5 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë u mbaroi mandati
Ditën e sotme 5 gjyqtarë të Gjykatës së lartë kanë dorëzuar mandatin e tyre në mënyrë vullnetare. Gjyqtarët që kanë lënë detyrën janë Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj, Evelina Qirjako, Arjana Fullani dhe Andi Çeliku. Arsyeja është sepse gjyqtarëve u ka mbaruar mandati 9-vjeçar.
Njoftimi nga Gjykata e Lartë
Në zbatim të detyrimeve kushtetuese, Kryetari i Gjykatës së Lartë, me datë 29.06.2017, thirri mbledhjen e trupës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, në të cilën kërkoi deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtarëve Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, Guxim Zenelaj, Arjana Fullani dhe Andi Çeliku.
Trupa e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pas konstatimit të plotësimit të mandatit 9 vjeçar me datë 28.07.2017 të gjyqtarëve të sipërpërmendur si anëtarë të kësaj gjykate, vendosi deklarimin e mbarimit të mandatit për secilin prej tyre.
Kryetari i Gjykatës së Lartë, me shkresën nr. 2859 datë 30.06.2017, ka njoftuar Presidentin e Republikës, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për vendimmarrjen e trupës gjyqësore të Gjykatës së Lartë lidhur me mbarimin e mandatit të këtyre gjyqtarëve, duke theksuar se, sipas ndryshimeve të reja kushtetuese, dhe konkretisht pikës 5 të nenit 136 të Kushtetutës, gjyqtari i Gjykatës së Lartë qëndron në detyrë deri në emërimin e pasardhësit.
Gjyqtari Guxim Zenelaj me datë 28.07.2017 dhe gjyqtarët Aleksandër Muskaj, Evelina Qirjako, dhe Arjana Fullani me datë 31.07.2017, në mënyrë individuale, kanë paraqitur një shkresë drejtuar Kryetarit të Gjykatës së Lartë, më të cilën e njoftojnë për dorëzimin e detyrës si anëtarë të Gjykatës së Lartë, për shkak të mbarimit të mandatit si anëtarë të kësaj gjykate.
Lidhur me dorëzimin e detyrës nga këta gjyqtarë, Kryetari i Gjykates se Lartë, më datë 31.07.2017 njoftoi edhe Presidentin e Republikës.