet rresht vazhdoi studimet në Universitetin e Moskës dhe në vitin 1950 u dipllomua.
Shoku Stefan si kreu studimet e larta, emërohe pedagog i Historisë i Institutit të Lartë Pedagogjik, duke qëndruar si i tillë deri në nëndorin e vitit 1951. Nga nëndori i atij viti (1951) e deri me krijimin e Universitetit, ka punuar në Institutin e Shkencave si N/Kryetar (dhe punonjës shkencor në fushën e Historisë), kurse me krijimin e Universitetit, u emërua Dekan i Fakultetit Histori-Filologji, detyrë të cilën e kreu deri në nëndor 1958, në këtë kohë duke u patur parasysh se shoku Stefan, ka qenë i ngarkuar me shumë punë, nuk ka ndjekur problemet e fakultetit, si ato në anën mësimore ashtu dhe ato në anën shkencore, por detyrën e dekanit nuk e bënte me shumë qejf.
Si rrjedhim i këtyre çështjeve, u shkarkua nga detyra e dekanit të fakultetit dhe mbeti përgjegjës sektori.
Ka punuar mirë së basku me shokët e tjerë lidhur me përgatitjen e vëllimit të parë të Historisë së Shqipërisë, dhe tani po punon për përgatitjen e vëllimit të dytë. Shoku Stefan është i dhënë shumë mbas interesit personal.
Ay mban titullin docent dhe vazhdon aspiraturën. Eshte dekoruar me medaljen e Kujtimit dhe me urdhërin e punës së kl. të II-të.

P. KOMITETIN E PARTISE TE UNIVERS.

Rektori: Deko Rusi. Sekretari: Zija Këlliçi

 

Please follow and like us: