Spanjollja e hijshme e Petro Markos
“Hasta la vista, Petro Marko!” e përshëndesnin njerëz të ndryshëm të panjohur në rrugë. Kjo përshëndetje e shoqëroi ndër vite. Shpesh më ka ndodhur që më kanë pyetur nëse mamaja ime ishte spanjolle. Përgjigjja ime ishte gati e pabesueshme dhe e papranueshme për ta: Jo! Mamaja ime është shqiptare.
Shumë lexues që u lidhën me atë roman, mendonin se personazhi i tij, spanjollja Anita Gonzales Seto ishte takuar përsëri pas lufte me personazhin shqiptar, Gori Gjinleka, që e identifikonin me Petro Markon, ishte lidhur përgjithnjë me të e tashmë ata jetonin të bashkuar përjetë këtu në Shqipëri. Ishte dëshira e lexuesve që ky bashkim i dy personazheve të romanit të realizohej vërtetësisht”.
Aranita Marko vajza e shkrimtarit Petro Marko, tregon shumë lexues të dashuruar pas letërsisë së babait, kërkojnë të gjejnë lidhje mes jetës së tij dhe vajzës spanjolle në romanin “Hasta La vista”.
Petro ishte një djalë i vogël, i lindur në fshatin mbi det që e quante më të bukurin në botë. Mbeti jetim pa nënë e pa baba që kur ishte gjashtë vjeç. Duke u bërë burrë provoi pasojat e luftës, humbjet, mjerimin, dënimin, ligësinë, pushtetin, mizorinë, humanizmin, armët, miqësinë, torturat, fjalën e lirë, fjalët e pathëna, gjelbërimin e ullinjve, vrasjen dhe varrosjen pranë ullinjve, këngën pa fjalë të lumit që shkon në det, përgjakjen e lumit që dhimbjen e heshtur e derdh në det, poezinë, groposjen, në dhe të poezisë porsi nënkresë të mikut të vrarë, revoltën, zhgënjimin, dashurinë, familjen, diktaturën, burgun, pritjen, prangat, plagët, magjinë e shpresës, helmimin, durimin, vlerësimin e njerëzve, kujtesën dhe vdekjen. Të paktën në vdekje dëshira ju plotësua. Iku mbështetur në krahët e mi, që sa të kem frymë nuk do ta lëshojnë. Unë po flas për babanë tim. “Viva la vida!” do të buzëqeshte ai.
“Pse më çlodhin mundimet e së kaluarës? Pse më mundon çasti real?Pse më parakalojnë me sy njeriu ata që s‘janë më? Ata me të cilët ëndërruam dhe luftuam për lumturinë e Njeriut?
Këto fjalë shkruhen në njërin prej blloqeve të tij të xhepit, ndërmjet shënimeve të mbajtura për Lejania-n në vitin 1983. Kishte vite që Petro Markos i ishte hequr e drejta e botimit. është e tepërt të rendis e të përmend ngarkesën e dhimbshme të kohës. Në një xhep të xhaketës e shoqëron përherë “Komenti i jetës së Don Kishotit” i Unamunos në gjuhën italiane, i mbushur me nënvizime. Në faqen e parë të librit ka shkruar: “Petro Marko që luftoi në Mançë, 1937-1939 me parrullën Viva la Vida”. Këtë libër kur isha e vogël nga mënyra se si e mbante ai, e pandehja të njëjtë me një libër të shenjtë. Kur e prekja kisha të njëtin admirim.
Më vonë lexova “Don Kishotin”, por edne sot nuk e di se pse, nuk mundem që të lexoj Unamunon. Veç përsëri e shfletoj me adhurim, duke parë vende vende nënvizimet e babait. Ja e hap: faqe 63- “la visione del passato ci spinge alla conquista del futuro e col legno dei ricordi noi tutti armiamo la nave della speranza”. Anija e shpresës. Me durimin e kujtimeve.
Petro Marko më 25 nëntor të atij viti kishte shtatëdhjetëvjetorin e lindjes. Me durimin e kujtimeve ndërton anijen e shpresës. I rëndë është lundrimi në jetën e një njeriu-shkrimtar-luftëtar. I rëndë është lundrimi në jetën e cilitdo. Erërat që fryjnë mund të detyrojnë të ndryshosh drejtimin, ose ndoshta nuk të lejojnë qoftë edhe të nisesh.
“Kur dua të ringjall entuziazmin, i shmangem çastit aktual.”- shkruan ai. çfarë erërash frynin në vitin 1983? Po përpara vitit 1983?(çfarë erërash fryjnë e do të fryjnë…). Duke dashur t‘i shmanget çastit aktual(pra zhgënjimit ëndërrmbytës vërtetësisht të jetuar) ai rikthehet në fillimet e ëndrrës së Madhe. Lejania. Largësia? Si kohë? Si ëndërr? Si shpresë? Si luftë? Vargjet e varrosura së bashku me Ramiz Varvaricën, shokun e vrarë në betejë, luftojnë të ringjallen.
…Lejania është rikthimi në nisjen si ushtar i Jetës së bashku me vullnetarë nga të pesë kontinentet, në luftë për vëllazërimin dhe lumturinë e njeriut. Por sa larg, shumë larg kishte mbetur ajo kohë. Petro e rijeton, e rinis duke vënë në qendër një dashuri që lind në fluturim. Një dashuri në atmosferën e luftës “kur mortja është e lirë”.
Amada i dhuron Amados një katrore çokollatë. Të dy thonë se vijnë nga Universi. Një djalë dhe një vajzë. Në Arkën e Erosit. Nuk ka kufij. I njëjti ideal. Sakrificë-vetë Jeta.
Mbaj mend ligjërimet e përditshme të gjyshes dhe këngët burrërore që këndonin në fshat. Mbaj mend vargje të Homerit dhe të Virgjilit, të Dantes dhe të Bajronit, të Leopardit dhe të Karduçit, të De Radës dhe të Naimit, të Darës e të…” vazhdon të shënojë ai.
Petro Markos e shokëve të tij u vajtonte shpirti…Vullnetar i Brigadave Internacionale. Vullnetar i Lirisë. Partizan. Gazetar. Oet. Patriot. Internacionalist. Në vitin 1947 mbas çlirimit të atdheut të tij, rrihej, ofendohej, akuzohej e torturohej në qelitë e burgut shqiptar prej vetë shqiptarëve. Ai dhe shumë të tjerë.
“Liria e ëndërruar” kishte ardhur. Por ja që “në limanin e poezive nuk hyn era e tiranisë”- shkruan ai. Erërat e tiranive narciziste -pushtetdashuruara-përmbytjeprurëse ja që s‘qenkan veçse e erëra. Njerëzit, Njerëz mbeten Njerëz. Sa shumë u vranë duke luftuar për Lumturinë e Njeriut. U vranë jetësisht e shpirtërisht. Në një legjendë theror bëhet vetëm një. “Në jetën e jetuar theroret janë…kaq shumë. Në një përrallë të treguar, trimi është veçse një. Në jetën e jetuar trimat e trimëreshat janë, oh, sa janë!
“Si shumë jetova! Sa shumë ngjarje..shumë…shumë! Dhe mendoj: Tani që jam i vetëm: ku janë vitet e mia? Ku janë shokët e mi? Ku janë?…Sikur t‘i radhit, s‘kanë të sosur. Po ku janë? ç‘mbeti nga ëndrra e tyre?!, pyet Petro Marko në shënimet e tij. Në ditët e errësuara nga zhgënjimet dhe pësimet, arrinte deri atje sa t‘i thoshte Safos, mamasë time, se do të kishte qenë më mirë të ishte vrarë si vullnetar i brigadave internacionale, duke luftuar e besuar në idealin e tij. Nuk mund të pranonte një diell të rremë brenda mureve mjeshtërisht ndërtuar të padukshëm. Më lehtë ishte vdekja duke jetuar ëndrrën, sesa Jeta duke parë të vdiste ëndrra.
Sot “Lejania” është myy cerca (shumë pranë) megjithëse ai nuk mundi ta shohë atë të botuar ashtu si shumë vepra të tij. “Lejania” u botua 11 vjet pas largimit nga jeta të autorit. Ma pranoni sot ju lutem mallëngjimin ndër fjalët e mia. Ai nuk është më. Mund të zgjedhësh pak fjalë. Mund të thuash shumë fjalë. është jeta e një njeriu që e jetoi jetën e tij paralel me njerëzit dhe historinë. është jeta e babait tim. Petro Marko Janit. Vullnetar i Lirisë. Shqiptar. Bir i Universit”, thotë Aranita.