Albspirit

Media/News/Publishing

Qytetërimi në themelet e Europës

I konsideruar si qytetërimi i parë i përparuar në Evropë, ai Minoan ndikoi mbi historinë e gjithë Egjeut. Perandoritë e mëvonshme u frymëzuan nga planifikimi urban dhe kultura e këtij qytetërimi kretan. I lindur rreth vitit 3500 Para Erës Sonë, qytetërimi Minoan u përhap për mijëra vjet në Kretë dhe ishuj të tjerë të Egjeut.

Arkeologu i njohur britanik, Sër Artur Evans, ishte i pari që gjeti prova të një qytetërimi të Epokës së Bronzit në ishullin e Kretës në fillimin e shekullit XX. Duke gjetur mbetjet e një strukture të madhe urbane në anën veriore të ishullit, Evans përdori stratigrafinë dhe analizoi mostrat e qeramikës për të teorizuar ekzistencën e provave të një qytetërimi që i parapriu atij të Mikenasve.

Evans pretendonte se qyteti, që tregonte dëshmi të një strukture komplekse dhomash, të ndërlidhura të lidhura me një sërë korridoresh dhe shkallësh, dukej paksa si një labirinti i ngritur nga mbreti Minos. Duke u frymëzuar figura e famshme mitologjike greke, Evans e quajti vendin “Knossos”  sipas emrit të pallatit të Minos.

Po ashtu ai propozonte që emri “Minoan” të adoptohej si një titull për qytetërimin e sapo-zbuluar. Kështu, termi përdoret gjerësisht si një emërtim për njerëzit, dhe vendbanimet që jetuan në Kretë dhe ishujt fqinjë gjatë viteve 3500-1100 Pra Erës Sonë.

Evans zhvilloi një model bazuar në artefaktet qeramike që gjeti, duke e ndarë qytetërimin e zbuluar në tre periudha – Minoan i Hershëm, Minoan i Mesëm dhe Minoan i Vonë. Më vonë, arkeologu grek Nikolas Platon shpiku një sistem të përcaktimit të datave, bazuar në dëshmitë arkitekturore dhe komplekset e pallateve, duke i etiketuar ato si nën-periudha para, pro, neo dhe post-palaciale. Në të dyja sistemet, piketat e shënuara ndajnë çdo epokë minoane bazuar tek zhvillimi urban, arti dhe sistemet tregtare.

Dëshmitë arkeologjike flasin për një popullsi neolitike në ishullin e Kretës. Këta njerëz ka të ngjarë të kenë jetuar në fshatra të hapura, dhe të jenë marrë merreshin me bujqësi në fushën pjellore të Mesarës. Mbetjet e kasolleve të peshkatarëve janë zbuluar pranë brigjeve të ishullit, duke treguar gjithashtu se detaria dhe peshkimi ishin një mjet mbijetese për ta.

Epoka e Bronzit në Kretë nisi rreth vitit 3200 Para Erës Sonë, duke shënuar fillimin e periudhës së hershme Minoane. Dëshmitë mbi qendrat e vogla të tregtisë që lulëzuan gjatë kësaj kohe, tregojnë  rrënjët e qendrave urbane dhe të strukturave komplekse në formën e pallateve, që do të karakterizonin epokat e mëvonshme Minoane.

Ndërtimi i pallatit si strukturë dhe i qytetit bashkë me të, nisi në të gjithë Kretën gjatë periudhës së Minoanit të Mesëm rreth vitit 2000 Para Erës Sonë. Këto pallate ishin qendra të qeverisjes dhe tregtisë, dhe në to strehohej gjithçka, nga punishtet e zejeve të ndryshme, magazinat ushqimore dhe teatrot.

Periudha e mesme Minoane, solli një zgjerim të tregtisë në të gjithë rajonin e Mesdheut. Dëshmi të mallrave të prodhuara nga qytetërimi Minoan janë gjetur deri në Egjipt, Anadoll dhe Kanan. Ajo ishte një periudhë prosperiteti dhe stabiliteti, epoka e artë e Minoanëve.

Gjatë periudhës së mesme Minoane, filloi ndërtimi i qendrave komplekse të qyteteve në të gjithë Kretën dhe në ishujt fqinjë. Qyteti më i rëndësishëm Minoan ishte Knossos. Dëshmitë arkeologjike e datojnë qendrën e parë rezidenciale në vitin 2000 Para Erës Sonë.

Në kulmin e tij, popullsia e qytetit arriti në 100.000 banorë. Evans shpiku termin “ekonomi pallati” në shkrimet e tij mbi Minoanët, për të përshkruar sistemin para-monetar në qytete si Knossos. Të korrat dhe mallrat e tjera mblidheshin nga qeveria, ruheshin në dhoma të mëdha brenda strukturës së pallatit, dhe shpërndaheshin më vonë tek popullata.

