Albspirit

Media/News/Publishing

Vuçiç hap një kapitull të ri: Pro dhe kundra njohjes së Kosovës

Sulejman MATO

 

Një rast i pazakontë. 18 vjet pas pushtimit ushtarak të Kosovës dhe luftës së përgjakshme të ushtrisë serbe, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i fton qytetarët e vet drejt një dialogu të brendshëm, për një njohje përfundimtare të shtetit të Kosovës. Fjalën e tij, e cila pati shumë reagime nga akademikë dhe nacionalistë serbë e përshëndeti dhe kryeministri ynë. Përse tani? Përse këtë nismë e merr vetë Presidenti i Serbisë? Vuçiç, për mendimin tim niset  nga një qëllim i mirë, kur thotë që ka ardhur koha për ta njohur shtetin e Kosovës, “që këtë barrë, të mos ua lëmë fëmijëve tanë”. Para se ta bëj të ditur opinionin tim, po e bëj të ditur përmbajtjen e saj, me pak ndryshime gjuhësore, nën shqipërimin e mikut tonë  jurist, Adil Fetahu.

Ja letra:

“Pas kaq vjetëve që merrem me politikë në këto hapësira, e di mirë punën me marrëveshjet. Qysh prej vitit 1878, prej krijimit të së ashtuquajturës Lidhja e Prizrenit, ne serbët nuk kemi dashur të jemi mjaft të përgjegjshëm dhe ta kuptojmë fuqinë dhe dëshirën e shqiptarëve. Nga ana tjetër, e konsideroj gabim të madh, bile të shqiptarëve, moskuptimin dhe nënçmimin e interesave kombëtare e shtetërore të Serbisë. Nuk është Serbia për ta nënçmuar, përkundrazi, fakton që shqiptarët në zbatimin e ideve të tyre kombëtare kanë ndihmën e rëndësishme të shumicës së vendeve perëndimore. Nuk është Serbia sot e molisur, siç ka qenë. Nuk është e dobët siç ishte në vitet 1999, 2004 e 2008. Serbia nuk është e as nuk guxon të jetë as mendjemadhe e as arrogante, siç ka qenë jo rrallëherë.

Heshtja do të thotë se ne nuk na intereson përgjigjja për asgjë, se kemi pushuar të shpresojmë. Kjo veti është e atyre që mendojnë se vetëm ata, ekskluzivisht, ata kanë të drejtë dhe s’kanë më se ç’të mësojnë e të flasin me asnjeri. Ky është ai ‘modus operandi’ i tiranisë, gjithmonë i gatshëm për të derdhur gjakun e huaj. Unë nuk e shoh veten në anën e heshtjes, as të një Serbie memece, sepse do të ishte një dështim, jo vetëm i politikës që unë udhëheq, por i gjithë jetës sime. Zgjidhja nuk qëndron nga njëra anë, në mitet dhe konfliktet tona, por nga ana tjetër, nuk qëndron as në heqjen dorë nga interesat tona kombëtare dhe shtetërore. Kundërshtarë të dialogut me Prishtinën, për problemin e Kosovës, janë ata të cilët çdo humbje e konsiderojnë fitore dhe fatkeqësisë së tjetrit i gëzohen si fitores së vet, pasi që, sukses tjetër nuk dinë. Arsyetimi i tyre për këtë lloj mosbërje, që është një farë krimi historik, duke pasur parasysh çështjen që kërkon zgjidhje, qëndron në shpresën e thjeshtë, se dikush, dikujt, në fund të fundit, ‘do t’ia japë Kosovën’ dhe për kënaqësinë e tyre, do të barte pasojat. Qëndrimin e tillë mund ta kuptoj nga politika e cekët ditore, por nga pikëpamja historike nuk e arsyetoj dhe nuk kam mirëkuptim për të. Për shkak se pikërisht kjo është çështja më e rëndë, dhe për shkak se është e nevojshme, më tepër se kurdo deri më sot, që të gjithë së bashku, të gjejmë një marrëveshje të tillë, që do të ishte e përhershme dhe do ta përjashtonte konfliktin si opsion. Një marrëveshje e cila do të jetë e dobishme për të gjithë në këto hapësira. Gjetja e zgjidhjes kërkon që koka të jetë e nxehtë nga mendimi permanent, zemra të jetë e ftohtë nga emocionet e tepërta dhe nga duart e përlyera me kompromise. Edhe tonat, edhe të shqiptarëve. Gjetja e zgjidhjes kërkon punë nga të gjithë dhe vetëdije të qartë, se kjo që po bëjmë është dhe ka të bëjë me një proces të gjatë, të ndërlikuar dhe të dhimbshëm. Më së pari kërkon asi lloj ndryshimi të vetëdijes sonë kolektive, e cila shpeshherë e përjeton çdo marrëveshje si dështim. Kjo nuk është e vërtetë. Nuk kemi fituar ne aq shumë me luftë, që ta kemi humbur në paqe. Prandaj, me krejt çka kemi fituar dhe humbur duke luftuar, kemi paguar çmimin më të lartë të mundshëm, i cili nuk mund të kompensohet – me jetët tona dhe me jetën e fëmijëve tanë. Dhe kjo duhet të ndërpritet.

Është koha që Serbia të punojë, të mendojë dhe të fitojë. Të fitojë pa konflikte. Unë jam i bindur se qysh sot ne jemi në gjendje ta bëjmë këtë gjë. Përndryshe, mendoni se çfarë mund të ndodhë! Të gjitha rrugët e bashkëpunimit politik dhe të përparimit ekonomik janë të hapura për Serbinë. Dyert e BE po ashtu. Përndryshe do ta ruajmë konfliktin, kuptimin e të cilit nuk e marr vesh. Serbia ka nevojë për një qasje serioze e të përgjegjshme, të guximshme dhe reale, me shikim nga e ardhmja. Sot Serbia është e respektuar kudo në botë. Para tre vjetëve ishte gati të bankrotojë, ndërsa sot ka suficit të buxhetit, ka rritje të ekonomisë dukshëm mbi mesataren dhe ka dëshmuar se di të fitojë jo vetëm në basket e vaterpol, por edhe në ekonomi dhe në politikë.

Që përparimi ynë të jetë i përhershëm dhe i qëndrueshëm, nëse asgjë tjetër, duhet të përpiqemi ta zgjidhim nyjën gordiane të Kosovës, e jo të fshihemi dhe t’ua lëmë barrën më të rëndë fëmijëve tanë. Të jetosh do të thotë ta duash vendin tek i cili ecin fëmijët tanë dhe të mos lavdërohemi me fitoret e gjyshërve”.

Ky debat i hapur me iniciativën e presidentit Vuçiç, nën sloganin: “Unë e di një rrugëzgjidhje” ka nxitur një debat të hapur për t’u prononcuar pro dhe kundra saj. Akademiku i njohur Dusan Kovaçeviç bie dakord me mendimin e Vuçiçit kur thotë. “Nuk kemi më djem për luftë me Kosovën”. Ndërsa patriarku i KOS, Irnej, guxon të ndezë sërish tensionet e luftës kur thotë: “Asnjë burrë shteti nuk do të guxojë kurrë tehuazimin e Kosovë-Metohisë, pasi ajo që merret me dhunë, edhe mund të kthehet, po, ajo që i falet dikujt, ajo është e humbur përgjithmonë”. Ai e quan ende Kosovën si tokë të tij dhe frikësohet nga kjo falje, ndërkohë që harron të kujtojë ardhacakët e shekujve VII-VIII-të në trojet dardane. Ka ardhur koha që kokat e ftohta akademike serbe të mendojnë ndryshe. Akademiku i njohur serb, Oliver Ivanoviç, duke u prononcuar për këtë problem  në një intervistë të një gazete gjermane thekson: “Nëse pretendojmë të nisim sërish një luftë të re për Kosovën, pas gjashtë luftërave që na kanë sjellë miliona viktima, ne nuk kemi më ushtri ‘mish për top’, për një kauzë të humbur e që i kemi kundër të gjitha shtetet europiane, e po kështu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Komente të tjera nga kosovarë, brenda dhe jashtë Kosovës, shprehin entuziazëm dhe mosbesim. Historia na ka mësuar se asnjëherë dhe askush prej liderëve serbë, edhe kur kanë dhënë deklarata të tilla nuk janë lëkundur kurrë nga ideja e pushtimit të Kosovës.

*   *   *

Mendimi zotërues qëndron në faktin që tashmë edhe në Serbi është kuptuar që Kosova për ta është e humbur. Madje, së bashku me Kosovën, po humbim çdo ditë të ardhmen tonë. Ky është mendimi që zotëron sot në mendjet intelektuale të Serbisë. Ne jemi rritur me idenë e urrejtjes ndaj Serbisë. Kemi dëgjuar shumë histori gjakderdhjesh dhe pushtimesh, ndaj them se shumë gjëra na ndajnë dhe pak gjëra na bashkojnë. Populli serb duhet të pajtohet me këtë realitet të ri. Madje, ai fill pas luftës së Kosovës duhet të bënte një falje të madhe publike. Është e vërtetë se çdo brez nuk mund të mbajë përgjegjësitë e një brezi tjetër, por, të kërkojë publikisht ndjesë për veprimet gjakatare të gjysh-stërgjyshërve të tyre. E kaluara nuk mund të harrohet kurrë në kujtesën e një kombi të martirizuar. Tashmë që po nis të ndriçojë një dritëz  e re komunikimi, nuk ka rrugë tjetër veç dialogut.

“Ky është një dialog shumë shoqëror – nënvizon Vuçiç, – e që duhet të ndahet në shumë tema. Por, ne duhet të mendohemi të jemi realë e të mundohemi ta zgjidhim problemin sot, për të mos ua lënë fëmijëve nesër”. Gjithë problemi i tyre është një vështrim real dhe perspektiv. Njohja e shtetit të Kosovës është bërë një fakt botëror. Do të ishte në nderin e popullit serb për ta zgjidhur këtë nyje gordiane që i mban peng. Serbia, me kurajën që e ka karakterizuar shpeshherë, duhet të vendosë për fatet e ardhmërisë së saj europiane. Nacertania serbe ka qenë dhe mbetet sindromi i një ksenofobie mbarëpopullore. Është interesant të mendosh se si në Ballkan, edhe pse mëritë janë të vjetra, përzierjet e gjeneve janë në përqindje shumë të larta. Nga një shkrim  i botuar në një nga gazetat zvicerane: “Bordelloja ballkanase” nuk di në duhet besuar debistimi i AND-ve, por përqindja autoktone e popujve ballkanas tregonte për ndërkallje të mëdha etnike midis njëri-tjetrit. Kërkesa e të gjithë popujve ballkanas është integrohemi në Europën e Bashkuar. Europa e bashkuar, sado tolerante të jetë ndaj kërkesave për Serbinë, kushti i saj themelor është njohja e territorit të Kosovës si shtet i pavarur. Këtë gjë e ka kuptuar presidenti më i ri dhe më i preferuari i popullit serb, Aleksandar Vuçiç. Dëgjojeni zërin e birit tuaj dhe presidentit tuaj të nderuar, zotërinj patriarkë dhe nacionalistë serbë.

 

Please follow and like us: