Albspirit

Media/News/Publishing

Zbarkimi i forcave britanike në Spile të Himarës në korrik 1944

Marenglen Kasmi

Në një raport sekret të hartuar nga regjimenti i këmbësorisë 523 i Wehrmacht-it gjerman hidhet dritë mbi një tentativë të dështuar të forcave britanike për të zbarkuar në Spile të Himarës, më 28-29 korrik 1944. Po ashtu, kjo ngjarje përshkruhet edhe në dokumentet britanike të luftës, konkretisht në raportin e hartuar nga kapiteni i misionit britanik, B. R. Ensor.

Raporti gjerman jep një përshkrim të detajuar për gjithë luftimet e kryera, ndërsa raporti i hartuar nga kapiteni Ensor për këtë ngjarje ka një karakter më përgjithësues dhe raportuesi rri larg detajeve.

Zbarkimi britanik në Spile është përshkruar shkurtimisht edhe në Historinë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) – që është nxjerrë nga “Rreziku Anglo-amerikan për Shqipërinë” i Enver Hoxhës. Ajo që bën përshtypje në historiografinë e para vitit 1990 është mos trajtimi i luftimeve thuajse tre ditore mes gjermanëve dhe forcave partizane të brigadës XII, sidomos në fazën e organizimit të kundërsulmit gjerman për të rimarrë bazën e humbur në Spile. Detaje të këtyre luftimeve botohen sot për herë të parë.

***

Marenglen Kasmi

Pikësëpari duhet përcaktuar natyra e operacionit britanik në Spile në 28-29 korrik 1943.

Kapiteni Ensor shkruan se “Më 14 korrik u informova që një sulm i shpejtë komando do të bëhej në fund të korrikut ndaj garnizonit gjerman në Spile. Partizanët nuk u informuan për arsye sigurie, por një gjë e tillë ishte thuajse e pamundur, sepse të gjitha masat duheshin marrë së bashku me partizanët. Kësisoj, partizanët u informuan jo në detaje se, diçka e veçantë do të ndodhte në Spile në datën 29 korrik. Si pasojë, ata duhej të kapnin kodrat përreth qytetit, për të parandaluar evakuimin e gjermanëve”.

Ndryshe nga sa më sipër, në Historinë e LANÇ-it shkruhet se kryetari i misionit britanik i propozoi Komandës së Ushtrisë Nacionalçlirimtare të bënin një zbarkim simbolik të një komandoje britanike në Spile të Himarës. Gjithmonë sipas këtij versioni, Enver Hoxha lejoi komandon aleate të sulmonte garnizonin gjerman të Spilesë, me kusht që më pas të largoheshin menjëherë. Ndërkohë, brigada XII partizane do të mbikëqyrte aksionin dhe do të ndërhynte në rast nevoje. “Ta bëjmë së bashku këtë aksion, – i propozova Palmerit. – Ju faleminderit, – tha ai. E bëjmë vetë” shkruan Enver Hoxha te “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”.

Që Enver Hoxha i trembej prezencës së madhe të forcave anglo-amerikane në Shqipëri është e vetëkuptueshme. Kjo gjë nuk mund të ishte në favor të tij pas lufte. Ajo që për të ishte e rëndësishme ishte marrja e ndihmave nga aleatët për ushtrinë partizane, por pa u cenuar interesat e tij. Siç pohon edhe Reginald Hibbert, Enver Hoxha ishte tepër dyshues ndaj propozimeve të anglezëve, qoftë edhe për aksionet më të vogla në Shqipëri që mund të kryheshin nga forcat britanike.

Siç edhe kapiteni Ensor theksonte, për arsye sigurie partizanët nuk mund të njoftoheshin më përpara për aksionet që do të ndërmerreshin. Ky fakt e bënte edhe më mosbesues Hoxhën ndaj britanikëve. Por, që Enver Hoxha ishte në gjendje t’u diktonte britanikëve se si duhej të kryenin operacionet e tyre nuk përkon plotësisht me realitetin. Aq më tepër kur, Enver Hoxha, në shtator 1944 mori një mesazh personal nga Komandanti Suprem i Aleatëve, gjenerali Willson, mos dëshira e Hoxhës që forca të posaçme angleze të kryenin operacione në Shqipëri u kapërcye plotësisht.

Kësisoj mund të themi se, nisma e forcave britanike për të organizuar një sulm ndaj garnizonit gjerman të Spilesë në Himarë, u mor në kuadër të një plani të hartuar nga Komanda Aleate e Forcave Tokësore në Adriatik, për të ndërmarrë operacione amfibe kundër bregdetit të Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Planifikimi i këtyre operacioneve nisi në maj 1944. Një element i rëndësishëm i tyre ishte rikonjicioni në thellësi i vend zbarkimeve.

Pra, goditja dhe asgjësimi i një garnizoni të vogël gjerman siç ishte ai në Spile, i mbrojtur nga vetëm 65 ushtarë gjermanë, që vepronin të shkëputur nga forcat e tjera gjermane, sepse rrugëkalimi nëpër qafën e Llogarasë ishte tepër i ekspozuar nga sulmet partizane, nuk mund të ishte qëllimi kryesor i komandës britanike. Sidoqoftë, ajo që duhej të testohej ishte jo vetëm organizimi i mbrojtjes së bregdetit nga gjermanët, por më kryesorja, duhej të kuptohej serioziteti i mbrojtjes së vijës bregdetare nga gjermanët në rast të një zbarkimi të aleatëve. Kjo gjë do të kuptohej nga mënyra se si do të vepronte komanda e regjimentit gjerman në Vlorë, në varësi të së cilës ishte edhe garnizoni i vogël gjerman i Spilesë. Sigurisht që këtë gjë e lexonte saktë edhe Enver Hoxha.

Në vazhdim, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ urdhëroi brigadën XII që të ndiqte aksionin e brigadës komando britanike në Spile. Shtabi i brigadës vendosi që, në këtë aksion të merrte pjesë batalioni i 4-t, me një efektiv prej 150 partizanësh. Kjo forcë u konsiderua si e mjaftueshme sepse plotësohej raporti 1:2, duke pasur parasysh se komanda partizane mendonte se në garnizonin e Spilesë ishin 80 gjermanë. Në fakt, siç do ta shohim edhe më poshtë, në Spile ishin vetëm 65 ushtarë gjermanë.

Përsa i përket bashkëpunimit të forcave partizane me misionin britanik, në kuadër të këtij aksioni, raporti gjerman jep disa të dhëna, të cilat më së shumti kundërshtojnë versionin e dhënë në Historinë e LANÇ-it. Sipas raportit, në fund të muajit qershor, forcat partizane u përqendruan në zonën e Spilesë – kështjella e Borshit (10 km në juglindje të Spilesë) ku u konstatuan më se njëherë lëvizje dhe punime për hapje llogoresh etj.

Partizanët zunë pozicion në kodrat në verilindje të Spilesë dhe qëllonin bazën e Spilesë pothuajse çdo ditë me mortaja. Kjo tregon se partizanët ishin në dijeni të planit dhe që ata ishin përfshirë qysh para zbarkimit në mënyrë aktive në këtë plan. Gjithsesi, Enver Hoxha e mohon këtë gjë. Gjatë gjithë kësaj kohe, njësitë e regjimentit 523 të Wehrmacht-it, vrojtuan në distancë të ndryshme kohore anije armike në afërsi të bregdetit, por pa u afruar pranë bazës gjermane në Spile.

Po ashtu, bashkëpunimin me partizanët e pohon edhe kapiteni Ensor, kur shkruan në raportin e tij: “Urdhrat i morëm me radio. Përsa i përket rolit tonë, kapitenit Newell dhe mua (Ensor) na dhanë pesë detyra, të cilat duhej të realizoheshin brenda katër orëve, duke filluar nga ora 0 (ora e fillimit të aksionit). Dy nga këto punë duhej të kryheshin në vende që ndodheshin dy ditë larg Spilesë. Kjo tregon që shtabi planëzues nuk i njihte mirë faktet, përsa i përket kohës dhe hapësirës, si edhe vështirësive që krijoheshin nga mungesa e lëvizshmërisë dhe organizimit të furnizimeve. Për këto arsye, ne ishim të detyruar të vepronim si më poshtë:

Kapiteni Newell do të vazhdonte drejt bregut për të sjellë anijet dhe qëndroi me trupat që do të drejtonin operacionin (O.C. troops) përgjatë gjithë operacionit; unë duhej të minoja rrugën në veri të Himarës dhe me partizanët të vazhdoja në pozicionet partizane, në të cilat, sipas urdhrit të kapitenit Newell ishin tërhequr gjithë trupat britanike. Më pas do të organizohej një sulm partizan mbi Spile, për të asgjësuar gjithë forcat gjermane të mbetura, për të pushtuar Spilenë dhe Himarën, për të marrë pozicionet e tyre dhe për të frenuar çdo kundërsulm të mundshëm të forcave gjermane. […]Urdhrat e mi ishin të hidhja rrugën në erë në orën 03.15 të datës 29 korrik. Përgatitja për vendosjen e minave filluan në orën 18.30 të datës 28 korrik. Ne hapën gropat në shkëmbinj, por nga 10 gropa që duhej të hapja, unë hapa vetën 4 të tilla. Rezultati ishte çuditërisht i mirë, duke pasur parasysh që gropat ishin të cekëta”.

Por çfarë thotë raporti i Wehrmacht-it gjerman për këtë ngjarje, i cili në disa aspekte konfirmon versionin britanik, ndonëse kapiteni Ensor e ka përshkruar aksionin në vija të përgjithshme?

Baza gjermane ishin ndërtuar jashtë qendrës së banuar, në kodrat në verilindje të Spilesë, për të zmbrapsur sulmet nga ana e tokës dhe njëkohësisht për të kontrolluar dhe siguruar gjirin e Spilesë. Ajo ruhej  nga dy toga të kompanisë 3 të regjimentit 523, me një forcë prej 65 gjermanësh. Po ashtu në garnizon ishin edhe tre italianë që ndihmonin gjermanët.

Detyra e kësaj kompanie gjermane ishte përcaktuar nga Urdhri i Divizionit të Këmbësorisë 297, Ia, Nr. 1770/44 sekret, datë 13.7.1944:“Duhet të mbrohet baza e Spilesë. Në rast se, për shkak të forcave superiore të armikut të ardhur nga toka ose nga deti, mbrojtja e bazës është e pamundur, forcat e bazës duhet të shmangen deri në Llogara, pasi të kenë shkatërruar të gjitha instalimet mbrojtëse. Pastaj, Qafa e Llogarasë duhet të mbrohet deri në fund nga gjithë kompania”.

Më 28.7.1944, ora 21:00, garnizoni i bazës së Spilesë dëgjoi afrimin e disa zhurmave të anijeve nga Perëndimi. Komandanti i bazës, togeri Mönch (Mënsh) urdhëroi gatishmërinë e shkallës së parë. Andej nga mesi i natës, artileria e anijeve armike qëlloi disa herë mbi rripin bregdetar midis Porto-Palermos dhe kalasë së Borshit. Njëkohësisht gjithë bregdeti në zonën e Spilesë u ndriçua me një projektor. Mesa duket, në atë kohë filloi zbarkimi i anglezëve në gjirin e Porto Palermos.

Deri në orën 04:00 të mëngjesit të datës 29.7.1944 si nga deti dhe toka ishte qetësi, përveç disa të shtënave sporadike.

Me fillimin e muzgut, rreth orës 04:00 të mëngjesit, dy destrojerë armiq u shfaqën në gjirin e Spilesë, afro 6 km larg bregut. Në orën 05:00 destrojerët filluan me gjithë grykat e topave të qëllojnë mbi bazë. U goditën qendra e kompanisë dhe kuotat 110 dhe 128.

Pas zjarrit që hapën dy destrojerët, në gjirin e Spilesë u shfaqën 4 anije zbarkimi dhe dy anije të shpejta. Më vonë u panë edhe 6 anije të tjera të shpejta (motovedeta), të cilat mesa duket kryenin funksionin e mbrojtjes së operacionit. Gjatë gjithë kohës së operacionit, krejt rripi bregdetar nga kalaja e Borshit deri në Dhërmi, vazhdimisht kontrollohej nga 10 aeroplanë armiq, në fluturim të ulët. Aeroplanët ndërhynë në luftë tokësore me armët e bordit.

Rreth orës 05:30, zjarri i artilerisë armike kaloi në kuotat 115 dhe 128, në lokalitetin e Spilesë. Në këtë kohë filloi sulmi i forcave tokësore angleze nga ana e tokës dhe pikërisht nga drejtimi i lindjes dhe verilindjes, prej kuotave 128 dhe 115. Anglezët sulmuan me 2 deri 3 batalione.

Në fillim anglezët mundën të thyejnë pozicionet e togës 1 në kuotën 115, por me urdhër të komandantit të kompanisë, togerit Mönch, me kundërsulm të menjëhershëm nga drejtimi i kuotës 128 edhe me mbështetjen e mitralozit të rëndë, armiku u tërhoq me humbje të rënda. Forcat britanike sulmuan edhe dy herë të tjera. Edhe këto dy sulme u sprapsën. Vetëm në sulmin e tretë të anglezëve, që u krye njëkohësisht kundër kuotave 128 dhe 115, forcat superiore të anglezëve, në luftime të ashpra trup me trup, mundën të nënshtrojnë garnizonin, i cili pjesërisht mbrohej vetëm më kondakun e pushkës dhe arriti të pushtojë kështu pozicionet e togës I-rë.

Skema e zbarkimit në Spile

Gjatë kësaj kohe pozicionet e togës II-të dhe të vendkomandës së kompanisë vazhdimisht rriheshin nga artileria e anijeve. Pozicionet e togës II-të rriheshin njëkohësisht nga zjarri i mortajave nga kuota 120 (2 km në juglindje të Spilesë).

Pas marrjes së kuotave 128 dhe 116 armiku me krahun e tij të majtë përparoi nëpër grykën në perëndim të kuotës 128 drejt Spilesë. Në orën 09:00, pozicioni i vendkomandës së kompanisë u sulmua. Ndërsa sulmi nga ana e Spilesë u spraps, britanikët e afruar nga kuota 115 mundën të shtyjnë garnizonin e bazës në drejtim të veriperëndimit drejt qendrës së kompanisë.

Në këtë kohë u vrojtuan zbarkime të reja në Porto Palermo me katër anije të mëdha zbarkimi.

Dy destrojerë anglezë që ndodheshin në gjirin e Spilesë, rreth orës 10:00 u kthyen në drejtim të veriperëndimit dhe u larguan. Garnizoni i bazës supozonte se, në gjirin e Himarës do të ndodhnin zbarkime të tjera. Sipas dëshmisë së nëntogerit Haberl zbarkimi u krye.

Gjatë zbarkimit në gjirin e Himarës, anglezët filluan të transportojnë të plagosurit e tyre me anijet e vogla në drejtim të perëndimit.

Deri në orën 11:00 qendra e kompanisë u mbrojt me këmbëngulje.

Por, kur presioni i armikut u bë shumë i fortë, komandanti i bazës, togeri Mönch dha urdhër të shkatërrohej radioja 5-vatëshe që ndodhej aty dhe të tërhiqeshin në pozicionet në veri-perëndim, mbi Spile. Gjatë tërheqjes, togeri Mönch u plagos rëndë në një krah nga një predhë shpërthyese dhe i vetëm u tërhoq deri te qendra e mjekimit, ngritur në një grykë rreth 600 metër në jug të bazës. Gjatë sulmit të kryer nga partizanët pasdite vonë, ai u kap po aty rob.

Pjesa tjetër e ushtarëve gjermanë, nën komandën e drejtuesit të trupës së kompanisë, rreshterit Libsch (Libsh), u shkëput dhe u vendos në pozicionet në veriperëndim. Rreth orës 12 filloi përsëri sulmi i armikut nga ana e juglindjes. Këto sulme u sprapsën në vazhdimësi. Pasi mbrojtja gjermane qëndroi, britanikët e ndërprenë sulmin dhe rreth orës 14:00 filluan të ngarkojnë trupat nëpër anije, duke marrë me vete edhe robërit, të plagosurit dhe të vrarët.

Rreth orës 17:00 anijet angleze ishin larguar nga gjiri i Spilesë dhe vazhduan rrugën me shpejtësi të madhe drejt veriperëndimit.

Sapo u larguan forcat britanike, rreth orës 17:15, forca të shumta partizane i sulmuan gjermanët nga drejtimi i Himarës dhe lartësitë 128 dhe 115. Pozicionet gjermane u bombarduan me zjarr të fortë këmbësorie dhe murtaje. Garnizoni, që tanimë përbëhej nga vetëm 3 nënoficerë dhe 24 ushtarë, u mbrojt deri në rënien e errësirës.

Presioni i partizanëve u bë aq i fortë, saqë kishte rrezik që ata të vërshonin mbi bazë. Përveç kësaj, garnizonit i ishin mbaruar thuajse gjithë municionet. Kësisoj, duke shfrytëzuar errësirën, gjermanët kërkuan të shkëputeshin nga luftimi dhe të tërhiqeshin përgjatë bregdetit, deri në qafën e Llogorasë.

Rreth orës 20:30, nën zjarrin e fortë partizan, gjermanët munden të tërhiqen me luftim përmbi kuotën 101 (0.5 km në perëndim të Spilesë) dhe të largohen kështu nga partizanët që sulmonin. Nga kuota 101 garnizoni i bazës së Spilesë nisi kthimin përgjatë bregdetit përmbi pikën 99 (Panajo) dhe 88 (Vanova) deri në pikën 12 në gjirin e Himarës. Këtu, disa pjesë të garnizonit u qëlluan me armë këmbësorie nga partizanët që ishin pozicionuar në gryka. Rreth orës 24:00, garnizoni në arrati u ndesh afër Jalit të Vunoit me nëntogerin Schwarzmann (Shvarcman), i cili në kohën e sulmit drejtonte autokolonën e furnizimit nga Vlora në Spile, por që pas sulmit të partizanëve kishte urdhëruar të fshiheshin kamionët në Llogara dhe vetë me disa ushtarë të tjerë u nis për të njohur situatën. Ai mori komandën e trupave të mbetura nga garnizoni i Spilesë dhe marshoi me ta përgjatë bregdetit deri në grykën e Iliasit, ku arritën në orët e mëngjesit të datës 30.7.44.

Për shkak se kudo kishte partizanë, gjatë ditës nuk ishte e mundur të vazhdohej deri në qafën e Llogarasë. Prandaj, nëntogeri Schwarzmann, vendosi që të pritej nata.

Në kohën që nëntogeri Schwarzmann kërkonte një strehim në gjirin e Iliasit për të kaluar ditën, ai u pikas nga partizanët. Trupa u shpërnda. Nëntogeri Schwarzmann dhe 5 ushtarë ranë në duart e partizanëve, ndër të cilët kishte edhe shumë gra.

Pjesa tjetër e trupës u fshehën në shpellat e grykës së Iliasit. Partizanët gjatë gjithë ditës vazhduan kërkimin, por nuk i gjetën gjermanët, me përjashtim të një grenadieri, të cilin pasi e morën gjatë në pyetje, e vranë.

Rreth orës 18:00 partizanët, duke thirrur me zë të lartë, u tërhoqën në drejtim të Vunoit. Garnizoni gjerman i rraskapitur (ata kishin 3 ditë pa ujë), u grumbulluan përsëri dhe filluan marshimin drejt Qafës së Llogarasë. Në orën 19.00 ata u takuan me grupin e luftimit Poileke, që ishte dërguar nga Vlora për t’u ardhur në ndihmë.

Për shkak të ndërprerjes së plotë të ndërlidhjes midis Spilesë dhe komandës së regjimentit në Vlorë, ndërkohë që edhe linja telefonike midis Qafës së Llogorasë dhe Vlorës ishte ndërprerë, regjimenti deri më 29 korrik, ora 09:02, nuk kishte asnjë dijeni për luftimet në Spile. Në orën 09:02, një fonogram i hapur i bazës së Spilesë u kap nga qendra e ndërlidhjes së regjimentit, ku shkruhej: “Armiku po sulmon”. Njëkohësisht regjimenti mori edhe një njoftim të tërthortë nga qendra e ndërlidhjes së aviacionit në Tiranë, prej stacionit të ndërlidhjes së aviacionit në Qafën e Llogarasë se, në gjirin e Spilesë ishin vrojtuar grumbullime anijesh të armikut dhe pikërisht dy destrojerë, gjashtë motovedeta dhe dy anije të tjera të mëdha. U njoftua gjithashtu, se bregdeti i Spilesë po goditej prej orës 05:00 nga artileria e anijeve. Që këndej u supozua se armiku kishte nisur një operacion të gjerë zbarkimi kundër bazës së Spilesë.

Regjimenti i transmetoi njoftimet e marra menjëherë divizionit, në Tiranë. Divizioni me telegram urdhëroi që për sqarimin e gjendjes në bazën e Spilesë të niset një njësi zbulimi në forcën e një kompanie pushkatarësh nga Qafa e Llogorasë në Spile. Në zbatim të këtij urdhri, regjimenti formoi një grup luftimi, me komandant kapitenin Poileke, i cili ishte komandant i bat. I. të regj. gr. 523. Nën komandë atij ju vendosën forca të shtab-batalionit I, të regj. gr. 523 si edhe kompania e përforcuar 1 e regj. gr. 523.

Meqenëse rruga nga gjiri i Dukatit deri në Qafën e Llogorasë që nga orët e para të mëngjesit të datës 29 korrik vazhdimisht kontrollohej nga aeroplanët aleatë, transportimi i motorizuar i grupit Poileke në qafën e Llogarasë mund të bëhej vetëm me rënien e errësirës. Në orën 23:00, grupi i luftimit Poileke u nis nga Vlora dhe arriti rreth orës 04:00 të datës 30 korrik në Qafën e Llogorasë.

Më 30.7.44 grupi i luftimit Poileke rreth orës 06:00 u nis nga Qafa e Llogarasë drejt Palasës, ku konstatoi se nuk kishte partizanë. Në orën 13:45 arritën në Dhërmi. Këndej, në vijën e kuotave 309-241 (0.5 km në jug dhe jugperëndim të Iliasit) u konstatuan lëvizje të forcave partizane. Kur gjatë përparimit të mëtejshëm pjesët e avancuara të grupit luftarak arritën në lartësitë e përmendura, gjermanët ranë në zjarrin e armëve të partizanëve. Meqenëse zjarri partizan ishte në rritje, grupi i luftimit, me të cilin rreth orës 19.00 u bashkuan edhe pjesë të garnizonit të Spilesë në tërheqje, gjatë natës kaluan në mbrojtje në kuotën 309 dhe 341 (1 km në perëndim dhe 1 km në jugperëndim të Iliasit).

Për të siguruar suksesin e kundërsulmit, ditën tjetër, grupi i luftimit Poilekeu përforcua me urdhër të divizionit nga kompania e 6-të e regjimentit 522 dhe me baterinë malore 2 të regjimentit të artilerisë 297.

Kompania 6 e regjimentit grenadier 522, e cila me datë 30 korrik ora 23.55 arriti në Qafën e Llogarasë, u dërgua më 31 korrik, ora 00.15 me transport të motorizuar deri në Dhërmi dhe që andej, në orët e mëngjesit të datës 31 u nis për t’u takuar me grupin e luftimit. Në orën 06.15 me grupin e luftimit u takua edhe bateria e 2-të e regjimentit të artilerisë 97.

Në të gdhirë të datës 31 korrik, njësia e zbulimit e dërguar nga grupi Poileke në drejtim të Vunoit, në orën 07.45 ra në zjarr mitralozi nga kodrat një km në veriperëndim dhe perëndim të Vunoit. Gjatë luftimit që u zhvillua këtu, një nënoficer u vra dhe një ushtar u plagos.

Në bazë të urdhrit të dhënë nga regjimenti me radio për të vazhduar sulmin deri në Spile, grupi i luftimit nisi sulmin drejt Vunoit. Grupi i luftimit i ndarë në pikën 666 (0.5 km ne veriperëndim të Vunoit) arriti në bllokun rrugor që mbrohej me këmbëngulje nga partizanët.

Grupi i djathtë mundi të pushtojë në orën 17.00 Vunoin.

Nga Vunoi shihej se kuota 403 (2.5 km në veri të Himarës) ishte zënë nga forca të shumta partizane. Forcat e brigadës XII partizane, që ndërkohë ishin tërhequr në vijën e kuotave 548-369-403 (2.5 km në lindje të Vunoit), u sulmuan në orën 19:00 edhe njëherë nga grupi i luftimit Poileke. Më orën 20:30 grupi i luftimit kishte arritur deri në kuotën 302 dhe në Manin e Skutarait, ku gjermanët organizuan mbrojtjen gjatë natës.

Natën, në të gdhirë të datës 1 gusht, me grupin Poileke u bashkua kompania e 5-të e përforcuar e regjimentit grenadier 522 me transport të motorizuar. Vendkomanda e regjimentit u transferua në Qafën e Llogorasë. Më 1 gusht me një telegram të divizionit, grupi i luftimit mori urdhër të përparonte me çdo kusht drejt Spilesë, për të sqaruar gjendjen e atjeshme, të rimerrte Spilenë dhe ta mbante atë. Regjimenti dha urdhër që, 2 kompani dhe bateria malore të shkëputeshin nga rruga Vuno-Himarë dhe të përparonin në drejtim juglindje gjatë bregdetit deri në Spile. Për sigurimin e krahëve të lihej në kuotat e arritura kompania 5 e regjimentit grenadier 522.

Në orën 05:15, grupi i luftimit gjerman arriti një km në veriperëndim të Himarës. Meqenëse, rezistenca e partizanëve në rrugën e Himarës ishte pakësuar, pjesë të vogla të grupit vazhduan rrugën për Himarë gjatë rrugës automobilistike. Bateria e 2-të e regjimentit të artilerisë 297 siguroi përparimin nga pozicionet e zëna dy km në lindje të Vunoit.

Trupat që përparonin gjatë rrugës në orën 05:45 ranë në zjarr të fortë të partizanëve. Përparimi i mëtejshëm i gjermanëve gjatë rrugës automobilistike u bë i pamundur. Pjesë të grupit të luftimit, që përparonin gjatë rrugës vazhduan sulmin ndaj Himarës përmbi kuotën 517 dhe rreth orës 10:00 pushtuan Himarën. Prej andej vazhduan në drejtim të Spilesë, ku arritën në orën 14:00. Grupi i luftimit u vendos në pozicione mbrojtje dhe mori kontakt me pjesën e grupit të luftimit, që përparonte në rrugën Vuno-Himarë.

Partizanët u tërhoqën në drejtim të Kuçit.

Një urë rrugore e hedhur në erë nga partizanët (në fakt, nga kapiteni Ensor), afër Himarës, me urdhër të grupit të luftimit, u rindërtua nga popullsia.

Si anglezët ashtu edhe partizanët i morën me vete të vrarët dhe të plagosurit e tyre. Për këtë arsye, raporti gjerman nuk jep një numër i saktë për humbjet e partizanëve dhe britanikëve. Sipas thënieve të banorëve të fshatit Dhërmi, humbjet kane qenë të mëdha,si për anglezët,  ashtu edhe për partizanët- shkruhet në raportin gjerman. Kjo përforcohet nga deklaratat e një grenadieri, i cili nga vendi ku ishte fshehur, mundi të shikonte anglezët që transportonin të vrarët dhe të plagosurit e tyre me barelë, mbi të cilat shumë herë ishin vendosur dy vetë. Sipas tij, ishin rreth 150 të vrarë e të plagosur, të numëruar prej tij. Ky grenadier, i cili këto të dhëna ja kishte thënë rreshterit Libsch, në grykën e Iliasit ra në dorë të partizanëve.

Gjermanët patën në këto luftime 10 të vrarë, dy të plagosur dhe 45 të humbur. Po ashtu u plagos lehtë dhe një nënoficer. Gjithashtu, gjatë rrëzimit të një kamioni u plagosën lehtë edhe 14 ushtarë (përndrydhje dhe kontuzione).

***

Operacioni i ndërmarrë nga anglezët në Spile tregoi se, për arsye të supermacisë së tij të plotë ajrore dhe detare, dhe meqenëse bazat gjermane ishin shumë të rralla dhe me pak efektiv, zbarkimi në bregdetin shqiptar nuk përbënte asnjë vështirësi. Forcat e fuqishme partizane që ndodheshin në pjesën bregdetare, si edhe në pjesën e brendshme, kishin lidhje të ngushtë me anglezët dhe, siç tregoi operacioni në Spile, ata ishin në gjendje të kryenin edhe aksione të koordinuara. Gjiret detare në të dy anët e Spilesë ishin shumë të përshtatshëm për zbarkim, dhe meqë ndodheshin jashtë rrezes së veprimit të armëve të bazës, lejonin një zbarkim të qetë të forcave angleze.

Ndonëse anglezët kishin një epërsi pothuajse dërrmuese në armë të rënda (vetëm të dy destrojerët përdornin secili 8 topa dhe 2 topa kundërajrorë kundër bazës), nuk mundën të detyrojnë garnizonin e vogël gjerman, të dorëzojë bazën. Si pasojë ata u tërhoqën dhe sipas planit hynë partizanët në luftim, siç e përshkruan qysh në fillim të raportit kapiteni Ensor, ndonëse në Historinë e LANÇ-it nuk flitet për këtë gjë.

Së bashku me partizanët u bashkuan edhe banorë të fshatit të Himarës, të cilët hiqeshin si nacionalistë. “Me këtë rast provohet edhe një herë mos besueshmëria e plotë e pjesës më të mëdha të popullsisë shqiptare”, shkruhet më tej në raportin gjerman dhe që civilë të ardhur nga zona e Shën Mihalit shfrytëzuan rastin për të grabitur pozicionet e braktisura të gjermanëve. Gjithashtu është për t’u theksuar se, midis partizanëve që luftuan në zonën e Vunoit dhe Iliasit, kishte edhe një numër të madh grash të armatosura.

Operacioni anglez u shfrytëzua nga komunistët për një fushatë të gjerë propagandistike kundër trupave të okupacionit gjerman. Raportin gjerman përfundon me fjalët: “U përhapën zëra të pathemeltë për humbje të mëdha të trupave gjermane. Në këtë mënyrë u ushqyen përsëri lajmet e përsëritura për të disatën herë, për një zbarkim anglo-amerikan në Shqipëri.

Kundër këtyre zërave mbajti qëndrim prefekti i Vlorës, një mik besnik i gjermanëve, siç ishte vërtetuar më se një herë. Thirrjet e tij ndaj popullsisë u shpërndanë në mijëra ekzemplarë në Vlorë dhe në periferinë e saj, të afërt dhe të largët, duke u bërë kështu një kundërpeshë e konsiderueshme kundër propagandës komuniste. Si shpërblim, Regjimenti i propozoi organeve më të larta që, prefektit të Vlorës, t’i shprehej mirënjohje e plotë dhe për përkrahjen e shquar, t’i jepej një dekoratë”.

Please follow and like us: