Publikohet kontrata e ministres Cami me francezët. Drejtori i Kinostudios: Zoti Piccoli, ne s’jua plotësojmë dot kërkesat tuaja për “Gjeneralin”
Dashnor KALOÇI
Në mesin e vitit 1982, kur shoqëria filmike franceze “FLMSS 66”, e përfaqësuar nga aktori i njohur Michel Piccoli, ishte bërë gati për të ardhur në Shqipëri dhe për të filluar xhirimet e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sipas skenarit të përshtatur nga romani me të njëjtin titull të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, papritur u ndeshën me një sërë problemesh të ngritura nga pala shqiptare, e cila iu propozonte për një shtyrje të fillimit të xhirimeve. Gjë e cila për ta, as më shumë dhe as më pak do të thoshte se realizimi i filmit nga ana e tyre ishte në kufijtë e së pamundurës. Por cila ishte arsyeja kryesore që pala shqiptare u nxirrte pretendime pas pretendimesh francezëve dhe, a kishte mundësi reale shteti shqiptar për t’i qëndruar korrekt kontratës që kishte lidhur me shoqërinë filmike “FILMSS 66”? Nga shumë burime të besueshme bëhet e ditur se pretendimet e palës shqiptare për realizimin e filmit s’ishin gjë tjetër veçse pretekste subjektive të ngritura artificialisht për “t’ua nxirë jetën” francezëve, aq sa i detyroi ata që të tërhiqeshin nga projekti i tyre për realizimin e filmit dhe më pas ta zhvendosnin atë në jug të Italisë, siç dhe ndodhi më pas. Problemi kryesor ishte “çështja Kadare”, autori i skenarit të filmit, ndaj të cilit pikërisht në ato ditë, në një nga qelitë e hetuesisë të Burgut 313 në Tiranë (ku zhvillohej procesi hetimor i të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut dhe Kadri Hazbiut”), “po rrëfehej” ish-ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, duke akuzuar edhe Kadarenë si pjesëtar i atij grupi. Por edhe pse “dosja Kadare” u mbyll, filmi “Gjenerali…” nuk u realizua dot, dhe arsyet e vërteta nuk u thanë kurrë e nuk janë bërë ende publike edhe sot, pas 27 vjetësh nga shembja e regjimit komunist. Ndërsa, lidhur me pengesat dhe pretendimet e palës shqiptare (me një pjesë të të cilave u njohëm në kapitullin e kaluar), bëhet fjalë në këto dokumente arkivore të deklasifikuara tashmë, që po i publikojmë të plota në këtë pjesë të librit.
INFORMACION
MBI PROBLEMET PER XHIRIMIN E FILMIT “GJENERALI I USHTRISE SE VDEKUR”
Më 28 korrik erdhi në vendin tonë Mishel Pikoli dhe Hyg Nonn, drejtor i filmit, për të përfunduar përgatitjet për fillimin e xhirimeve të filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Pikoli u largua më datë 4 gusht dhe po këtë ditë erdhi Luçiano Tovoli (regjisori i filmit), i cili mbasi pa edhe një herë vendet e xhirimit, u largua më 18 gusht. Ndërsa Hyg Nonn do të largohet më 25 gusht së bashku me Zhan-Lyk Milori, asistent regjisor i parë dhe Domink Tabyto, asistent regjisor i dytë, të cilët erdhën më 4 gusht.
Sipas porosive të dhëna nga K.Q i PPSH, shoku Vangjush Zallëmi mori takim me Luçiano Tovolin dhe personat e tjerë të palës franceze, të cilëve u ka shtruar këto probleme:
1. Filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” nuk është një bashkëprodhim me Kinostudion “Shqipëria e Re”. Ajo i jep vetëm ndihmë teknike, prandaj filmi është prodhim ekskluziv i “Filmss 66”. Si rrjedhim, në titujt e filmit të lartpërmendur nuk do të pasqyrohet personeli shqiptar dhe shërbimi i Kinostudios “Shqipëria e Re”.
2. Mbasi të rishikohen vendet e xhirimit, para largimit pala franceze duhet të saktësojë afatet e xhirimit dhe kërkesat që kanë. U theksua se shtyrja e herëpashershme e afateve i ka sjellë pengesa dhe dëme Kinostudios, prandaj është e domosdoshme që afatet që do të caktohen të respektohen sipas marrëveshjes që do të nënshkruhet nga të dyja palët. Shkelja e afateve të përcaktuara në marrëveshje do të sjellë prishjen e saj dhe Kinostudioja nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi për xhirimin e filmit.
3. Pala franceze duhet të dërgojë listat për personelin që do të marrë pjesë në xhirimin e filmit me të gjitha gjeneralitetet përkatëse. Këto të dhëna t’ua dërgojë edhe ambasadave tona në Paris dhe Romë, si dhe Kinostudios.
4. Iu sugjerua që xhirimi i filmit të fillojë më 14 tetor dhe të përfundojë 25 dhjetor 1982.
5. Mbasi të përcaktohen të gjitha shpenzimet që duhet të bëjë Kinostudioja, sipas preventivave dhe listave përkatëse, pala franceze duhet të derdhë në bankën e shtetit shqiptar të gjithë shumë e nevojshme një muaj para fillimit të xhirimit të filmit.
6. “Filmss 66”, me të mbaruar filmi, duhet t’i japë Kinostudios një kopje dubël-negative falas për përdorim brenda vendit.
7. Gjithashtu u sugjerua që të grupohen vendet e xhirimit dhe të evitohet ndonjë objekt i përcaktuar më parë për t’u xhiruar.
Lidhur me këto probleme, grupi francez ka dhënë këto përgjigje:
1. Ramë dakord që të nënshkruhet një marrëveshje dhe t’i përmbahen asaj. Theksuam se më datë 25 gusht do të përcaktojmë të gjitha gjërat dhe marrëveshja e firmosur do t’i paraqitet Kinostudios brenda gushtit.
2. Ramë dakord të dërgojmë listat me të gjitha formalitet e nevojshme. Më datë 6 gusht M. Pikoli ka dërguar listat emërore të teknikëve e të artistëve francezë, të teknikëve italianë, por në të nuk përfshihen akoma emrat e listave të artistëve italianë. Ka premtuar se edhe pjesën tjetër do ta dërgojë së shpejti.
3. U përgjigjën se xhirimet e filmit do të fillojnë më datë 14 tetor dhe do të përfundojnë më datë 25 dhjetor. Gjithashtu u shprehën se iu vjen keq që nuk e bënë xhirimin e filmit në afatet e caktuara më parë për shkak të arsyeve financiare.
4. Kanë dërguar një pjesë të fondeve dhe kanë shtuar se pjesën tjetër, sipas marrëveshjes, do ta dërgojnë së shpejti.
Nga korrespondencat dhe bisedat e zhvilluara këto ditë, grupi franko-italian ka paraqitur në Kinostudio kërkesat e mëposhtme:
1. Të vërë në dispozicion për xhirimin e filmit një personel teknik dhe artistik prej 30 vetash, kundrejt pagesës.
2. Të përgatisë objektet e xhirimit dhe dekoret në natyrë.
3. Të vërë në dispozicion të grupit francez mjetet teknike për lëvizjet e grupit, dhe konkretisht 5 vetura, 9 autobusë, 15 kamionë, si dhe mjete të tjera që do të përdoren për rekuizitën.
4. Të sigurojmë një numër kostumesh dhe rekuizitë për xhirimin e filmit.
5. Të sigurojmë rreth 1.000 figurantë, sipas episodeve që do të xhirohen në film, ndër të cilat nusen, dhëndrin, një portier dhe një pastrues në hotel “Dajti”, role këto të fundit të vegjël pa fjalë.
6. Filmi që do të xhirohet pjesë-pjesë duhet të niset çdo të mërkurë në Paris, por dogana e Rinasit nuk duhet t’i hapë kutitë e filmit, mbasi filmi është i pazhvilluar dhe del jashtë përdorimit. Kutitë me film duhet të shoqërohen në aeroport nga një përfaqësues i grupit francez dhe një shqiptar, dhe këto laboratori i Parisit do t’i kthejë në video-kasetë për t’u parë në Shqipëri nga grupi.
7. Në episodin e natës, kur prifti me gjeneralin dalin në ballkonin e hotel “Dajtit”, karshi hotelit duhet të lëvizin disa tanke e mjete transporti dhe rreth 150 ushtarë, për të dhënë përshtypjen e përgatitjes së paradës.
9. Shpenzimet e fjetjes dhe të ushqimit grupi do t’i bëjë pranë hoteleve me para në dorë. Ndërsa shpenzimet e tjera do të bëhen nga Kinostudioja, të cilat faturohen çdo javë të firmosura nga përfaqësuesi i grupit francez dhe ai i Kinostudios, dhe pastaj banka do t’ia kalojë Kinostudios.
10. Shpenzimet e karburantit për automjetet që do të jenë në dispozicion të grupit, si dhe ato të rekuizitës, do të bëhen direkt nga pala franceze. Kanë shfaqur dëshirën që në vendet e xhirimit të krijohen kushte të përshtatshme shërbimi.
11. Kanë çelur kredi në bankën tonë, nga e cila kanë mbetur pa u konsumuar 87.000 franga, të cilat do të shërbejnë për shpenzimet e përgatitjes së objekteve të xhirimit.
12. Kanë shprehur dëshirën se nuk janë të mendimit të lejohen të vijnë në Shqipëri, për qëllime reklame të filmit, gazetarë apo fotografë të huaj.
13. Kanë kërkuar që gjatë kohës së xhirimit disa nga pjesëtarët e grupit kanë dëshirë të sjellin në Shqipëri për një kohë, me shpenzimet e tyre, gratë, burrat dhe fëmijët e tyre.
14. Nga Italia, përveç materialeve të ndryshme, si aparatura xhirimi etj., do të sjellin nëpërmjet Tivarit me vapor katër makina speciale xhirimi. Kanë theksuar se gjatë lëvizjeve nëpër Shqipëri këto të jenë në autokolonë, së bashku me makinat e tjera të grupit të shoqëruara nga makina shqiptare, si dhe nga një person i grupit shqiptar. Njëkohësisht kërkojnë që një makinë e “Transshqipit” me sipërfaqe të lirë prej 20 m3 dhe me një peshë 1 ton e gjysmë të jetë në Paris më 20 shtator për t’u ngarkuar, që më 24 shtator të niset për në Tiranë.
15. Mishel Pikoli ka kërkuar që, me qëllim që filmi të bëhet në kushte sa më të mira dhe që pala shqiptare të njihet me mënyrën e punës të grupit franko-italian dhe me personelin e tij, gjatë ditëve të fundit të përgatitjeve të xhirimeve të filmit në Romë, pra rreth datës 29 shtator deri më 13 tetor, Todi Bozo dhe Ylber Zeraliu të dërgohen në Romë me shpenzimet e udhëtimit dhe të qëndrimit të “Filmss 66”.
Duke i studiuar me kujdes kërkesat e bëra nga grupi francez, janë të mendimit se pjesa më e madhe e kërkesave të tyre mund të plotësohen nga ana jonë. Ndërsa për disa kërkesa kemi këto mendime:
1- Nuk jemi dakord që disa nga pjesëtarët e grupit të sjellin në Shqipëri pjesëtarët e familjeve të tyre.
2- Makinat speciale për xhirimin e filmit janë të domosdoshme për këto, sipas rregullave do merret miratim nga Ministria e Punëve të Jashtme, po kështu edhe për makinën e “Transshqipit”, që do të ngarkohet në Paris.
3- Nuk e shikojmë të nevojshme të shkojnë në Itali për dy javë për t’u njohur me mënyrën e punës të grupit franko-italian Todi Bozo dhe Ylber Zeraliu. Shokët që kanë shoqëruar grupin për të shikuar vendet e xhirimit, i kontrolluan ato edhe një herë me shefin e sektorit ushtarak të Komitetit Ekzekutiv të Korçës dhe atë të Gjirokastrës, dhe në bazë të sugjerimeve të tyre u hoqën disa vende nga lista e xhirimit, për të cilat ra dakord edhe grupi francez. Mendojmë që gjatë kohës së xhirimit të filmit, do të jetë mirë që një specialist i Ministrisë së Mbrojtjes të inkludohet me grupin e punonjësve tanë të Kinostudios që do të punojë me grupin franko-italian të xhirimit, i cili të kontrollojë dhe të ndjekë nga afër xhirimet. Për këtë gjë do t’i propozojmë Ministrisë së Mbrojtjes. Gjërat kryesore që lidhen me xhirimet e filmit, disa nga të cilat ngrihen edhe në këtë informacion, do të përcaktohen në marrëveshjen që do të nënshkruhet midis Kinostudios dhe “Filmss 66”.
Tiranë, më 23.8.1982
Ministri (Tefta Cami)
………………………………
Sh. Reiz
Po ju dërgoj projektin e përgjigjeve që mund t’u jepen francezëve.
Ju lutem i shikoni shpejt sepse duhet t’i komunikojmë me shokun Manush.
Dt. 24.8.1982 Të fala
Shënim: Vërejtjet tona ia dhashë shoqes Tefta në telefon sipas shënimeve në dorëshkrim. Ramë dakord që për këto të marrë miratimin nga shoku Manush.
Reiz Malile. 24.8.1982
………………………………
DISA ARSYE QE MUND T’I NGRIHEN PALES FRANCEZE PËR SHTYRJEN E AFATIT TE XHIRIMIT TE FILMIT “GJENERALI I USHTRISE SE VDEKUR”
Sipas porosive që u dhanë në takimin e organizuar nga shoqja Tefta Cami më datë 24 gusht 1982 me shokun Reiz Malile, Mehmet Çaka, Veli Llakaj, Anastas Kondo etj., ku u diskutua lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes midis Kinostudios “Shqipëria e Re” dhe “Filmss 66”, u mendua që t’i propozohet palës franceze që të shtyhet afati i fillimit të xhirimit të filmit, duke ngritur këto arsye:
1. Varianti përfundimtar i skenarit të filmit i është dhënë autorit të romanit, Ismail Kadare, vetëm kohët e fundit. Ai mbasi e studioi shpejt e shpejt i ka dhënë disa mendime dhe vërejtje paraprake Luçiano Tovolit, duke i thënë se mbas një studimi më të thelluar do të bënte sugjerime të tjera. Në takimin që patëm ne si Kinostudio me Ismail Kadarenë, ai paraqiti se ka një sërë rezervash për skenarin. Duke u nisur nga ky mendim, ne si Kinostudio, që kemi marrë përsipër që të japim ndihmë teknike për realizmin e filmit, nuk mund të marrim asnjë veprim të mëtejshëm, pa marrë përfundimisht pëlqimin e autorit.
2. Meqenëse gjatë muajit tetor-nëntor në vendin tonë ka disa aktivitete të rëndësishme dhe kemi festat kombëtare, mbasi iu drejtuam organeve të Tregtisë, ato na u përgjigjën se gjatë kësaj kohe e kanë të pamundur plotësimin e kërkesave tona për xhirimin dhe fjetjen gjatë kësaj periudhe.
3. Sipas rregullave doganore të vendit tonë, nuk mund të nxirren jashtë vendit materiale pa u kontrolluar më parë nga ana e saj. Ju kini kërkuar që kutitë e filmit të mos hapen në doganë, mbasi filmi është i pazhvilluar dhe mund të prishet. E biseduam këtë problem me doganën, e cila na u përgjigj që për të lejuar këtë duhet të bëhen disa formalitete të domosdoshme, plotësimi i të cilave kërkon një kohë të gjatë.
Për këto arsye, propozojmë që xhirimi i filmit të shtyhet për më vonë.
Vangjush Zallëmi
Gjergji Pano
Niko Mitrushi
24.8.1982
………………………………
T E L E G R A M
Zotit Mishel Pikoli PARIS
Përgjigje e telegramit tuaj datë 21.9.1982.
Për sa i përket ndihmës sonë teknike për xhirimin e filmit tuaj, ne nuk kemi ndërruar asnjëherë mendim dhe asnjëherë nuk e kemi braktisur atë. Me telegramin tonë të 11 shtatorit ju njoftonim se nuk mund t’jua plotësonim dot të gjitha kërkesat tuaja. Në qoftë se ju keni gjetur zgjidhje tjetër, kjo është puna juaj dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi për këtë. Ne nuk njohim shpenzimet dhe investime e padobishme të bëra nga ana juaj, përderisa nuk e kemi braktisur filmin tuaj. Në qoftë se bëhet fjalë për këtë, jemi të detyruar t’ju bëjmë të ditur se shpenzime dhe investime të padobishme, siç e dini, janë bërë nga ana jonë në dhjetor 1981 dhe në janar e shkurt 1982, kur ju nuk erdhët për të bërë xhirime, siç kishim vendosur dhe, me gjithë këtë, nuk iu kërkua të riparonit dëmin tonë.
Me respekt
i juaji sinqerisht
Vangjush Zallëmi
Drejtor i Kinostudios
………………………………
SH I F R I M TEPER SEKRET
NR.2906.2907
Adresa: Ambasadës Paris
Koncepti: Në letrën e datës 30 gusht, që Michel Piccoli i ka dërguar drejtorit të Kinostudios, ankohet se po pengojmë xhirimin e filmit. Në përgjigje të kësaj letre, shoku Vangjush Zallëmi i thotë se ne nuk kemi refuzuar, por ju kemi thënë se ne nuk kemi mundësi të plotësojmë të gjitha kërkesat që keni paraqitur./gsh.al/