Albspirit

Media/News/Publishing

Abaz Hado: Çamët të tradhtuar apo tradhtuan veten?!

Këto ditë pas zgjedhjeve politike të 25 qershorit, kam menduar gjatë se çfarë sollën për shqiptarët e Çamërisë këto zgjedhje. Nga mënyra si i zhvilluan zgjedhjet, ku partitë politike garonin secila në korsinë e vet, tregoi se partitë e vërteta, do ishin pjesë në parlamentin e ri. Sigurisht dhe PDIU, ishte një parti që rriti numrin, kjo falë punës të djalit patriot të Çamërisë, Aqif Rakipi, që mori dy mandate në zonën e Elbasanit dhe vajzës patriote Reme Lala, që fitoi zemrat e bashkëpatriotëve të vet me siglën e PDIU.

Ndërsa pritej që PDIU në shumë zona të tjera, mori numër të madh votash, por të pamjaftueshme për të marrë mandate deputeti. Ajo që tronditi më shumë ishte pamundësia për të marrë mandatin e deputetit, për pak vota në Tiranë, për Shpëtim Idrizin, liderin e partisë dhe një luftëtar patriot, i cili për shumë vite e mundësoi Çështjen Çame, nga një çështje e humbur nëpër kanale diplomatike, e ngriti në fokusin e një Çështje Kombëtare. Kjo i humbi në një farë mënyre bukurinë, 76 000 votave të marra në total në rang kombëtar nga PDIU.

Para disa ditësh lexova një artikull, në një të përditshme, të një analisti për zgjedhjet, ku theksonte se votat në këto zgjedhje i kanë marrë personat dhe jo siglat e partive. Kjo përbën një realitet shqiptar, por nëse një parti që shpesh e quajnë “partia e çamëve”, nuk duhet të habisë kërkënd fitorja e PDIU në Elbasan apo Peshkopi. Vërtet mund të mos jesh çam, por patriot mund të jesh, të kesh një ndërgjegje kombëtare kjo është mundur, në këto qytete ka patriotë që e duan këtë vend, prandaj dhe u votua në masë intelektualja e re Reme Lala, apo Aqif Rakipin, njeriu që vë mbi gjithçka interesin e njerëzve të thjeshtë, që bën për ta.

Ajo që mua më bën përshtypje, është mentaliteti ndarës, që vazhdon t’i bëhet PDIU, si parti vetëm e çamëve. Kur kjo parti ka treguar se është shumë patriotë, ka një shtrirje në tërë Shqipërinë, pavarësisht se shtohen simpatizantët, për shumë arsye edhe të kodit aktual zgjedhor penalizohet në vazhdimësi. Kjo parti hyri në zgjedhje pa pushtet, sepse nuk kishte asnjë mundësi reale të përfitonte nga tepsia e byrekut të pushtetit, ç’ka shpesh krijon mundësi për të mbajtur me premtime një elektorat populist. Por, nëse do shohim, me vëmendje dhe të bëjmë një analizë të thellë, në këtë vend në historinë e saj të vjetër dhe të re, është shumë e vështirë të merresh me çështje, apo kauza kombëtare. Këtu të bëhet jeta ferr, sidomos kur ke të bësh me Çështjen Çame. Do kesh gjithmonë përballë një Greqi, që ndonëse i janë prerë shumë tentakula, nga qëndrimi dinjitoz i qeverisë të Rama 1, përsëri ka në dispozicion një arsenal ekonomik dhe politik aktiv ndaj interesave kombëtare dhe PDIU. Sipas të dhënave, qarqe të caktuara në Greqi, janë ngazëllyer, që në Parlamentin e ardhshëm nuk do jetë kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet. Sepse, nuk do kenë më zërin e ngritur, në Parlamentin shqiptar të Shpëtim Idrizit, Mesila Dodës. Por, besoj shumë se pavarësisht çfarë ndodhi ne jemi këtu, me një realitet të ri, do dimë të përcjellim interesat kombëtare dhe Çështjen Çame.

Si një njeri i angazhuar për Çështjen Çame, kam bërë të gjitha përpjekjet që të kontribuoj për këtë çështje, sepse e kam të lidhur me amanetin familjes sime, por dhe të komunitetit. Nëse do analizojmë se përse, kemi humbje në zonat çame, ku nënkuptoj më së pari Fierin dhe Vlorën, do kuptojmë qartë dhe pa patur dyshimin më të vogël, se investimi dhe zgjatimi i interesit grek ka qenë prezent. Në Vlorë është bërë gjithçka për të ulur influencën dhe fuqinë e përfaqësimit politik të çamëve. Në Vlorë, ishte kandidat për deputet një figurë kryesore e PDIU, një patriot dhe një kontributor historik për Çështjen Çame, Tahir Muhedini, mbi familjen e të cilit nisi gjenocidi duke i vrarë dhe masakruar mbi 29 pjestarë të familjes. Vallë ishte naivitet i bashkëpatriotëve të mi çamë, që u përballën me një nga rastet më unikë dhe paradoksalë për të kuptuar se si u tradhtuan çamët e bregut. Disa vite më parë, unë kisha paralajmëruar se ish-deputeti çam, kur doli me agjendë personale, ishte shtyrë nga interesat e veta të biznesit. Koha vërtetoi se kisha të drejtë, por unë nuk kisha parashikuar se deri ku mund të shkojë një pseudo-patriot, duke shkarë në një tradhti të turpshme që të merrte vota për Vangjel Dulen, njeriun më antiçam. Që ka lidhje me qarqet më antishqiptare në Greqi. Ky njeri, edhe kur u kërkua në Parlament një minutë heshtje për viktimat e gjenocidit grek, ndaj popullsisë çame, nuk lëvizi prapanicën. Në gjithë veprimtarinë e tij ka luftuar kundër Çështjes Çame. Për këtë njeri punoi t’i japë vota, ish patrioti ynë çam D. Tahiri, dhe pse vetë, nuk arriti të hyjë në Kuvend. Sot, në kohën e digjitalizimit të informacionit nuk mbetet asgjë pa u mësuar, për ne që kemi njohuri për gazetarinë, shumë gjëra janë të qarta. Ashtu siç, mund të jenë prezentë dhe disa të shitur përtej Jonit, që për interesa të vogla meskine, shitën shpirtin dhe amanetin e të parëve. Nëse Dulja është në parlament, është edhe me votat e një pjese të çamëve. Unë i pyes bashkëpatriotët e mi, si ndihen sot, pas zgjedhjeve, çfarë do t’u thonë të parëve të tyre të vrarë në varrezat në Kllogjer, kur të vendosin një tufë me lule. Aty ku prehen të parët tanë, viktimat e pafajshme, që u tradhtuan nga disa bijë e tyre.

