Ukraina kërcënon Kusturicën për vizitën e tij në Krime
Ukraina kërcënoi se do të ndjekë penalisht dhe ndalojë regjisorin e famshëm serb Emir Kusturica të hyjë në territorin e saj pasi ai vizitoi Krimenë dhe lavdëroi marrjen e gadishullit nga Rusia.
BIRN
Ambasada ukrainase në Beograd i dërgoi një letër të hapur Kusturicës të martën, duke paralajmëruar se kushdo që shkel Ligjin e vendit për Territoret e Pushtuara Përkohësisht duke vizituar Krimenë e aneksuar nga Rusia do të ndiqet penalisht. “Një nga ndëshkimet për shkeljen e ligjit është ndalimi i hyrjes në territorin ukrainas për një periudhë pesë vjeçare”, tha ambasada në letër.
Më 23 korrik, Kusturica mbajti një koncert në Yalta, në gadishullin e Krimesë, me grupin e tij muzikor “No Smoking Orchestra”. Para koncertit, ai citoi se bashkimi i Krimesë dhe Rusisë ishte një “proces natyral organik” dhe i bëri thirrje qytetarëve të Krimesë ta zhvillojnë gadishullin si “pjesë të Rusisë të madhe”. Ambasada tha se i vinte keq për faktin që Kusturica “mbështeste agresorin, Rusinë”, duke shtuar se 11,000 njerëz, përfshirë artistë të famshëm, kanë vdekur gjatë konfliktit midis Ukrainës dhe Rusisë. Kusturica nuk qe i disponueshëm për një koment të martën. Rusia e aneksoi Krimenë në vitin 2014, pas një referendumi tepër të diskutuar në të cilin njerëzit votuan se gadishulli ukrainas duhej t’i bashkohej Rusisë. Si Ukraina ashtu edhe Perëndimi e konsiderojnë të paligjshëm referendumin dhe aneksimin si pushtim të territorit ukrainas nga ana e Rusisë. Në letrën e saj, ambasada ukrainase shtoi se Kievi ende e mbështet fuqimisht Beogradin në lidhje me politikën e Kosovës dhe nuk e ka njohur pavarësinë e kësaj të fundit.