Albspirit

Media/News/Publishing

Auron Tare: Mbi dokumentet e CIA-s për Camajn e UDB

 

Më intrigoi një shkrim i Ardian Vehbiut. Dokumentet që përmend ai, unë i kam në dosjen time personale dhe janë gjetur gjatë kërkimeve në Arkivën e Deklasifikuar të CIA-s në Uashington. Martin Camaj në fakt përmendet disa herë në disa dokumente sekrete të oficerëve amerikanë që mbikëqyrnin aktivitetin e UDB-se ndaj fqinjit të tij Shqipërisë. Përmendja e një numri kosovarësh dhe në veçanti Martin Camaj e bën interesane debatin mbi përfshirjen e një numri emrash të kulturës shqiptare në veprimtari spiunazhi për llogari të fqinjëve. Ne fakt, nëse mund të interesohesh sado pak, mund të shikosh se Martin Camaj i arratisur nga  Shqipëria vendoset në Beograd, martohet me një vajzë serbe dhe është anëtar i Komitetit të Prizrenit, një organizatë politike e krijuar dhe financuar nga UDB-ja, me qëllim kontrollin e çdo lëvizjeje irredentiste kosovare. Sigurisht, përpara se të dilet me përfundime mbi rolin e Camajt apo të dikujt tjetër, duhen parë me shumë kujdes të gjitha dokumentet që deklasifikohen.  Duhen krahasuar me burime të besueshme si dhe me dëshmitarë, të cilët kanë njohur personazhet apo ngjarjet. Megjithatë, është interesant fakti se një djalosh i ri emigrant merr një bursë në Universitetin e Beogradit, arrin të punojë në Radio Beograd, pastaj në mënyrë paksa të turbullt përfundon në Gjermani, ku bëhet një prej pikave të rëndësishme të referencës së intelektualizmit shqiptar. Interesant është fakti se disa dëshmitarë e kanë njohur Martin Camajn në fundin e viteve 1980 tregojnë se Camaj interesohej shumë për çdo udhëtar shqiptar që arrinte të udhëtonte në Gjermaninë e kohës dhe shpesh kalonte me orë të tëra duke pyetur për çdo aspekt politik të Shqipërisë. Nuk do të doja të bëja polemikë me Vehbiun në këtë rast, por do të ishte me shumë interes shfletimi i disa prej dokumenteve të hapura tashmë për të parë disa prej referencave tona intelektuale në një këndvështrim krejt të ri. Komiteti i Prizrenit sipas amerikanëve u krijua nga UDB-ja si “si front për veprimtari pro-Jugosllave. Komiteti ka si qëllim edukimin politik dhe kulturor të refugjatëve shqiptarë. Komiteti vendos lidership shqiptar për grupet e shqiptarëve. Organizata ka Këshillin dhe Komitetin. Ka tre zv.kryetare, një për Serbinë, një për Maqedoninë dhe një për Malin e Zi. Për Serbinë, NIk Sokoli sekretar Islam Domi. Për Maqedoninë, Ugren Shegani, post që mbante Starova, por që është larguar. Malin e Zi, Caf Smajli. Apostol Tenefi është larguar nga Presidenca e Komitetit. Presidenti i ri është Hajrulla Ishmi, një komunist besnik. Gruan e ka serbe dhe Hero të Popullit. Lutfi Spahiu nuk është më anëtar i Komitetit Ekzekutiv, por kushëriri i tij, Ramadan Spahiu është anëtar. Martin Camaj, një anëtar i ri punon në Radio Beogradi. Gjeneral Dushan Mugosha ka një interesim shumë personal për çështjet e Komitetit”. Dokument i KAPOK (pseudonim i CIA-s, datë 3 janar 1955).

 

Please follow and like us: