“Judas” i laureatit për çmimin Nobel, Amos Oz vjen në shqip
Romani “Judas”, i laureatit për çmimin Nobel, shkrimtarit të madh izraelit, Amos Oz vjen në shqip për të gjithë lexuesit shqiptarë. Në Jeruzalem u organizua të martën mbrëmja gala ku u prezantuan përkthimet e romanit të fundit “Judas”, të laureatit për çmimin Nobel, shkrimtarit të madh izraelit, Amos Oz. Në këtë event të rëndësishëm kulturor dhe letrar u prezantuan përkthimet në gjuhët shqip, rusisht, hollandisht, turqisht, italisht dhe kineze. Përkthyesja shqiptare Alina Karaulli informoi për punën voluminoze në përkthimin e këtij romani, i cili është romani i 4 që i prezantohet lexuesit shqiptar. Shkrimtari Amos Oz i dedikoi falenderime të veçanta lexuesit shqiptar dhe shprehu kënaqësinë që veprat e tij ndiqen me interes në Shqipëri. Në mbrëmjen gala morën pjesë personalitete të larta të letërsisë, kulturës dhe artit në Izrael, si dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik. Ishte e pranishme edhe zonja e parë e Izraelit. Amos Oz ka lindur në Jeruzalem në vitin 1939. Ai është një shkrimtar, novelist, gazetar dhe intelektual izraelit. Veprat e Oz janë botuar në 45 gjuhë, përfshirë arabisht, në 43 vende. Ai ka marrë shumë nderime dhe çmime, mes tyre Legjioni i Nderit të Francës, çmimi Goethe, çmimi i Princit të Asturias në letërsi, çmimi Heinrich Heine dhe çmimi i Izraelit. Në vitin 2007, një përzgjedhje nga përkthimi kinez i A Tale of Love and Darkness ishte puna e parë e letërsisë moderne hebraike që u shfaq në një libër mësimor kinez. Ai jeton në Tel Aviv, Izrael. Që nga viti 1967, Oz ka qenë një avokat i shquar i zgjidhjes së konfliktit izraelito-palestinez.