Në Fier, sigurisht që ishte një djalë, që ka kontribuar si Nustret Avdullaj, një patriot dhe djalë i angazhuar. Por, duhet të kemi parasysh se në Fier dominon fuqishëm PS, që kishte në listë një vajzë nga një familje patriotësh me emër që fitoi mandatin si Tatiana Nurçe, e cila me siguri do ketë mundësi të flasë për Çështjen e Çamërisë, sepse ka dhe ajo amanet nga të parët që u masakruan barbarisht. Në lista të partive tjera, kishte vajza dhe djem çame që megjithëse ishin të sigurtë, në humbje, pranuan të jenë thjeshtë vetëm për të përçarë votën çame. Sigurisht, në këtë qytet kishte dhe një përçarje, për arsye jo të qenësishme të komunitetit, që ndikoi me sa duket në uljen e numrit, duke bërë të pamundur marrjen e mandatit. Nëse një çam, për çdo lloj arsye, nuk votoi për PDIU, si partia që përfaqëson politikisht çamët dhe çështjen e tyre, këtë nuk di si ta konsideroj, si tradhti, naivitet, apo refuzim që i bëhet përpjekjeve tona. Shpëtim Idrizi si lider dhe një armatë intelektuale, kanë marrë përsipër të ngrenë Çështjen Çame në agjenda kombëtare dhe ndërkombëtare. Pikërisht, në momentin më të rëndësishëm, kur kërkohej nga të gjithë vetëm një votë historike dhe masive e shqiptarëve të Çamërisë, kjo nuk erdhi në masën e duhur. Po sjell një rast që tregon shumë, një tiranas i vjetër, vetëm se kishte një nuse çame votoi për PDIU, ndërsa një familje çame, me shumë pjestarë nuk kishte shkuar në votime, se nuk i ishte punësuar një djalë! PDIU hyri në zgjedhje jo si një parti pushteti, por si një parti që kërkoi vota për çfarë kishte bërë për çamët, që vetëm disa vite më parë nuk flitej për ta, sot është në agjendën politike, diplomatike të shtetit, por dhe të Parlamentit Europian.

Sot, shqiptarët e Çamërisë kanë për të vrarët, të masakruarit, një nga varrezat më frymëzuese në Shqipëri. Vajzat dhe djemtë çamë i gjen kudo, të nderuar dhe respektuar, duke dhënë kontribut në zhvillimin e përparimin e vendit. Ajo që unë dua të theksoj me forcë është se Çështja Çame nuk është një çështje e vogël, përkundrazi është një sfidë brezash, që nuk duhet nëpërkëmbur, tradhtuar, apo shitur. Kjo është çështje nderi, jo vetëm për Shpëtim Idrizin, si një lider i lëvizjes çame, por për gjithë komunitetin kudo që janë, që nga punëtori më i thjeshtë, biznesmeni, njerëzit e suksesit, njerëzit publikë për të gjithë kategoritë shoqërore. Sot, për shumë arsye ne u goditëm rëndë, nga indiferentizmi apo tradhtia. Jemi të dëshpëruar, por duhet kuptuar se çështja jonë ka projeksion historik. Prandaj, të gjithë duhet të kuptojmë se nuk mund të tërhiqemi, nëse humbëm një betejë, apo drejtpeshimin politik, por duhet të dimë të kemi shikimin më të qartë për të ardhmen. Personalisht jam shumë i dëshpëruar, për shumë ngjarje që ndodhën në këto zgjedhje, disa për arsye të rëndësishme, ashtu dhe për disa çështje, që të bën të jem shumë i kujdesshëm në analizat e mia.

Një gjë unë e kam të qartë, nëse sot nuk gjejmë arsyet që na bëjnë të mos kthejmë krahët dhe të merremi me punët tona, është pikërisht motoja e komunitetit nga vijmë. Ata bënë gjithçka, u dëbuan, u vranë, ju morën pronat, erdhën në atdheun e tyre amë, ku u trajtuan si qytetarë të dorës fundit ditën të qëndrojnë dinjitozë. Ata na dhanë ne, bijve të tyre, mësimin se si duhet të përballemi me vështirësitë dhe të dalim mbi to, duke ruajtur dinjitetin njerëzor, duke punuar për sukses. Ata bënë çfarë mundën, po ne çfarë po bëjmë sot!? Na lejohet të na shesin disa palaço, matrapazë të padinjitet, që ne të harrojmë të parët, atë luftë të të gjithë çamëve në vitet e diktaturës dhe demokracisë.

Please follow and like us: