Qerim Vrioni: Kur nderohet tjetri
Titulli i mësipërm i shkrimit në leximin fillestar nuk duket shumë i ftilluar.
Kjo, sepse përgjithësisht, tjetri duhet nderuar e respektuar, ngaqë po i kreve këto veprime për vetën e parë, njëjës (përveç që nuk është e vështirë) kalojnë në individualizëm dhe vetmburje, ose siç u thonë rëndomë “i bëjnë fresk vetes”. Me mbiemrin tjetri, në rreshtat që pasojnë, përgjithësohet banori i një qyteti tjetër, se bashkëqytetarët janë tanët, i yni etj. Më poshtë do jepen tri shembuj të thjeshtë në të cilat pasqyrohet nderimi dhe respekti i tri qyteteve për figura të shquara jo bashkëqytetare. Po i rendisim duke filluar nga më e hershmja në kohë deri te më e reja.
Nderim dhe respekt të veçantë ka treguar populli i qytetit të Beratit ndaj dy figurave të njohura atdhetare, Çerçiz Topulli dhe Muço Qulli në vitin 1936 (asnjeri nga ky qytet ose me lidhje farefisnore në të). Ishte koha kur arkëmortet me eshtrat e tyre po bënin udhëtimin e fundit nga Shkodra, ku u vranë nga shovinistët malazezë më 1915, drejtë Gjirokastrës dhe Leskovikut për t’u prehur në përjetësi. Kortezhi bëri një ndalesë në Berat, ku në Bashki u organizuan homazhe në nderim të këtyre dy patriotëve nga autoritetet dhe populli i qytetit, duke përfshirë edhe nxënësit e shkollave.
Veprimtaria, përbënte ngjarje për qytetin dhe tregonte frymën kombëtare të qytetarëve beratas, të cilët më pas, e përcollën kortezhin me kurora deri në të përpjetën e Drobonikut. Çastet e përcjelljes nga Bashkia e dy arkëmorteve, u përjetësuan në letrën fotografike nga fotokronikani i njohur i qytetit, Ilia Xhimitiku në një fotografi dokumentare e historike, por edhe me vlera simboli, me të cilat edhe mund të mburen beratasit.
Shembulli i dytë i përket nderimit të figurës së poetit të madh Gjergj Fishta nga qyteti i Vlorës. Kjo veprimtari u organizua atje nga seksioni i kulturës në Komitetin Pluralist të rrethit, në vjeshtën e vitit 1991 me nismën e z. Kristaq Suli. Ky, para pak muajsh, ishte caktuar nga Partia Demokratike, shef i këtij seksioni, më ndryshe “i ishte gjetur punës njeriu”, sepse z. Suli ish-mësues i dalluar gjimnazi, shquhej dhe njihej mirë në qytet për erudicionin e tij.
Mbledhja përkujtimore u zhvillua në Pallatin e Kulturës “Labëria” (Skelë). Të mos harrojmë se atëbotë ishte rrëzuar “Muri i Berlinit” dhe kënga e “Scorpions”-ave, “Era e ndryshimit” (The wind of change) dëgjohej e këndohej në të gjithë botën, veçanërisht në vendet e Europës Lindore dhe si të thuash, përbënte një himn për liritë dhe të drejtat e njeriut. Në Shqipëri, kënga “Liberta” (Liri) e kënduar nga Albano Carisi dhe Romina Power, kishte ndezur me shpresa të mëdha njerëzit në stadiumin e Tiranës. Gjithsesi, siç më shkruante kohë më parë edhe njëri nga të ftuarit dhe fjalëmbajtësit e veprimtarisë, z.Rudolf Marku, në vigjilje të takimit në Vlorë, nga të ftuarit pati një farë ndrojtje se “ishte në një qytet të Toskërisë, një qytet që mendohej të qe barikadë e komunizmit, një qytet që mendohej të ishte kundërshtar i Fishtës në çdo pikpamje. Në fakt ndodhi e kundërta. E mbaj mend emocionin e pritjes nga intelektualët e Vlorës-një pritje dashamirëse, e kulturuar, e mirëkuptuar”.
Ndoshta, sesioni përkujtimor nuk do ishte zhvilluar po të mos e miratonte Kryetari i Komitetit të Rrethit, z.Mezan Malaj, i zgjedhur në atë detyrë nga Partia Socialiste, që para pak muajsh kishte ndryshuar emrin e PPSH, e cila e kishte mohuar e përdhosur me egërsi dhe kryeneçësi për dekada të tëra figurën e Gjergj Fishtës. Ai, e miratoi pa hezitim e ndoshta edhe me kënaqësi idenë e nderimit të Poetit verior në qytetin jugor të Vlorës. Madje, z.Malaj ishte në rreshtin e parë të sallës që ishte mbushur përplot me qytetarë, shumica e të cilëve e ëndëronin prej kohësh këtë ceremoni.
Fillimisht, u ekzekutua Himni i Flamurit. Mandej z.Suli recitoi me ngrohtësi vargjet lapidare të Gjergj Fishtës:
Edhe hana do t’a dije,
Edhe dielli do t’ket pa,
Se per qark ksaj rrotullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ka!, vargje që ai i kishte mësuar qysh fëmijë në shkollën fillore, duke i dhënë veprimtarisë një solemnitet të veçantë. Më pas z.Suli foli përmbledhtas mbi vlerat e mëdha të poetit.
Gjatë mbledhjes përkujtimore u mbajten disa kumtesa me nivel të lartë nga studiues dhe poetë të njohur, si Kudret Velça, Qemal Haxhihasani, Fatos Arapi, Gjergj Zheji, Rudolf Marku, Perlat Xhiku etj, që u ndoqën me vëmendje të madhe nga të pranishmit. Ishte një nga gjërat me mbresëlënëse dhe të paharruara të vitit 1991 në fushën e veprimtarive kulturore të shënuar në qytetin e Vlorës.
Të kthehemi tek rradhët e para të shkrimit, nderimi i veprës së Poetit dhe vendosja e tij në piedestalin e munguar nga bashkëqytetarët e tij shkodranë duke themeluar një shoqatë kulturore e atdhetare me emrin e tij, përbën një ngjarje me shumë vlera historike, kulturore e shoqërore, që duhet kujtuar përherë. Por dhe nderimi që i bëri At Gjergj Fishtës, qyteti i Vlorës përbën një vlerë të veçantë dhe meriton të përmendet, sidomos nga njerëzit që merren me studimin e figurës së Poetit të Madh. Ndoshta kjo ishte veprimtaria e parë që organizonte një institucion i shtetit shqiptar për Fishtën pas vitit 1944, dhe kjo nuk është gjë e vogël.
Ndër kumtet që shpërndau takimi atëhere, por me jehonë sot, më me vlerë është ai kundër përçarjes së shqiptarëve për motive të ndryshme, gjeografike, fetare, ekonomike, politike po se po. Ky mesazh, mendoj se ka të njëjtën gjatësi vale me ato të vargjeve të Fishtës : Vërtetë ne kemi/ Bajram dhe Pashkë/Po Shqiprënë? e kemi bashkë. Po ashtu veprimtaria e Vlorës, shënoi një shembull të shkëlqyer, do thoshim, dhe jo të shpeshtë të nderimit të një figure të shquar jo nga vendlindja a vendbanimi i tij , po nga një qytet që lidhej me të vetëm nëpërmjet faktit të të qënit shqiptar.
Një rast më i ri i “nderimit të tjetrit”, ka ndodhur në qytetin e Lezhës në vitin 2000. Atje, me nismën e dy lezhjanëve të njohur të letrave, poetit të ndjerë, Ndoc Gjetja dhe shkrimtarit Kujtim Dashi, të dy me detyra në pushtetin lokal, u vendos përkujtimi i 80-vjetorit të lindjes (12 maj 1920) të orientalistit të shquar dhe poetit, Vexhi Buharaja nga qyteti i Beratit. Në sallën kryesore të Këshillit të Rrethit, në krye të së cilës ishte vendosur një fotoportret i madh i beratasit të dalluar, fjalën kryesore e mbajti z.Kujtim Dashi, një nga nismëtarët e veprimtarisë. Në nderim të figurës së Buharasë, folën edhe njerëz të tjerë të letrave të qytetit. Orientalistin e shquar berates me Lezhën nuk e lidh ndonjë farefisni apo krushqi, por vetëm krijimtaria e tij në fushën e letrave shqipe.
Beratin me Çerçiz Topullin e Muço Qullin, ashtu si Vlorën me Fishtën dhe Lezhën me Vexhi Buharanë nuk i lidhte asgjë tjetër veç shqiptarizmit dhe kontributit të tyre për Botën Shqiptare. Këto tre shembuj nuk ulin aspak vlerat e nderimit të njerëzve të shquar nga bashkëqytetarët e tyre, por nderimi vetëm si shqiptarë, përbën një mbivlerë (jo me kuptimin ekonomik marksist). Madje, do thoshim se shembuj si këta ja vlen të popullarizohen për të shuar përçarjet tradicionale të shqiptarëve midis vedit. Kjo vihet re edhe sot, kur megjithë gjendjen ekonomike të shqiptarëve, më të mirë se kurrë më parë, mendoj niveli i përçarjes mes tyre është sërish shqetësues. Kështu, këto tri veprimtari (natyrisht, mund të ketë e ka edhe të tjera) pahtësojnë, ndonëse simbolikisht, kulturën e njësimit kombëtar të vlerave shpirtërore të të gjithë shqiptarëve, larg nga të gjitha llojet e ndarjeve, sidomos përkundër krahinarizmave që kohët e fundit po gëlojnë në forma e mënyra të ndryshme.
Në përkujtim të ditëlindjes së Kristaq Sulit. Tiranë, gazeta ‘Telegraf’, 28 dhjetor 2015