Zana Avdiu: Ne dhe mërgimtarët
Mërgimtarët kur nisen me ardhë në Kosovë, mendojnë që na kemi me dalë e me i pritë me lule në dorë. Se, edhe na jemi mërzitë e mezi po e presim atë çast, kur ata kanë me ardhë.
E, kur të vinë në Kosovë, është krejt e kundërta. As nuk i presim, as nuk iu buzëqeshim e ndoshta edhe as nuk iu flasim. E gjithë krejt kjo, jo pse nuk i duam e nuk na kanë mungu… po, që jemi të lodhun nga jeta në Kosovë, e nuk kemi mundësi as me mendu a po na mungojnë a jo. Bile, shpesh edhe mendojmë “lum si ata që nuk janë këtu”…
Neve nuk na mungon Kosova se jemi këtu, nuk na mungon gjuha shqipe se e dëgjojmë çdo ditë, nuk na mungojnë njerëzit/shqiptarët se jemi çdo ditë me ata. Na mungon puna, shkollimi, mjekësia..na mungon jeta kulturore…na mungon çdo gjë. E atyre ( mërgimtarëve) ju mungon veç Kosova dhe gjuha edhe shqiptaria. E në fakt, na jemi lodhë prej atyre. Ata e kanë ende dashurinë e butësinë, të cilën na e kemi humbë. Nuk e kemi humbë vet, por na e ka humbë ky vend, ky shtet, kjo jetë e vrazhdë këtu, këto probleme të rënda e të pafundme. Na nuk kemi më mundësi me kanë të butë e të dashur, mikpritës e të ngrohtë… sepse, jeta jonë çdo ditë është luftë për mbijetesë.
Pra, na të dyja palët..edhe ata edhe na po e kërkojmë atë që na mungon. Na jetën dhe kushtet e mira për jetë, ata Kosovën e shqiëtarët.