Albspirit

Media/News/Publishing

Tonin Çobani: Gjergj Fishta në gjyqin e Mustafa Nanos

Një opinionist, cilido qoftë ai, nuk mund të gjykojë dy herë radhazi Poetin Kombëtar, Gjergj Fishtën, thjeshtë sepse shkrimtarët dhe veprat e tyre nuk mund të jenë objekt i punës së opinionistëve. Herën e parë ky opinionist e shpalli fashist Poetin, ose mbajti krahun e atyre që kishin gjetur diku një letër, e cila vertetueka flirtin e tij (të Fishtës) me fashizmin, duke e shplarë gojën me një “Shyqyr që Gjergj Fishta ka egzistuar”.

Dhe, herën e dytë, po ky opinionist e denigron veprën kryesore të Poetit Kombëtar (dhe të letërsisë shqiptare të të gjitha kohërave), “Lahutën e Malcis”, si një poemë epike që i bie ndesh historisë së popullit të vet, duke arritur në një përfundim që tashmë fillon jo me “shyqyr”, por me “gjynah”: “Gjynah! Vepra më e mirë e një poeti si Gjergj Fishta meritonte një fabul më të denjë historike”. (f.339)

Ky opinionist është Mustafa Nano. Dhe ky gjykim i dytë tirret gjatë në librin e tij të fundit “Sandwich, A është mirë me qenë shqiptar?”, me parathënie nga Pëllumb Xhufi”, Nano, si një publicist me përvojë, është i përmbajtur gjatë shpalosjes së opinioneve të veta, le t’i quajmë, albanologjike (ose me pretendime të tilla).

Së paku, nuk është kategorik në mënyrën se si realizohet në spekulimet e tij. Ai  i përgatit  paraprakisht lexuesit, duke i përshkallëzuar opinionet që formulon. Kështu, më parë se “të kritikojë nervin antisllav të At Gjergj Fishtës në “Lahutën e Malcis”” (“nervi antisllav i At Gjergj Fishtës” është formulim i Pëllumb Xhufit  në parathënie të librit, f.4-5), lexuesit janë akomoduar prej disa përfundimesh të tjera të ngjashme, si b.f., për “Këngën e Kalasë së Shkodrës”, ku paska nja dy-tre vargje shumë të dobëta në krahasim me variantin serb të kësaj balade (me titull, po, “Kënga e Kalasë së Shkodrës”), të kënduar me gusla (jo me lahutë) dhe në gjuhën serbe.

Për të qenë korrekt me opinionistin tonë, duhet të themi se edhe variantin serb ai e ka stigmatizuar për vargje e strofa (a fragmente) të dobëta kur “gruaja e vëllait të vogël shfaqet si qaramane, u përgjërohet burrit e kunetërve” (shënimi në f.311). Mirëpo kështu gjithçka bëhet për të arritur në atë përfundim befasues, që e cekëm më lart, se në variantin shqip nusja e vëllait të vogël thotë “vargjet më të dobëta të poemës në shqip”, sepse qenkan shprehur “në mënyrë tepër deklarative: E kalaja u forcoftë\ djali i em e gëzoftë \ u bëftë krajl e luftoftë”

Por spekulimet nuk përfundojnë me kaq. Është edhe shkalla tjetër. Kështu, kur shpjegon se në folklorin e tyre “shqiptarët konfliktin e kanë me shkjetë”, Muç Nano shton në mënyrë spekulative: “Është pak i mistershëm, ndoshta mistik, fakti që në traditën gojore të shqiptarëve i këndohet një armiqësie me sllavët, që është më e thukët dhe më e bujshme se sa ajo që është verifikuar në histori”.

Dhe më tej (shkallëzimi tjetër spekulativ) vazhdon duke ironizuar vargjet e “Lahutës së Malcis” për Oso Kukën dhe Vraninën.  Madje edhe vargjet për mbrojtjen e Plavës e Gucisë. Toponime të tilla, si: Vraninë, Plavë, Guci, Rrzhanicë, Nokshiq, Sutjeskë, Hot, Deçiq… opinionisti ynë nuk i sheh për asnjë çast si emërvende ku shqiptarët kanë shkruar me heroizëm historinë e tyre, por thjeshtë si lokalitete e fshatra pa kurrëfarë historie për t’u mbajtur mend…

Është rasti këtu t’i kujtoj autorit të “Sandwich-it…”, për të cilin dyshoj ta ketë lexuar ndonjëherë deri në fund “Lahutën e Malcis” (dhe aq më pak veprën e plotë disavëllimëshme të Gjergj Fishtës) se bleni i parë i “Lahutës… “ (Te Ura e Rrzhanicës) është botuar më 1904\5 dhe i dyti (Vranina) më 1907. Pra, epopeja e shqiptarëve është botuar më parë se të bëhej Shqipëria (apo Shqypnia). Të dy ata blene, që së bashku kanë 10 këngë, janë ribotuar nga 5-6 herë, më parë se të përfshiheshin në botimin përfundimtar me 30 këngë të “Lahutës së Malcis” (1937).

Edhe diçka tjetër. Bleni II flet për heroizmin e Oso Kukës, një oficer shqiptar në shërbim të Perandorisë Osmane, i cili bie duke mbrojtur trojet shqiptare të Vraninës (ishull i vogël në Liqenin e Shkodrës, banuar nga shqiptarë). E përse ky episod nuk qenka një fabul e denjë historike për një vepër kombëtare si “Lahuta e Malcis”?

Bleni i parë flet për plakun e urtë Marash Uci, i cili ka shërbyer si ushtar i Perandorisë deri atje ku piqet buka në diell. Kur merr vesh se sulltani nuk po i del zot shqiptarëve në trojet e tyre, braktis prona e bagëti për t’i dalë zot vetes dhe trojeve të Malësisë. Bleni i tretë flet për bëmat e Ali Pashë Gucisë dhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Më tej këndohet pader Gjoni e Tringa, heroizmi i shqiptarëve (gegë e toskë), Dedë Gjo Luli që i ka kthyer armët turqve dhe ngre flamurin në Deçiq etj etj… Edhe këto episode nuk qenkan një fabul e denjë historike për një vepër kombëtare si “Lahuta e Malcis”?

Më tej vjen pyetja që shtrohet për të përfunduar: përse një opinionist i njohur i ditëve të sotme shqetësohet kësisoj prej historisë së vendit të vet, sado larg katundit të tij qoftë ai lokalitet, në të cilin është krijuar një histori për t’u mbajtur mend si histori kombëtare? Një përgjigje (më saktë një opinion) e provokon vetë opinionisti ynë kur shkruan kinse po predikon të vërteta absolute se “Shqiptarët ishin me turqit. Malazeztë me rusët… E vërteta është që çdo ngjarje e historisë së malazezve gjatë 3-4 shekujve të fundit është e lidhur me rusët, dhe është pikërisht ky fakt që e bën të pabesueshme sot në vitin 2017 anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, që është një organizatë ushtarake antagoniste me Rusinë. Mirëpo … çdo gjë mund të ndodhë.” (f.326).

Në analogji me këtë opinion (opinion–shashkë do të ishte më mirë të quhej) shqipëtarëve dhe malazezve u propozohet ta rishkruajnë historinë e tyre, meqenëse tashmë bëjnë pjesë prej së vërteti në NATO. Madje poetëve kombëtarë të të dy shteteve u bëhet apel të ngrihen nga varret e tyre, ku i kanë (si është rasti i Petar Njegoshit të malazezve) dhe ku nuk i kanë (si është rasti i Gjergj Fishtës të shqiptarëve) dhe të rikrijojnë fabulat e kryeveprave të tyre kombëtare: “Kurora e Maleve” (Njegoshi) dhe “Lahuta e Malcis”(Fishta), sepse vetëm kështu demek do të jenë të besueshëm në anëtarësimin e tyre në NATO. Pas këtaj opinionistët shqiptarë do të paraqesin projektin pilot për ndërtimin e një konflikti të ri artistik të romanit “Lufta dhe Paqja” të Leon Tolstoit, sepse çdo gjë mund të ndodhë… Gjynah!

Please follow and like us: