Liria e medias: një leksion për palomedian
Avokat Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI
Liria e media mbetet një nga elementët thelbësor për një demokraci të shëndosh dhe funksionale. Liria e media buron në thelb nga e drejta themelore e lirisë së shprehjes. Ndërsa, e drejtat e shprehjes dhe mendimit garantohet nga neni 10 i Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut (KEDNJ), shumë akte të tjera ndërkombëtare, si dhe vetë Kushtetuta e RSH.
Ajo, pa dyshim, është një e drejtë shumë e rëndësishme, pa ushtrimin e së cilës njerëzit nuk do të ishin në gjendje të mbronin të drejtat e tjera dhe ushtrimi i saj mundëson një pjesëmarrje efektive në jetën politike të vendit. Me anë të pjesëmarrjes aktive në jetën politike të vendit, njerëzit mund të sigurojnë më mirë të drejtat e tjera dhe të parandalojnë dhunimin e tyre. Një qeveri nuk do të quhej demokratike, nëse nuk do t’u siguronte të gjithë individëve nën juridiksionin e saj, të drejtën e shprehjes dhe mendimit. Një demokraci nuk ka kuptim dhe nuk mund të funksionojë, nëse nuk sigurohet ushtrimi i të drejtë së shprehjes dhe të mendimit.
E drejta e lirisë së shprehjes dhe mendimit, përfshin edhe të drejtën e lirisë për të marrë ose për të dhënë informacione ose mendime, pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Çdo individ, ka të drejtë të shprehë mendimet e tij lirshëm, duke përdorur edhe mjetet e informimit publik. E drejta e lirisë së shprehjes dhe mendimit, lidhet ngushte me lirinë e medias. Liria dhe pavarësia në media, janë një parakusht për një shoqëri demokratike. Media, për shkak të rolit kontrollues që luan në raport me qeverinë dhe si mjet efikas jo vetëm për të ushtruar të drejtën e lirisë së shprehjes dhe mendimit, por edhe për të mbrojtur këtë të fundit, konsiderohet si një pushtet i katërt.
Megjithatë, kjo e drejtë nuk i ndalon shtetet që të vendosin një regjim autorizimesh për institucionet radiotransmetuese, të kinemasë ose të televizionit. Ushtrimi i këtyre lirive, përmban detyrime dhe përgjegjësi, prandaj mund t’u nënshtrohet disa formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara nga ligji, të cilat, në një shoqëri demokratike, janë masa të nevojshme për sigurimin kombëtar, integritetin territorial ose sigurimin publik, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për ruajtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e informatave të fshehta ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor. Në këtë kuadër, e drejta për t’u informuar dhe për të informuar, kufizohet në rastin e informacionit të klasifikuar si sekret shtetëror, apo bëhet me qëllim degradimin ose fyerjen e individëve. Gjykata gjithashtu në çështjen “Sunday Times”, ka tërhequr vëmendjen lidhur më pseudoseancat “gjyqësore” në media ose proceseve gazetareske të cilat në terma afatgjata mund të çojnë drejt asaj që shoqëria t’i refuzojë gjykatat si forumi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve juridike dhe të krijojnë një ide të gabuar mbi sistemin e drejtësisë. Një arsye legjitime për kufizimin e kësaj të drejte mund të jetë edhe mbrojtja e moralit. P.sh: nuk mund të konsiderohet si dhunim i kësaj të drejte, ndalimi i shpërndarjes së materialeve pornografike në ambiente publike ku gjenden persona të mitur, etj.
Një rast tjetër shumë domethënës që lidhet me të drejtën e shprehjes dhe të mendimit dhe lidhjen që ekziston ndërmjet saj dhe të drejtës të mendimit, të ndërgjegjes dhe të besimit, është rasti “Otto-Preminger-Institute kundër Austrisë, 1994”, në të cilin Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut theksoi se shteti legjitimohej të ndërmerrte veprime për të penguar media që të shndërrohej në një instrument që nxit dhunën dhe urrejtjen ndërfetare ” (shih edhe Erdoğdu kundër Turqisë 2000) etj.
Në shumicën e rasteve, faktor vendimtar për të legjitimuar ose jo një kufizim, është propocionaliteti në varësi të nevojave dhe rrethanave. Në respektim të së drejtës së lirisë së shprehjes dhe të mendimit, ndalohet me ligj çdo lloj propagande në favor të luftës dhe çdo thirrje për urrejtje kombëtare, raciale ose fetare që përbën një nxitje për diskriminim, për armiqësi dhe për dhunë.
E drejta e shprehjes dhe e mendimit, është e lidhur ngushtë edhe me zhvillimin e teknologjisë së lartë, kryesisht të fushës së komunikimit, e cila ndihmon në ushtrimin sa më efektiv të saj. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i teknologjisë dikton nevojën e marrjes së masave për parandalimin e fenomeneve negative që shoqërojnë këtë zhvillim si: krimi kompjuterik, pornografia e fëmijëve dhe forma të tjera propagande, të dëmshme për individin, ose për komunitetin, mbrojtja e jetës private, mbrojtja e dinjitetit të njeriut i cili është edhe thelbi i të drejtave të njeriut në tërësi, mbrojtja e familjes, mbrojtja e shoqërisë nga fenomenet negative etj.
Liria e media në Shqipëri
Liria e medias në Shqipëri është kanosur historikisht nga prirja e gjithë qeverive pas viteve 90 e në vijim, për ta censuruar që si qëllim final ka pasur monopolizimin e medias si mjet për luftën e tyre politike, si dhe për të parandaluar që publiku të mos marr dijeni për shkeljet ligjore, skandalet dhe gjithë abuzimet e saja me pushtetin shtetëror. Ndërkohë, së fundmi kanosja më e madhe ndaj lirisë së medias, është vetë liria e pakufishme e saj për të publikuar çdo gjë pa menduar për pasojat dhe duke shkelur në mënyrën më flagrante të mundshme, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Sot media kanoset më së shumti nga vetvetja, nga mungesa e profesionalizmit dhe përdorimi i media dhe gazetarisë si mjet fitimi duke shkelur parimet themelore të gazetarisë. Ndërsa liria e media është e garantuar, vetë media duhet të kuptojë që kjo liri sikurse edhe çdo liri tjetër, ka disa kufij të cilët nuk mund të tejkalohet.
Kufiri i parë i gazetarisë është qëllimi origjinal i saj për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm të shoqërisë. Kjo do të thotë që s’përbën lajm dhe as interes publik, asgjë e cila nuk ndikon në interesin e përgjithshëm të shoqërisë.
Kufiri i dytë është marrëdhënia e pazgjidhshme e gazetarisë me të vërtetën. Asnjë lajm s’mund të përbëj lajm nëse nuk konfirmohet sipas parimeve të gazetarisë për t’u siguruar që vërtetësia e tij të mund të mos vihet në dyshim.
Kufiri i tretë, respektimi i dinjitetit njerëzor dhe rrjedhimisht i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Që do të thotë mbajtja e një ekuilibri të drejtë midis të drejtës për të informuar dhe të drejtave të individëve të cilët prekën nga publikimi i një lajmi. Në thelb, kufijtë e medias, përcaktohet nga parimet e përgjithshme të së drejtës, normat juridike dhe parimet e profesionit të gazetarisë. Një media e vërtet nuk mund të garantohet përveçse nëpërmjet një kuadri ligjor të plotë dhe nga gazetarë profesionistë të cilët jo vetëm informojnë shoqërinë, por me dijen dhe profesionalizmin e tyre edukojnë shoqërinë e deri mobilizojnë popujt të tërë për të luftuar për lirinë e tyre.
Ndërkaq, për fatin e keq, mediat në Shqipëri sidomos ato elektronike, nëpërmjet të ashtuquajturve portale janë plotësisht jashtë çdo lloj kontrolli dhe janë shndërruar në forume ku nëpërmjet disa fletërrufeve të shëmtuara dhe banale u bëhet “gjyqi” njerëzve, u shkatërrohet jeta njerëzve, masakrohet familja, masakrohet shoqëria, dhunohen deri në ekstrem fëmijët, dhunohet gruaja e gjithkush tjetër që i del përpara. Gjithashtu, jo në pak raste shumë nga këto palo media janë shndërruar në thuajse faqe pornografike. Nga ana tjetër, për fatin e keq, vetë publiku ynë është gjithnjë e më shumë konsumator i këtyre pseudolajmeve, të cilat dramën dhe tragjedinë familjare, shoqërore dhe personale e shndërrojnë në një humor të radhës. Për fatin e keq, këto fenomene kanë prekur herë pas here edhe faqet online të shtypit tradicional shqiptar, të cilat i mbushin faqen e tyre me këto paçavure mediatike në kërkim të ndonjë klikimi më shumë.
Në fakt, jo më larg se dje, një tragjedi familjare e cila përfshinte fëmijë të mitur u bë lajmi i radhës ku shumë njerëz nuk hezituan ta shndërrojnë atë në postimin e radhës së faqeve të tyre në rrjetet sociale, apo shumë të tjerë jepnin pëlqimin e radhës. Kjo shëmtirë mediatike, e paligjshme e cila dhunon në thelb një seri të drejtash themelore dhe shndërrohet në një instrument që nxit dhunë dhe konfliktin sociale, jo vetëm që u përhap si kolere nga portali në portal, por nuk tërhoqi aspak as vëmendjen e strukturave përkatëse të shtetit të cilat duhet të merrnin në mbrojtje të menjëhershme fëmijët dhe të ndërmerrnin veprimet e duhura për të parandaluar pasoja të tjera të rënda që vijnë nga raste të tilla. Janë pikërisht, këto lajme dhe shumë lajme të tjera të cilat thuajse çdo ditë cënojnë rëndë dinjitetin e personave të përfshirë, cënojnë rëndë të drejtën e jetës private, cënojnë shëndetin dhe integritetin mendor e fizik të personave të përfshirë, shkatërrojnë familjen dhe keqedukojnë shoqërinë, por që fatkeqësisht për shumicën e shoqërisë tonë janë një klikim i radhës.
Natyrisht, kjo situatë e cila ka dalë jashtë kontrollit, kërkon miratimin e akteve të nevojshme ligjore që të parandalojnë këtë maskaradë denigruese për dinjitetin e njeriut dhe të garantojë mundësinë e veprimit të ligjit ndaj çdo pseudogazetari dhe pseudomedia që shkel ligjin, që tejkalon kufijtë e lirisë së media dhe që shkel të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Përgjegjësia ligjore e këtyre që mbushin xhepat e tyre nëpërmjet keqpërdorimit të misionit të media duhet të përfshijë edhe përgjegjësi penale për disa raste serioze të cilat duhet të parashikohen në Kodin Penal. Madje, edhe veprave penale që parashikohen aktualisht nga Kodi Penal dhe që kanë për qëllim mbrojtjen e nderit, dinjitetit, jetës private, paprekshmërisë së banesës etj, duhet t’ju ashpërsohen dënimet.
Kështu, të gjithë ju palogazetarë para se të publikoni diçka, bëni vetes tuaj pyetjet si vijojnë:
- A po bëni një ndërhyrje në një të Drejtë të Njeriut ?
- A është kjo ndërhyrje e bazuar në ligj?
- A është ndërhyrja e bazuar në një qëllim legjitim?
- A është ndërhyrja e nevojshme në një shoqëri demokratike?
Dhe nëse përgjigjet që merrni, janë të gjitha po, atëherë mund t’ia lejoni vetes publikimin e një lajmi, por përsëri para se ta bëni mendoni që media i shërben interesit të publikut dhe asnjë interesi tjetër dhe se misioni i dytë i media pas informimit është edukimi.
Në përmbyllje, po sjell një citat nga juristi i famshëm Anglez William Blackstone i cili thoshte: “Liria e shtypit është thelbësore për natyrën e një shtetit të lirë… Çdo njeri i lirë ka të drejtën e pamohueshme për të shprehur ndjenjat e tij në publik dhe të ndalosh një gjë të tillë është të shkatërrosh lirinë e shtypit, por nëse ai publikon diçka të pavend, të dëmshme ose të paligjshme ai duhet të përballet me pasojat e guximi të tij… Në thelb censura e pafytyrësisë është mbrojtja më e mirë e lirisë së shtypit…”.