“Si me rastin ‘Kadare’, edhe me ambasadat, Franca po mban qëndrim armiqësor ndaj nesh”
Dashnor KALOÇI
Edhe pse kishin kaluar dy-tre muaj nga lëvizja studentore e dhjetorit, gjë e cila solli lejimin e pluralizmit dhe si rezultat ishin krijuar partitë e para politike në Shqipëri, duket se në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë ‘ujërat’ nuk kishin lëvizur fare, madje kishin ndenjur në vënd. Gjendja aty duket tejet e qetë, njësoj sikur të ishte mesi i viteve ’80-të dhe diktatori komunist Enver Hoxha ishte ende gjallë! Ky është përfytyrimi që të krijohet menjëherë në pamje të parë nga leximi i këtij dokumenti arkivor që po publikojmë në këtë kapitull të librit, i cili mban firmën e diplomatit të njohur të karrierës, Shpëtim Çaushi, (asokohe mbante funksionin e drejtorit të Drejtorisë së Dytë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, një nga më të rëndësishmet e atij dikasteri) dhe bën fjalë mbi konkluzionet e analizës njëvjeçare të punës së ambasadës shqiptare në Paris. Thamë pak më sipër se ai dokument duket sikur është shkruar në mesin e viteve ’80-të, pasi aty ende flitet për “armiq”, “shantazhe”, “thirrje për përmbysje me dhunë të pushtetit popullor”, “dezertor”, etj., etj., terma tipike të leksikologjisë komuniste. Ndërsa të gjitha këto në një farë mase janë normale, po të spostohemi në kohë dhe të gjykojmë ftohtë për kohën për të cilën bëhet fjalë. Ajo që bie në sy është qëndrimi që mbahet aty ndaj shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, pasi ai vazhdon të quhet ende “dezertor”! Po e njëjta gjë mund të thuhet edhe për ngjarjen e ambasadave, apo botimet që kanë bërë diplomatët e stafit të asaj ambasade! Por, nisur nga qëndrimi i zotit Çaushi pas viteve ’90-të, si p.sh., botimin e librave, shkrimet e tij apo intervistat në media, (ku ai ka shprehur dhe pasqyruar me vërtetësi edhe kulisat e atij regjimi, apo më saktë të diplomacisë shqiptare të asaj periudhe kohe kur ai ka shërbyer), nuk është vështirë të kuptohet se ai raport i shkruar prej tij përcjell frymën dhe politikën zyrtare të dikasterit që ai përfaqësonte dhe aspak atë personal të tij. Gjithsesi, ky mbetet një perceptim mbi të cilin çdokush shikon dhe gjykon në optikën e tij të zhvillimit dhe evolucionit të gjërave e fenomeneve. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe ky publikohet i plotë dhe pa asnjë ndryshim apo shkurtim.
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË JASHTME
Tiranë, më 20.2.1991
DREJTORIA E DYTE
Nr. 192/1
LENDA: Analiza e punës së përfaqësisë sonë në Paris për vitin 1990
AMBASADËS SË RPS TË SHQIPËRISË
PARIS
Kolektivi i përfaqësisë suaj gjatë vitit 1990 ka punuar i mobilizuar dhe ka bërë përpjekje të vazhdueshme për realizimin e detyrave të ngarkuara në fushën e politikës së jashtme.
Marrëdhëniet me Francën gjatë vitit 1990 nuk u zhvilluan me ritmin e dëshiruar nga vendi ynë, mbasi francezët mbajtën një qëndrim jodashamirës ndaj vendit tonë.
Kohët e fundit, qëndrimi francez ka pasur të dy aspektet: nga njëra anë është shprehur “dëshira” për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe në fushën kulturore, shkencore dhe ekonomike, por jo në fushën politike. Nga ana tjetër u bënë shumë presione e shantazhe. Në fushën politike, qeveria franceze shtyu vizitën në vendin tonë të MPJ, Roland Dymas, i cili ishte parashikuar të vinte në muajin maj 1990. Kryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve nuk u prit nga ministri i Kulturës së qeverisë franceze kur ndodhej në Paris në një konferencë të UNESKO-s, zëvendësministri ynë i Punëve të Jashtme nuk u prit as nga sekretari i Shtetit dhe as nga MPJ të Francës, në qershor 1990, kur erdhi për bisedime mbi KSB dhe TPE, etj.
Tashmë është evidentuar përfundimisht qëndrimi zyrtar i Francës lidhur me strehimin e qytetarëve shqiptarë në ambasadën franceze dhe në atë të disa vendeve të tjera ka qenë armiqësor, antishqiptar, plot presione dhe shantazhe. Deklarata e Miteranit në Londër më 6 korrik 1990 është një ndërhyrje e hapur në punët e brendshme të vendit tonë dhe thirrjes ‘për përmbysjen e pushtetit popullor’. Ambasada franceze në Tiranë mbajti një qëndrim negativ. Ky qëndrim i Francës shprehet edhe ndaj çështjes “Kadare”, ashtu edhe ndaj kërkesës sonë për të marrë pjesë me të drejta të plota në KSBE.
Përsa u përket vendeve të tjera të zonës që mbulon përfaqësia juaj, gjatë vitit 1990 në tërësi nuk u konstatuan rezultate konkrete të rëndësishme në marrëdhëniet me vendin tonë. Për këtë vit të punohet më intensivisht për të zgjeruar dhe konkretizuar marrëdhëniet me Spanjën, Belgjikën, Holandën, Portugalinë, ndoshta edhe me Anglinë, me të cilat ekzistojnë kushte e mundësi konkrete, veçanërisht në fushë ekonomiko-tregtare.
Gjatë vitit të kaluar, ambasada ka informuar për shumë çështje të gjendjes së brendshme në Francë dhe politikës së jashtme, për problemet e Ballkanit, për procesin e demokratizimit në vendin tonë dhe vlerësimet e tyre, si dhe për çështje të tjera me interes për vendin tonë. Punë të mirë në këtë drejtim kanë bërë shokët Ksenofon Nushi, (sa kohë që ishte në ambasadë), dhe shoku Arqile Semini, përpjekje kanë bërë edhe shokët Marenglen Spiro, Krenar Hadëri e Vladimir Xhelili. Megjithatë, aktivizimi i shokëve të tjerë diplomatë duhet të ishte me një nivel më të arrirë cilësor. Mundësitë për këtë ekzistojnë.
Për vitin 1991, vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet ndjekjes së gjendjes së brendshme në Francë dhe në vende e tjera të zonës, politikës së jashtme franceze, problemeve të TPE-së dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të vendit tonë me të, e zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike, marrëdhënieve të Francës e vendeve të tjera të zonës me vendin tonë.
Në përgjithësi, materialet studimore të planifikuara nga ana e përfaqësisë janë realizuar. Mirë është punuar në këtë drejtim për përgatitjen e raporteve informative mujore, ku janë analizuar mirë marrëdhëniet dypalëshe, gjendja e brendshme në Francë dhe politika e saj e jashtme. Mirë është që raportet informative mujore të zgjerohen edhe në trajtimin e marrëdhënieve me vendet e tjera të zonës, pra të mos kufizohet vetëm me Francën. Ndër materialet studimore që keni përgatitur gjatë vitit 1990, me interes dhe vlerë kanë qenë “Evoluimi në qëndrimet e Francës ndaj Kosovës”, “Shënime për krizën në RPR dhe opozitës së djathtë në Francë”, “Kongresi i X i Partisë Socialiste franceze”, përgatitur nga shoku Arqile Semini, “Problemet aktuale të aleancës Francë-RFGJ në kuadrin e planeve për Evropën e Bashkuar”, përgatitur nga shoku Marenglen Spiro, “Mbi disa zhvillime të reja në gjirin e Komunitetit Evropian nën dritën e ngjarjeve të fundit në vendet e Evropës Lindore”, punuar nga shoku Krenar Hadëri”, “Takimi i nivelit të lartë të Këshillit Evropian në Strasburg, kontradiktat dhe mirëkuptimi”, përgatitur nga shoku Vladimir Xhelili, etj.
Del nevoja që gjatë vitit 1991 të vazhdojë puna në drejtim të studimit të situatave e ngjarjeve politike si dhe përgatitjes së materialeve studimore me interes dhe vlerë për vendin tonë, duke ndjekur në veçanti problemet e marrëdhënieve dypalëshe me Francën, Spanjën dhe vende e tjera të zonës, politikën franceze në veçanti ndaj Ballkanit, Jugosllavisë dhe Kosovës, zhvillimet në TPE e qëndrimet ndaj vendit tonë etj.
Në tërësi, përfaqësia i ka ndjekur mirë shkëmbimet kulturore midis dy vendeve, veprimtaritë e zhvilluara në Francë, organizimin e koncerteve nga ansamblet artistike të Gjirokastrës, Tiranës dhe Përmetit, ashtu dhe zbatimin e programit të saj kulturor për studentët, pasuniversitarët dhe specialistët. Lidhur me disa probleme që kanë dalë me studentët dhe pasuniversitarët kohët e fundit, zbatoni porositë që ju kemi dërguar posaçërisht për këtë çështje.
Një punë të mirë ka bërë përfaqësia juaj gjatë vitit të kaluar ndaj fushatës antishqiptare të mjeteve të informacionit francez, megjithatë edhe gjatë këtij viti i dalin detyra të mëdha për një punë me të dendur e të diferencuar me gazetarët, duke dërguar rregullisht materialet tona e duke i mbajtur afër. Prandaj vazhdoni punën jo vetëm në Francë, por edhe në vendet e tjera që mbulon përfaqësia juaj, të bëhet një punë e dendur, e kujdesshme dhe e vazhdueshme me mjetet e informacionit në secilin vend, duke ditur rolin dhe peshën e madhe që kanë ato në informimin e opinionit të vendit.
Nga ambasada janë bërë përpjekje për realizimin e detyrave në fushë ekonomike-tregtare, është punuar në realizimin e kontratave dhe livrimeve, megjithatë volumi mbahet akoma i ulët dhe nuk u përgjigjet mundësive konkrete. Nga të dhënat që ka Ministria e Jashtme, rezulton se shkëmbimet tregtare me Francën për vitin 1990 janë ende të ulëta (Exp. 4.2 milionë dollarë, Imp. 9 milionë dollarë, me vendet e tjera volumi i shkëmbimeve është mjaft i vogël).
Megjithëse protokolli mbi bashkëpunimin ekonomik industrial e teknik për vitin 1990 u nënshkrua në maj, pak gjëra janë konkretizuar. Prandaj nga ana e përfaqësisë duhet punuar më shumë në këtë drejtim, po ashtu duhet të insistohet që të nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunimin financiar, të bëhen të njohura ligjet e marra në fushën e investimeve të huaja, krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta etj. Të nxiten firmat, afaristët dhe industrialistët francezë për të bërë investime në Shqipëri që Franca të zërë një nga vendet e para në shkëmbimet ekonomiko-tregtare me vendin tonë. E njëjta punë të bëhet edhe me vendet e tjera të zonës, si me Spanjën, Belgjikë, Holandën etj., ku mundësitë e bashkëpunimit janë të mëdha.
Kemi bindjen se kolektivi i përfaqësisë suaj do të mobilizojë të gjitha forcat e energjitë për të plotësuar me nder detyrat që i dalin dhe me ndjenjë të lartë përgjegjësie do t’u përgjigjet detyrave të kohës dhe situatave të reja në vendin tonë.
DREJTORI
15.2.1991
(Shpëtim Çaushi)