Gjithologët, tipa acarues, sillen sikur dinë gjithçka, i shohim edhe në media, nën petkun e analistit
Jeta Toçila
Ndoshta ju ka rastisur, ndërkohë që jeni duke gjerbur kafenë hurba-hurba për qejfin tuaj duke biseduar shpenguar për çështje prej të cilave nuk varet fati i kombit, njëri prej bashkëbiseduesve merr flamurin e bën të diturin për gjithçka.
Ja për shembull, ju flisni për problemet shëndetësore se kohët e fundit keni qenë tek një urolog i njohur dhe jeni ndjerë më mirë me mjekimet e tij. Ngrihet ky gjithologu: “Ça mjeku është ai mor burrë, mjekët vetëm të marrin lekë. Dëgjo vëllain, pi këto ilaçet që kam pirë unë dhe do jesh qiqër” dhe ia hedh poshtë mjekut të gjitha arritjet e të jep ty recetën e tij.
Pastaj flisni për depresionin. Një miku juaj është mbyllur fare në shtëpi dhe një ditë kishte tentuar të vriste veten. Por gjithologu që mendon se është psikolog, këshillon shëtitje në natyrë, një çaj kamomili në mbrëmje me Mozartin në sfond dhe hop: bye-bye depresion.
Hej, harruat të flisni për politikë? Jeni shqiptarë apo çfarë?! Sigurisht që po. Si mund t’i shpëtonte gjithologut të tregojë me kompetencë se kush do jenë ministrat e ardhshëm të qeverisë, e madje të të tregojë se çfarë bluan në mendje kryeministri. Apo të flasë gjithë ditën për furnizimin e Tiranës me ujë të pijshëm 24 orë me kosto të ulët. Apo ti futet historisë me këmbë e të pasojë provokime të gjata. Kështu pra, gjithologë si ky tipi, ka plot në vendin tonë.
Ata i shohim në media çdo ditë, nën petkun e analistit apo opinionistit apo komentatorit, quajeni si të doni. Ata mund të jenë edhe në katedra universitetesh apo edhe auditore, në zyra shërbimesh publike apo kompani private. Pse jo, ata mund të jenë edhe në listat e të papunëve …
Këta Gjithologët e kudondodhur është e sigurtë që janë tipa acarues, pasi sillen sikur dinë gjithçka, janë ekspertë të çdo fushe- madje edhe nëse faktet provojnë të kundërtën. Ata shfaqen si superiorë duke dominuar bashkëbisedimet, duke ofruar këshilla pa ia kërkuar njeri, duke debatuar me çdokënd për hir të debatit që nuk përfundon kurrë, sfidojnë autoritetet me gjasme kompetencë eksperti.
Sillen me arrogancë, por kjo nuk do të thotë që kanë vetë-besim, përkundrazi mund të jenë në luftë me vetë-vlerësimin e tyre të ulët, ankthin e fshehur dhe përmes mburrjes përpiqen ti provojnë të tjerëve se janë më të zgjuar seç janë.
Gjithologët mund të jenë impulsivë, marrin flakë në debat, përdorin gjeste pompoze dhe nuk dëgjojnë atë që të tjerët thonë. Janë shumë të zënë me dijet e veta dhe nuk lexojnë mesazhet ose sinjalet sociale përreth.
Me syrin e një psikologeje, këto karakteristika mund të duken si simptoma të ndonjë çrregullimi. Por nuk do doja të isha kaq tekniciene në një shkrim fund-korriku. Ndoshta ka ndonjë gjitholog ndër lexues që mund ta dijë diagnozën.