Albspirit

Media/News/Publishing

Carlo BOLLINO: Edhe ritransmetimi i videos së asaj gruaje është gazetari hijenash

Që prej disa ditësh shumë media shqiptare po ritransmetojnë videon e një gruaje të re që është kapur në shtrat me të dashurin.
Skena, e regjistruar me celularin e kunatës së viktimës, përfshin edhe dy fëmijët e gruas, të terrorizuar nga ulërimat dhe kërcënimet e kunatës që bën vetëgjyqësi, e cila hyn në dhomën e gjumit me qëllimin e vetëm për t’i bërë shantazh gruas.
Vëllai i saj, burri i gruas “tradhëtare”, ka katër vjet që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku duket të ketë harruar se ka lënë grua e fëmijë në Shqipëri. Por kjo ka të bëjë më aspektin privat të kësaj ndodhie, mbi të cilin do të shmangim shprehjen e çfarëdo gjykimi.
Por, një gjykim duam ta shprehim mbi këtë lloj gazetarie, të cilën edhe ta quash gazetari i ke dhënë shumë. Te hysh në jetëm private të të tjerëve, normalisht, është një abuzim që i falet shtypit në emër të interesit publik. Ne gazetarët kemi të drejtë – por edhe këtu brenda disa kufijve të caktuar – të shkelim privatësinë e njerëzve të zakonshëm, vetëm në rast se kjo diktohet nga interesi publik që ngjall historia që do të trajtohet.
Po kush është interesi publik që fshihet pas historisë së një gruaje, të braktisur nga i shoqi, që krijon një marrëdhënie jashtëmartesore? Nuk ka fare. Atëhere, transmetimi i asaj video është një krim profesional. Pikë.
Skena si kjo, të treguara në një televizion të Tiranës (e më pas të riprodhuara me zell dhe dëshirë nga dhjetëra media të tjera) të sjellin ndërmend skena të ngjashme të transmetuara në vende integraliste, ku gra të reja i tërheqin zvarrë publikisht për t’i ndëshkuar për fajin se kanë tradhtuar burrin.

Në disa raste vriten fizikisht me gurë, në të gjitha rastet e tjera vriten moralisht me video. Ja pra, ajo që ndodhi në Tiranën e djegur nga dielli në vitin 2017 është identike me atë Mesjetë fetare dhe kulturore, nga e cila mendojmë se jemi aq larg.
Edhe më i pështirë është fakti që ka “gazetarë”, të cilët hiqen sikur skandalizohen dhe distancohen nga ai tmerr profesional që bëhet duke transmetuar videon dhe shkruajnë artikuj plot moral e leksione profesionale, por më pas i ngjitin artikullit të tyre me denoncime pikërisht të njejtën video, që sapo kanë denoncuar.
E sajohen intervista, analiza e komente, me qëllimin e vetëm që të gjendet një pretekst për të ritransmetuar edhe një herë atë video dhe për të fituar ndonjë klikim.
Kjo nuk është gazetari. Kjo është punë hijenash dhe ai që e ka transmetuar për herë të parë atë video është fajtor, po as sa edhe ai që e ka ri-transmetuar: janë mbeturina të mediave, kundër të cilave, në një vend të qytetëruar Autoriteti i Mediave Audiovizive ose sindikatat e gazetarëve do të merrnin kundërmasa, ndërsa në Shqipëri nuk ndodh asgjë.
Fjala “kazan mediatik” i përket vetëm show-t të politikës, i cili, pikërisht sepse është një show, vihet në skenë përjetësisht në mënyrë identike, për të përkëdhelur protagonistët dhe që, në fund të fundit, të mos ndryshojë asgjë./shqiptarja.com/

Please follow and like us: