Trump: Nuk do heq dorë nga mediat sociale, e vetmja mënyrë për të thënë të vërtetën
Presidenti Donald Trump sinjalizoi të martën se ka në plan të vazhdojë të shprehë mendimet e tij me postimet e shpeshta në mediat sociale.
“Vetëm Mediat e Rreme dhe armiqtë e Trumpit duan që unë të mos i përdor Mediat Sociale (110 milionë njerëz),” shkruante Presidenti në llogarinë e tij në Twitter. “Është e vetmja mënyrë që unë të nxjerr të vërtetën!”
Megjithë pretendimin e Trump, mediat kryesore tradicionale të lajmeve në SHBA, të cilat shpesh quhen prej Presidentit si “lajme të rreme”, nuk i kanë kërkuar atij të heqë dorë nga përdorimi i mediave sociale.
Përkundrazi, ato shpesh citojnë komentet e tij në Twitter dhe i shohin ato si një dritare për të kuptuar mendimet e tij në kohë të ndryshme të ditës, nga orët e hershme të mëngjesit deri në orët e vona të natës.
Megjithatë, disa ndihmës të Shtëpisë së Bardhë si dhe ligjvënës republikanë e demokratë e kanë kritikuar përdorimin e Twitterit nga Presidenti, i cili në gjashtë muajt e parë të presidencës ka bërë rreth një mijë komente.
Komentet e Presidentit në Twitter kanë natyrë nga më të ndryshmet: nga përgëzimet për kampionët e sporteve e deri te kritikat e ashpra për ligjvënës të ndryshëm, të cilët hedhin poshtë politikat që zoti Trump dëshiron të miratohen nga Kongresi.
Ndonjëherë Trump i ka befasuar edhe ndihmësit e tij me komentet në Twitter, siç ndodhi javën e kaluar kur ai tha se kishte në plan të ndryshonte një politikë të ish-Presidentit Barak Obama dhe të ndalonte personat transgjinorë të shërbejnë në forcat e armatosura amerikane.