Ida Nurçe: Marvi, o djalë!
Nuk e di, nëse më dëgjon, nga atje ku je tani. Desha të të them ca gjëra, që ti ndoshta nuk pate mundësinë t’i kuptosh. Jam unë… Unë po të flas. Një vajzë që po rritet në këtë vendin që të rriti e të mori jetën. Nuk të njihja personalisht, por fakti i moshës më bëri të ndjehem keq kur mora vesh për vdekjen tënde. U tmerrova dhe gjëja e parë që mendova ishte dhimbja e prindërve të tu. U hape një plagë të madhe o djalë, kjo jo me dëshirën tënde.
Marvi o djalë! E mbylle jetën për një karikues. Edhe unë kisha nja dy javë që më ishte thyer dhe dje gjeta mundësinë të shkoja të blija një të ri. Deri dje nuk e kisha menduar që një karikues mund të të merrte jetën. Por ti ma vërtetove, që në këtë vend asgjë nuk është e çuditshme.
Edhe 26 ditë unë bëj 25 vjet që frymoj në këtë vend dhe doja që të paktën të arrija të festoja 25 vjetorin, që nuk e di pse më duket një vit që gjithmonë kam dashur ta festoja. Ndaj dhe shkova ta bleja atë dreq karikuesi. Në fakt, të jem e sinqertë një mendje më thoshte që ta hedh fare celularin, por pastaj mendova se ku do lexoja sms-të uruese që do më vijnë nga “miqtë”. Nejse… muhabet karikuesish. Pooor, që ty të morën jetën. Sa turp më vjen që jam njeri!
Ahhh Marvi, o djalë! Ti ike, le në dhimbje familjen tënde, por mua më bëre të vërtetoj akoma më shumë, që kafsha më e egër është njeriu. Gjithmonë jam munduar të mbrohem prej tij. Nuk i zura kurrë besë. Nuk e përçmova kurrë. Nuk e ofendova kurrë. Si ti, edhe unë gjithmonë jetova atë që më fali Zoti, në vendin ku më lëshoi Zoti. Por sërish i them vetes time nesër, “mos i beso askujt”!
Marvi o djalë! Më fal, që ndoshta të trazoj qetësinë në këto momente, por na ke lënë në një vend të frikshëm. Na le në vendin e askundit o djalë, ku të gjithë do vrapojnë të blejnë karikuesë, ku të gjithë do jenë egoista, ku të gjithë do ecin me thika në brez, ku të gjithë do jenë killera, ku të gjithë do luftojnë për fasadën e tyre të mykur, ku të gjithë do qajnë hallet me njeri- tjetrin e në fund do ia fusin sa krahu njeri- tjetrit, ku të gjithë kërkojnë një sup për të derdhur lotë e do e gjejnë atë në kurrizin e një iriqi… ku të gjithë do jenë kafshë, vetëm njerëz kurrë.
Marvi, o djalë, më fal vëlla, por nuk ta fal që nuk më more edhe mua me vete! Kam shumë frikë, ku jetoj Marvi!