Shqiptarët e kultivojnë tallavanë nëpër dasma, kur i hedhin paret lumë
Alma Nikolli
I afrohet dhe i fut 10 mijë lekëshin në gjoks pasi e ka tundur disa sekonda para kamerave. Pastaj e puth nusen deri në rrëzim, e ajo nuk e fshin dot faqen e kuruar për disa orë në parukeri nga puthja e hallës së burrit. Ajo nuk e fshin dot faqen siç bëjnë fëmijët aspak fshehurazi nga një puthje e padëshiruar. Ka kamera, sy kureshtarë e paragjykues të ardhur në dasmë për të gjetur a shpikur ndonjë gjë që nuk shkon.
Jo më larg se sot dëgjova një grua që i thoshte një tjetre: “Eh, moj motër këta të rinjtë e sotëm më me vështirësi e mbajnë lekun se e fitojnë”. Ika pastaj, duke menduar për dasmat. Larg materializmit, paraja është një mjet i ftohtë, asocial që konvencionalisht ka një veti për t’u barazvlerësuar me shumë gjëra në botë veçse me dashurinë.
Një grup miqsh a familjarësh që rrëshqasin 5-she, 10-she a 50-she mbi çdo cep fustani nusërie e kostumi të çiftit. Dollarë, lekë apo euro, ç’rëndësi ka. Ftojnë çdokënd të turpërohet e të hajë ndopak nga bifteku i ftohur si për t’u ndjerë i pafajshëm që nuk ka lekë të tresë.
Se si më duket që lekun tim ta hedh vetë në ajër. Pastaj ta marrë dikush ta fusë në shportë me ca para të tjera të djersituara apo jo dhe ta fluturojë edhe njëherë sipër kokave sikur të ishte duke ujitur një ulli që do rritet për të bërë vaj pastaj.
Nuk kam për të hedhur para kurrë, e as nuk kam për t’u skuqur kur krenueshëm dasmorët do të tundin verdhushka, si i thonë, për të treguar pushtet a dobësi, se nuk dua dhe nuk kam. Gjethet në vjeshtë se si më vjen t’i largoj nga oborri , them me vete diku kanë qenë jeshile, të rrinë aty…tentoj të besoj në mrekulli.
S’e kam pasur fatin të shkoj në tallava, atje ku thonë se lekët hidhen lumë. Them fatin që të resht së paragjykuari dhe të gjykoj se dasma është pak a shumë i njëjti model me tallavanë.
Nuk e di pse, ku dhe si u kthye në traditë një çmenduri kolektive e tillë. Shqiptari mikut, shokut e dashamirit i ka ofruar gjithçka në dasmë po jo pare në fluturim.
Nëpër fshatra filan grua a burrë ftohej e zotohej të ziente kafet, tjetri të transportonte materiale e dikush të këndonte. Halli ishte se si me u kry dasma a pafilmuar pa mbetur askush i pakënaqur. 100 lekëshat a 500 lekëshat (ne rastin më të mirë) shkruheshin në fletore për me u kthy rreptësisht në rastin më të ngjashëm. Jo se jam dakord, por kjo ishte tradita. Kurse sot tallavojmë bashkarisht duke vrarë mendjen që vera na falimentoi e na la pa pushime.