Arrestimet politike gjatë diktaturës komuniste
Ish -drejtori i Arkivës së Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi ka publikuar një dokument që dëshmon se si kryheshin arrestimet politike gjatë diktaturës komuniste. Dervishi thotë se deri në vitin ’48 arrestimet e kësaj kategorie kryheshin nga Ushtria dhe Sigurimi. Më vonë, vendoste dega e Sigurimit apo Ministria e Brendshme. Në shkrimin që shoqëron dokumentin, Dervishi tregon edhe teknikat e arrestimit.
ARRESTIMET POLITIKE GJATE DIKTATURES KOMUNISTE
Deri në daljen e platformës së parë të organeve të punëve të brendshme, pra në vitet 1944-1948, të akuzuarit për krime kundër shtetit janë arrestuar nga organet e ushtrisë dhe ato të Sigurimit të Shtetit. Gjithë klasa e vjetër politike e përcaktuar si “armike e popullit” apo si “kolaboracioniste” u dënua në vitet e para. Më pas qysh prej vitit 1948 filloi të veprojë një teknikë e sofistikuar që vendoste arrestimet.
Krimet kundër shtetit ishin: sabotazhi i luftës dhe pushtetit, tradhtia ndaj atdheut, spiunazhi, organizimi dhe pjesëmarrja në bandat e armatosura, diversioni, Sabotimi, agjitacioni dhe propaganda kundër pushtetit popullor, propaganda e luftës, pjesëmarrja në një organizatë kundër pushtetit popullor, etj. Mënyra se si bëheshin arrestimet u vendosën në platformën e parë të organeve të punëve të brendshme në vitin 1948, sipas së cilës arrestimet politike i organizonte Sigurimi (përveç atyre të kushteve të flagrancës) dhe ato ordinere Policia. Në vitet 1944-1966 arrestimi ishte një procedurë shumë e centralizuar, e përcaktuar nga platformat e organeve të punëve të brendshme të miratuara nga Byroja Politike e KQ të PPSH-së.
Arrestimet në vitet 1948-1966
Dega ose seksioni i Sigurimit në terren vendoste arrestimin, ndërsa miratimin e jepte ministri ose ndihmësministri i Punëve të Brendshme. Pas kësaj, shkresa i paraqitej prokurorit ushtarak pranë Gjykatës së Lartë Ushtarake për sanksionimin e arrestimit.
Në vitin 1954 u bënë ndryshime të platformës. U rritën kompetencat e zëvendësministrit (i cili miratonte arrestimin) për Sigurimin, ndërsa ministri miratonte rastet për arrestime të anëtarëve e kandidatëve të PPSH-së.
Në vitin 1958, me miratimin e platformës tjetër, kompetencat pësuan një decentralizim. Arrestimin e propozonte punëtori operativ, e vendoste kryetari i degës së punëve të brendshme të rrethi, ndërsa miratimin e jepte zëvendësministri për Sigurimin, drejtori ose zëvendësdrejtorët e Sigurimit. Të drejtat e ministrit ishin vetëm për arrestime të emërtesave të Komitetit Qendror. Në të gjitha rastet merrej mendimi i sekretarit të parë vendor të Partisë së Punës. Pas kësaj procedure sanksionohej arrestimi nga prokurori e hetuesia fillonte hetimin. Të gjithë procesin hetimor e zhvillonte hetuesia. Në fund ajo përpilonte aktakuzën e cila miratohej nga prokurori. Në gjyq nuk dilte hetuesi, por prokurori.
Arrestimet në vitet 1966-1990
Në platformën e organeve të punëve të brendshme të vitit 1966 dhe ato të viteve 1977 dhe 1985 nuk u përfshinë më detaje mbi mënyrë e arrestimit. Ajo rregullohet me akte të tjera të Sigurimit dhe Hetuesisë. Prej viti 1966 ministri nuk vendos për asnjë lloj arrestimi. Praktikat përkatëse nisin nga punëtori operativ, miratoheshin nga kryetari ose zëvendëskryetari i degës së punëve të brendshme, nga dega përkatëse e Sigurimit në qendër dhe pastaj kalonte nëpërmjet hetuesisë.
Në rrethe sekretarët e parë vendorë diskutonin mbi arrestimet dhe jepnin opinionin e tyre.
Teknika e arrestimit për rastet e zakonshme
Arrestimet politike bëheshin kryesisht duke pasur për bazë materialet agjenturalo-operative të Sigurimit ose nga kallëzimet në flagrancë siç ishin arratisjet, agjitacioni publik, etj. Kallëzimet në flagrancë vinin nga qytetarë denoncues, organet e policisë ose të kufirit. Për rastet e tjera pra kur personi kishte një dosje përpunimi, kalohej nga procesi i fshehtë agjenturalo-operativ, në atë publik hetimoro-gjyqësor (prandaj këto dosje nuk kanë qenë kurrë të klasifikuara). Niste bashkëpunimi midis punëtorit operativ që ndiqte dosjen dhe hetuesit që do hapte procedurat ligjore të arrestimit. Elementë operativë që lidhen me raporte të bashkëpunëtorëve ose incizime me teknikë operative nuk përdoreshin në proceset hetimore-gjyqësore. Asnjë proces i tillë nuk ka administruar ndonjë provë të dalë nga teknikat operative me incizim (materialet e të cilave janë asgjesuar me kohë). Pra asnjë dosje hetimore-gjyqësore nuk ka brenda saj materiale zanore të nxjerra nga incizimet. Praktikat shkresore midis punëtorit operativ të Sigurimit dhe ato të hetuesit nuk administroheshin në dosjen formulare dhe as në atë hetimore-gjyqësore, duke humbur kështu hallkën më të rëndësishme dokumentare të një praktike shkresore.
Ekzekutimi i vendimit të gjykatës për dënimet me vdekje bëhej nga Policia e jo nga Sigurimi. Të pranishëm ishin prokurori, hetuesi, mjeku dhe policët që kryenin ekzekutimin. Me përjashtim të dy rasteve (Tuk Jakova dhe Mehmet Shehu), asnjë dosje formulare nuk ka skema varrimi.
Bashkëlidhur një praktikë arrestimi sipas modelit që ka ekzistuar në vitet 1948-1954.