Një tërmet i ndodhur rreth vitit 1720 Para Erës Sonë, e shkatërroi pjesën më të madhe

të pallatit Knossos dhe godinat rrotull. Gjatë 100 viteve të ardhshme, qendra e pallatit u rindërtua duke u bërë edhe më komplekse. Një sërë kolonadash dhe shkallësh që lidhnin ndërtesa të ndryshme, përbënin qendrën komplekse.

Uji sigurohej nga një sistem kullimi, kanalesh dhe tubacionesh shumë të sofistikura. I lidhur me qytetet e tjera të Kretës nga një sërë rrugësh të asfaltuara, Knossos shërbeu si një qendër tregtare për ishullin. Qendra të tjera të rëndësishme urbane të qytetërimit Minoan përfshinin Faistos, Malia dhe Akrotiri.

Akrotiri ndodhej në ishullin e sotëm të Santorinit, dhe në vendndodhjen e shpërthimit të vullkanit Thera, që më vonë do të shkaktonte edhe rënien e qytetërimit Minoan. Secili prej tyre u ngrit në mënyrë të ngjashme me Knossos, me një strukturë komplekse ndërtimi që shërbente si qendër e qeverisjes dhe ekonomisë.

Një nga kontributet më të mëdha Minoane tek qytetërimet e mëvonshme të Egjeut, ishte një sistem i njëtrajtshëm i shkrimit. Dëshmia më e hershme e një sistemi shkrimi Minoan, është një shkrim hieroglifik që daton në vitin 2500 Para Erës Sonë. Një formë më e avancuar e shkrimit u zhvillua më pas, e quajtur nga Evans si Linear A.

Ajo ishte pararendëse e formës së njohur si Linear B, që u përdor nga Mikenasit, dhe që shërbeu si forma më e hershme e shkruar e gjuhës greke. Këto gjuhë quhen lineare për shkak të praktikës së përdorimit të një majë shkruese për të prerë disa vija në pllaka prej balte për të prodhuar forma të shkruara të gjuhës.

Pllaka balte me mbishkrime lineare A, janë gjetur në mbi 40 zona të ndryshme në Kretë, duke treguar një sistem të përhapur të fjalës së shkruar Minoane. Arkeologët kanë zbuluar edhe prova të afreskeve, vulave dhe qeramikës së përpunuar, të cilat flasin për një kulturë artistike shumë të lulëzuar.

Afresket e gjetura nëpër hapësirat e pallatit janë si laike ashtu edhe fetare, me kafshë dhe njerëz. Qeramika Minoane është shumë interesante, pasi artefaktet nga periudha e mesme

dhe e vonë, pasqyrojnë një model polikromi që i lejonte artistët të pikturonin dizajne të ndërlikuara.

Stilet artistike të gjetura në qytetërimet e mëvonshme të Egjeut dhe Mesdheut, pasqyrojnë shumë nga të njëjtat stile të përdorura nga Minoanët. Dëshmitë arkeologjike sugjerojnë se Minoanët jetonin në një shoqëri gjinore të ndara nga njëra-tjetra. Por arti dhe artefaktet tregojnë gjithashtu se ato mund të kenë qenë përafrimi më i mirë me një sistem matriarkati (sundim i grave) të zbuluar në rajon.

Arti fetar dhe artefaktet kanë në fokus gratë, që portretizohen si hyjni dhe burrat si shërbëtore. Në shumicën e veprave artistike, gratë janë të veshura ndërsa burrat janë nudo. Dhe në shumë vepra, gratë shfaqen në një pozicion të ulur, të rrethuara nga burrat që qëndrojnë në këmbë.

Të gjitha këto tregojnë për statusin e rëndësishëm të gruas në kulturën Minoane. Është e vështirë të deshifrosh një shkak të vetëm që çoi në rënien e qytetërimit Minoan. Teoria më e njohur flet për një shpërthim masiv të vullkanit Thera rreth viteve 1550-1500 Para Erës Sonë.

Ky shpërthim shkatërroi jo vetëm zonat aty pranë, por reja e hirit dhe cunami që pasuan ndikuan shumë në Kretën Lindore. Edhe pse shpërthimi dhe pasojat e tij nuk sollën rënien e  menjëhershme të Minoanëve, ai shkaktoi pasoja të mëdha ekonomike që e dobësuan të gjithë qytetërimin dhe i bënë ata të ndjeshëm ndaj pushtimit.

Gjatë rënies së ngadaltë, Minoanët u nënshtruan nga Mikenasit. Rezultati ishte një përzierje e dy kulturave, ku këta të fundit u frymëzuan nga shumë aspekte të qytetërimit Minoan.

Ndikimi i Minoanëve në përparimet në zhvillimin urban dhe kulturor nuk mund të nënvlerësohet, pasi ata shërbyen si një bazament për perandoritë e ardhshme që do të sundonin zonat e Mesdheut dhe Egjeut.

Please follow and like us: