Albspirit

Media/News/Publishing

Kush është drejtori i ri i FBI, Christopher Wray?

Senati amerikan konfirmoi me shumicë dërmuese votash zotin Christopher Wray në postin e shefit të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI). Me 92 vota senati vendosi që ai të marrë përsipër drejtimin e agjencisë e cila ishte në qendër të kundërthënieve që nga zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Wray, 50 vjeçar, ka një karrierë të shquar si prokuror federal dhe një diplomë drejtësie nga Universiteti në Yale. Ai ishte ndihmës prokuror i përgjithshëm gjatë administratës së presidentit George W. Bush dhe ka përvojë të konsiderueshme në rastet e sigurisë kombëtare. Wray zëvendëson James Comeyn, i cili u përjashtua nga presidenti, Donald Trump në muajin maj, derisa FBI po hetonte pretendimet se fushata e Trumpit kishte marrëveshje të fshehta me rusët në një përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016. Presidenti Trump tha se FBI ishte me probleme nën drejtimin e Comeyt dhe se agjentët dhe të tjerët në byro, kishin humbur besimin në të. Zyrtarët e FBI-së e mohuan këtë duke nxitur shumëkënd në Washington që të spekulojë se presidenti Trump përjashtoi Comeyn, sepse ai nuk ishte i gatshëm të përmbushë dëshirën e presidentit për t’u tërhequr nga hetimet mbi përzierjen ruse. Presidenti Trump, kritikoi po ashtu Comeyn për shkak të vendimit që të mos ndjek ish kandidaten demokrate për postin e presidentit, Hillary Clinton, për mënyrën se kishte shfrytëzuar llogarinë e saj në postën elektronike si sekretare e shtetit. Drejtorët e FBI-së emërohen për një mandat dhjetë vjeçar dhe prej tyre pritet të jenë objektiv dhe jo partiak.

Please follow and like us: