Albspirit

Media/News/Publishing

Trump, përsëri kritika ndaj Prokurorit të Përgjithshëm

Presidenti Donald Trump hodhi përsëri kritika të mërkurën kundër Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions, zyrtari më i lartë i zbatimit të ligjit në vend.

Në komentet e bëra në Twitter, zoti Trump pyeste se përse Prokurori i Përgjithshëm nuk e zëvendësoi shefin në detyrë të FBI-së Andrew McCabe, të cilin presidenti e quan mik të zotit James Comey, ish-shefit të FBI-së të shkarkuar prej tij në muajin maj.

Në atë kohë zoti Comey drejtonte hetimet rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, ndërhyrje e cila synonte të ndihmonte në humbjen e rivales së zotit Trump, Hillary Clinton.

Presidenti Trump shkruante në Twitter se ishte zoti McCabe që vitin e kaluar kreu hetimin që e pastroi zonjën Clinton nga shkeljet në përdorimin prej saj të një serveri privat kur ajo ishte sekretare shteti nga viti 2009 në 2013.

Zoti Trump shkruante se McCabe “mori një shumë të madhe parash (700 mijë dollarë)” nga Hillary Clinton dhe përfaqësuesit e saj.

Financimi për të cilin bën fjalë zoti Trump, lidhet me fondet që një aleat i zonjës Clinton, Guvernatori i Virxhinias, Terry McAuliffe, i kaloi zonjës Jill McCabe në fushatën e saj të pasuksesshme për një vend në Senatin e Virxhinias.

Sipas mediave amerikane, ndihmësit e Shtëpisë së Bardhë i kanë kërkuar zotit Trump t’u japë fund sulmeve pothuajse të përditshme kundër zotit Sessions, figurës së parë politike në vend që shprehu mbështetje për zotin Trump vitin e kaluar, kur ai filloi garën e gjatë, por përfundimisht të suksesshme për Shtëpinë e Bardhë.

KRITIKAT E PRESIDENTIT DHE REAGIMET

Jeff Sessions, si një senator republikan konservator me ndikim, ishte një mbështetës i hershëm dhe i fuqishëm i fushatës presidenciale të Donald Trumpit.

Por ditët e fundit Presidenti e ka sulmuar zotin Sessions për tërheqjen e tij nga hetimet për Rusinë, duke e quajtur atë “të dobët”.

“Është e qartë se Presidenti Trump po përpiqet ta detyrojë prokurorin e tij të përgjithshëm të largohet nga detyra”, thotë senatori Chuck Schumer.

Disa ligjvënës republikanë po flasin në mbështetje të kolegut të tyre.

“Jeff ka qënë shumë besnik ndaj presidentit dhe mendoj se ai meriton të njëjtën besnikëri”, thotë senatori Orrin Hatch.

Sessions – ashtu si të gjithë të emëruarit e kabinetit – është një zyrtar që varet nga presidenti:

“Është në dorën e Presidentit të vendosë për anëtarët e kabinetit dhe për çdo pasojë që vjen nga kjo.”

Presidenti Trump mohoi të martën se po e lë zotin Sessions në një situatë të vështirë, por nuk bëri ndonjë lëvizje për ta shpëtuar Prokurorin e Përgjithshëm:

“Jam shumë i zhgënjyer nga Prokurori i Përgjithshëm. Të shohim çfarë do të ndodhë. Koha do ta tregojë.”

Presidenti mund të paguajë një çmim të lartë politik mes konservatorëve duke braktisur një besnik si Sessions:

“Shumë prej tyre mendojnë, për sa kohë do të mund të vazhdojnë të balancojnë marrëdhënien e tyre me presidentin dhe nevojën për të përmbushur politikat që duan të arrijnë duke patur parasysh se Shtëpia e Bardhë dhe të dyja dhomat e Kongresit kontrollohen nga republikanët.”

Duke formuluar presidencën e tij, Donald Trump, miratoi shumë politika të zotit Sessions si ato për imigracionin, duke i përdorur ato për të fituar mbështetjen e bazës së zhgënjyer konservatore, gjë që e ndihmoi zotin Sessions të merrte këtë post.

Please follow and like us: