Albspirit

Media/News/Publishing

Vdekja makabre e mirditores Marie Tuci, që sfidoi komunizmin

Nuk janë të paktë ato shqiptarë që guxuan dhe ngritën kokë kundër diktaturës dhe komunizmit në Shqipëri. Shumë intelektualë dhe fetarë dolën kundër sistemit të egër, por fati i tyre dihej. Ato masakruan dhe u pushkatuan. Më me fat ishin ata që u burgosen për vite ose u internuan në kampe të ndryshme. Mbase tortura e tyre ishte më e madhe se atyre që vdiqen, sepse në burgjet e kominizmit u kryenin krime të tmerrshme. Një prej emrave që ngriti kokën kundër komunizmit ishte Marie Tuci. Marija ishte vajza e re nga Mirdita që sfidoi xhelatët e diktaturës komuniste, në emër të Zotit, përmes besimit katolik. Pas përmbysjes së komunizmit, hitoria e saj e trishtë u njoh në të gjithë vendin dhe më gjërë. Maria, vdiq masakruar nga torturat e xhelatëve të diktaturës duke dhënë shpirt mes mundimeve të jashtëzakonshme. Marie Tuci lindi më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz Mirditë, si e bija e Nikollë Mark Tucit dhe e Dilë Fushës. Ajo ishte nxënëse e shkollës së mesme të motrave Stigmatine në Shkodër. Më pas ajo zgjodhi rrugën fetare. Në vitin 1946, abati Frano Gjini e dërgoi mësuese në shkollën e Mirditës. Marie Tuçi u arrestua pas reprezaljeve që u bënë në Mirditë nga qeveria komuniste, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, sekretar i Partisë Komuniste në Mirditë. Vdiq në spitalin e Shkodrës pas torturave çnjerëzore, më 20 shtator të vitit 1950. Sakrifica e saj u vlerësua edhe nga Papa dhe nga Vatikani. Ajo renditet ndër 38 martirët e Kishës Katolike. Për ta torturuar deri në vdekje, xhelatët e zhveshën dhe e futën në një thes bashkë me një mace e egër. Hetuesit e godisnin macen e egër me gjëra të forta duke e ëgërsuar më shumë. Maria vdiq duke u masakruar u shqye nga macja e egër. Historia e saj u bë edhe më shumë e njohur përmes poezisë së Meti Fidanit.

Po vdes nanë, sot po vdes

Nan’ e dashtun, sot po vdes

më kanë futur, në një thes

lakuriq, tok me një mace

më kanë mbyll, në thes linace

N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti

po ma merr nan’, shef Seiti

jashtë thesit, shqip po flasin

më shqelmojn’, e më godasin

ligësia, nuk ka ngjyrë

shqelm në bark, shqelm në fytyrë

Po vdes nanë, sot po vdes

një lëmsh gjaku, brenda n’ thes

nuk ka vend imagjinata

kriminel, shpirtzinj si nata

më kanë ça, bark e zorrë

hajde nan, e ver’ një dorë

Mbaju nan’, mbaju burrneshë

më sill teshat, e m’vish murgeshë

mos qaj nan, jam bij Mirdite

s’na kanë mposht, tash ndër vite

as dhe shkau, as dhe turku

as Enveri, as dhe burgu

as bollshik, e as titista

as hetues, as komunista

Po vdes nanë, moj un’ e zeza

shko më sill, një palë ndresa

njëzet e dy, sapo kam mbush

nuk du’ nan’, me m’qa kurkush

as n’ Orrosh, e as Ndërfush

as në bjeshkë, atje thellë

as në Fan, e as në Kthellë

as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë

as kurkund, nëpër Mirditë

Zoti nan, ka pat’ mëshirë

më ka dërgu, të vdes e lirë

më sill ndresat, po të pres

po vdes nanë, sot po vdes.

 

Radio vatikani për Marie Tucin

 

Më 24 shtator, përkujtojmë përvjetorin e martizimit të shërbëtores së Zotit, Marie Tucit. Kjo dëshmitare e fesë së krishterë, e shpirtit fisnik shqiptar dhe e kulturës, siç dëshmon jeta, vepra dhe martirizimi i postullantes së Motrave Stigmatine, vdiq më 24 shtator të vitit 1950 në Shkodër,.
Në jetën e saj të shkurtër, Marie Tuci dëshmoi dhe transmetoi fuqinë e fesë së krishterë, shndriti ndërgjegjet e tjerëve me besimin e patundur në Krishtin e Gjallë dhe me dashurinë për kulturën e jetës e të vëllazërimit. Kujtojmë se Marie Tuci, mirditore, është e vetmja femër që gjendet deri më tani, në listën e 40 martirëve shqiptarë, për të cilët, procesi dioqezan i kanonizimit për lumturimin e tyre, në nivelin e Kishës katolike shqiptare, ka përfunduar e tashmë ka kaluar në shqyrtim pranë Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e Shenjtorëve.
Shërbëtorja e Zotit, Marie Tuci së bashku me të vëllain e shumë të tjerë, u arrestuan nga komunistët pas vrasjes se Bardhok Bibes. Vuajtjet më të mëdha për Marinë do të vinin nga shefi i sigurimit të Shkodrës të asaj kohe, Hilmi Seiti, i cili i goditur nga bukuria e vajzës, tentoi të abuzoje me të, po ndeshi në kundërshtimin e ashpër të Maries.
Lirinë do ta fitonte pikërisht atëherë kur kishte mbërritur edhe fundi i saj tokësor për shkak të torturave çnjerëzore. Atëherë kur nuk munden ta mposhtnin dot në dinjitetin, në fisnikërinë dhe në idealet e saj, komunistët e futen në një thes bashke me një mace duke e goditur vazhdimisht. Kur e nxirren prej andej, Maria nuk njihej. Një dëshmitar i martirizimit e kishte krahasuar me një larvë njerëzore. E dërgojnë në spitalin e Shkodrës ku dhe ndahet nga jeta me 24 shtator të vitit 1950.
Maria Tuci, vajza mirditore, u shndërrua në simbolin e emancipimit e të dinjitetit njerëzor e femëror në kushtet e një regjimi të egër diktatorial komunist që e burgosi dhe e çoi në rrugën pa kthim të vdekjes. 62 vjet më vonë Maria Tuci përkujtohet në Shkodër dhe Mirditë si një grua me dinjitet të lartë e të pathyeshëm, që nuk iu dorëzua epsheve të funksionarëve të sigurimit të regjimit të kohës, ndonëse ishte e mbyllur në qelitë e errëta të komunizmit. Bukuria e saj vriste sytë e gardianëve dhe njerëzve të pushtetshëm, dinjiteti i saj nxiste dhunën brenda tyre, po Maria Tuci nuk u përkul në asnjë moment duke i treguar atyre se përtej një gruaja të re dhe të bukur, qëndronte një grua shqiptare plot dinjitet e bindur në idealet e veta të larta, të shenjta e të përjetshme.
Ajo e Marie Tucit qe një jetë e mbytur herët mes dhimbjesh dhe torturash pafund, po një jetë që pranoi martirizimin në mënyrë shembullore, heroike e me dinjitet në mbrojtje të dhuratës më të madh që pati nga Zoti, jetës, nderit dhe besimit në Krishtin Shpëtimtar. Ajo donte të behej murgeshë, t’i përkushtohej gjithë jetën Zotit e popullit të vet të dashur shqiptar, Fesë e Atdheut, po nuk mundi, sepse jetoi në kohën me të egër të përbindëshit, komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës.
Ishte koha e përndjekjes dhe orvatjet së shfarosjes së katolikëve shqiptarë, që përbenin një rrezik të vazhdueshëm për tiranin çnjerëzor Enver Hoxhën dhe pasuesit e tij. Ishte koha e tmerrshme e kohës së diktaturës ateiste të komunizmit që e lau tokën shqiptare me gjakun e pafajshëm të martirëve të vet. E gjaku i tyre, si ai i Marie Tucit, u shndërruan në farën e ngadhënjimit të së mirës mbi të keqën, të fitores së dashurisë mbi urrejtjen, të dritës mbi errësirën, të së vërtetës mbi gënjeshtrën.

Please follow and like us: