Albspirit

Media/News/Publishing

Alketa Vejsiu: Provence, kjo ëndërr e bukur me ngjyrë dhe aroma livande

Kisha vite që e ndiqja profilin e Zhanna Bianca-s, blogere dhe fotografe me origjinë ruse, por me bazë në Milano. E keni parasysh kur admiron dikë vetëm për faktin se sapo vihesh në kontakt me të, të shpalosen të gjjtha ngjyrat e ylberit? Kështu është Zhanna edhe nga afër, energjike dhe shumëngjyrëshe. E njëjta ndjesi si ajo e Instagramit nga i cili e njoha.

Më kish lënë mbresa shija e saj e spikatur për të kombinuar me një stil unik, veshje e detaje tërheqëse, aksesorë të pazakontë, kostume me ngjyra, fustane sateni në fushat me luledielli dhe lindjet e perëndimet me të bukura të diellit në fusha lejla të mbushura me livanda…

Pastaj ndërrimi i stinëve, drerët në Lapland në Finlandën e largët, atje ku me slitë mund të njohësh atdheun e Babagjyshit të Vitit të Ri, apo një shkrepje nën pemët me lule kumbulle të shpërthyera! Më karakterizon dëshira për ngjyrat dhe njerëzit e bukur. Dhe ajo ishte e përveçme, asgjë më pak sesa mbresa që ngelet nga fotot. Një personazh që shkonte në Azinë e largët për të parë çeljen e një zambaku uji që ndodhte vetëm sa agonte dita…

Kështu ka qenë njohja ime me të, dhe me livandat e Provence… Nga Instagrami. Esenca, ngjyra dhe lloji i lules më kanë tërhequr pa fund…Është si ajo aroma e kafesë në pastiçeritë italiane, apo në Starbucks në New York, ajo tërheqje në ajër, një Love Story!

Ndaj vendosa ta ndjek!

Besoj që për shumë prej jush kontakti me këtë shërbim fotografik do jetë një njohje dhe frymëzim që ta prekni këtë tokë të bekuar që kundërmon aromë lulesh, nga ato që do t’i marrësh me vete, por s’ke se si. Unë u mjaftova me disa esenca dhe me pak farë që e kam mbjellë te kopshti para zyrave…Zhanna më pat treguar sesi kur lindi djalin, ai që veç qante ditë e natë, vetëm aty gjeti paqe.

Shpresoj që ky shërbim fotografik t’ju frymëzojë për të zbuluar një nga vendet më të mrekullueshëm të Jugut të Francës, është një ëndërr lejla që zgjat pak javë. Fushat janë në lulëzim të plotë nga fundi i qershorit deri në mes të korrikut dhe më pas fillon korrja e livandës që është arsye festash tradicionale, deri në mes të gushtit. Të dielën e tretë të korrikut në Valensole mbahet Festa e Livandës, por aty çdo ditë është një festë e natyrës.

Unë do të bëj një guidë, të mbështetur në përvojën time, që nuk ju garantoj që është më e mira, por është me siguri e mbushur me pamje të bukura dhe përvoja të paharrueshme.

Nëse do shkoni atje me rrugë ajrore, aeroporti i Marsejës, është më i afërti. Mjafton një orë e gjysmë me makinë në drejtim të veriut, për të mbërritur në zemër të rajonit të Provence-s, Luberon, ku gjen peizazhe mahnitëse vreshtash dhe pemësh, pesë nga fshatrat kodrinorë më të bukur të Juglindjes së Francës, Gordes, Lourmarin, Bonnieux, Roussillon dhe Lacoste Ménerbes, që po i përmend me emra nëse doni t’i vizitoni, tregje me ngjyra të forta produktesh lokale dhe shijen e tyre autentike dhe sigurisht fusha me livanda që çelin ngado, që ngjyrosin dhe aromatizojnë gjithçka. Në Juglindje të Francës, janë të njohur madje edhe turet e livandës, që kalojnë në rrugët pranë fushave me livandë nga Alpet në Provence.

Nga fshatrat e Provence-s, Gordes mund t’ju them që është mahnitës. Shumë artistë të njohur kanë pasur dhe kanë shtëpi aty dhe nuk janë gabuar. Banesat rrotullohen rreth shkëmbit dhe në majë të tij ndodhet kisha e Gordes që sheh kodrat e Luberon-it. Që nga maja mund të shohësh edhe kështjellën e këtij fshati, të konsideruar një nga më të bukurit e Francës. Nëse doni të ndaloni diku për një aperitiv, do ju këshilloja hotelin La Bastide de Gordes me tarracën e tij që sheh faqen e gjelbëruar të kodrës përballë.

Qilimi më i madh orgjinal i livandës në gjithë rruzullin, që e shihni në shumë foto blogeresh mode apo blogje udhëtimesh është pllaja e Valensole-s, ku janë realizuar edhe fotot e mia, nga Zhanna. 500 m në jug të rajonit Alpes-de Haute-Provence, kjo zonë mbulon 800 km katror dhe veç fushave aromatike të livandës, gjen edhe fshatra tipikë për t’u ngopur me aromën e natyrës, tokës dhe shpirtit të këtij vendi të bekuar.

Nëse vini nga Luberon, a të themi nga Gordesi i bukur që nuk duhet humbur, duhet të udhëtoni në drejtim të juglindjes, rreth 1 orë e gjysmë me makinë, por fillimisht mund të ndaleni në Manosque, ku ndodhet fabrika e L’occitane, marka e njohur që tashmë ka edhe një pikë në Tiranë, themeluar për të ruajtur dhe përhapur traditën e Provence-s.

Çdo vizitor ka mundësi të zhvillojë një tur falas brenda fabrikës që, në një orë, ju jep esencën e traditës së kësaj marke produktesh mirëqenieje për trupin dhe shtëpinë. Gjatë vitit, fabrika është e hapur nga e hëna në të premte, por në sezonin qershor-gusht e gjeni hapur dhe të dielën edhe pse nuk mund të shihni aktivitetin. Ndërsa muzeu interaktiv, aty ngjitur, është një përvojë e mrekullueshme shqisash. E gjeni hapur gjatë vitit nga e hëna në të shtunë, ndërsa nga qershori në gusht është hapur edhe të dielën. Turi juaj në këtë vend mund të përfshijë edhe kopshtin, i hapur në të njëjtat ditë si dhe muzeu.

Vetëm 15 apo 30 minuta larg me makinë duke vazhduar drejt juglindjes hapen fushat me livanda të Valensole-s. Koha aty është në varësi të energjisë suaj për ta kthyer ditën në një set fotosh. Levanda veçse në fusha, gjendet në çdo formë, e tharë, si vaj esencial, si spray, në ëmbëlsira dhe madje, kjo zonë është e njohur për mjaltin e levandës, me një shije magjepsëse delikate që nuk duhet të largoheni pa e provuar në fshatin e Valensole-s. Asnjëherë nuk do jeni të bindur që keni realizuar aq foto sa duhet, megjithatë koha është një disiplinues i mirë dhe me siguri do ju duhet të vazhdoni udhëtimin për të mos humbur dhe vende të tjera me vlera.

Rreth tri orë më në Juglindje, ndodhen dy qyteza mesjetare romantike mbushur me art, Vence dhe Saint Paul de Vence. Në Saint Paul de Vence, gjeni muzeun e artit bashkëkohor dhe modern, Fondation Maeght, ndërsa në Vence gjurmë nga piktorët e mëdhenj Chagall dhe Matisse.

Sigurisht nëse ditët e pushimit dhe buxheti jua lejon, mund të vazhdoni udhëtimin edhe më në juglindje për të dalë në rivierën e mrekullushme franceze të Bregut të Kaltër. Saint Tropez, Cannes, Nice, Monaco, janë të gjitha përgjatë vijës bregdetare, ndërkohë që ju me aromën e livandës në flegra, me siguri do e shijoni këtë mrekulli edhe pak si një banor vendas, që ka parë dhe prekur gjurmët e artit, kulturës dhe natyrës së këtij rajoni kaq unik.

Akomodimi në juglindje të Francës, ofron shumë mundësi. Ju mund të zgjidhni një nga hotelet stil Chateaux që janë një mundësi e mrekullueshme për pauzat e ditëve të gjata të kaluara në zbulim të këtij rajoni, por mund të merren edhe vila me qira, me një çmim të përballueshëm, nëse jeni një grup miqsh.

Orët më të mira për foto

Lindja e diellit

Perëndimi

Për ushqimin dhe pijet

Provence është rajoni më i njohur i Francës, në mos mbarë globit, për verën Rosé, por nuk mungojnë as vendet që prodhojnë verë të kuqe apo të bardhë. Nëse jeni admirues të verës, mos u largoni pa shijuar Côtes de Provence Rosé, Bandol Rouge, Tibouren Rosé dhe verën e bardhë Cassis, në varësi të kohës dhe ushqimit që do shoqëroni me të.

Ëmbëlsirat me levandë janë gjithashtu një kujtim i ëmbël që do e mbani mend gjatë.

Mos humbisni shijen delikate të mjaltit të livandës në fshatin Valensole që do e vulosë me ëmbëlsi shëtitjen nëpër pllajat lejla.

Souvenir-e

Blini livandë të thatë

Spray livande që hidhet në jastëk

Produkte nga vizita në fabrikën e L’occitane

Erëza në tregjet e fundjavës./class/

Please follow and like us: