Japonia nuk u dorëzua nga bombat atomike, por nga …Stalini
Fillimi i muajit gusht është i lidhur detyrimisht me dy data që janë përcaktuese në emërtimin e epokës që nisi pas vitit 1945: era bërthamore.
Kjo pasi më 6 gusht dhe 9 gusht të vitit 1945, ShBA lëshoi dy bombat e para bërthamore në qytete japoneze të Hiroshimës dhe Nagasakit. Qindra mijëra të vdekur në vetëm dy lëshime bombash që ishin vetëm disa kilotonë.
Ngjarja i foli botës me gjuhën e një fuqie të re, të teknologjisë, e cila shfaqi kështu kapacitetin që jo vetëm të zgjidhte kërkesa të politikës, por madje t’i bënte nul ato sa kohë që forca atomike qartazi kërcënon të gjithë jetën e planetit, më parë se të përmbushë objektiva ushtarako-politikë.
Nga kjo pikëpamje është vlerësuar përherë se lëshimi i bombave bërthamore nga SHBA- që mbetet rasti i vetëm deri më sot i përdorimit të tyre ndaj civilëve – çoi në kapitullimin e Japonisë perandorake dhe mbylljen e Luftës së Dytë Botërore. Që nga ajo datë zë fill angazhimi global pacifist, një prej akteve të shumta të të cilit ishte edhe përhapja e armëve bërthamore në disa shtete për të mos lejuar përdorimin e tyre.
Mirëpo ideja se hedhja e bombave çoi në dorëzimin e Japonisë sfidohet nga autorë të ndryshëm.
Dy ditë më parë revista e njohur “Foreign Policy”, publikonte një pjesë të gjatë nga libri “Pesë mite rreth armëve atomike” me autor Ward Wilson nga British American Security Information Council, pjesë të cilës i ka vënë këtë titull: “Japoninë nuk e mundi bomba …por Stalini”.
Relativizimi i aktit të ndërmarrë nga SHBA nuk lidhet edhe aq me natyrën determinuese të armës së re, e cila është e qartë për të gjithë, por me vënien në diskutim të një politike të përdorimit të forcës së shkallës më të lartë, e cila nuk jep rezultatin e pritur, apo të propaganduar. E mandej instrumentalizohet për vite të tëra. Për të mbështetur këtë tezë të vetën, autori referon disa debate që janë zhvilluar ndër vite, të cilat e nxjerrin në një kontekst shumë kritik vendimin e ish-presidentit amerikan Harry Truman.
Sipas Wilson ideja se hedhja e bombës çoi në dorëzimin e Japonisë, u sfidua që në vitin 1965 kur historiani Gar Alperovitz argumentoi se ndonëse bomba diktoi përfundimin e shpejtë të luftës, e vërteta është se liderët japonezë donin të dorëzoheshin pavarësisht bombave dhe me gjasë do ta kishin bërë këtë gjë përpara pushtimit të planifikuar nga amerikanët për më 1 nëntor. Përdorimi i bombave ishte pra sipas Alperovitz jo i domosdoshëm. Por ky qëndrim sipas Wilson është një parantezë që kërkon diskutim dhe nuk e sfidon edhe aq pozicionin moral me të cilën është mbrojtur akti i SHBA.
Ai shtron për diskutim tjetër çështje: dobinë praktike të përdorimit të bombave. A funksionoi apo jo ekuacioni hedhja e bombës = dorëzim i Japonisë? Këtu vjen në vështrim një çështje morale, por edhe strategjike e rëndësisë më të madhe. Po sikur dorëzimi i japonezëve të ishte një llogari strategjike përveçse rrjedhojë e pashmangshme e një realiteti ushtarak?
Pyetja nis e zbardh një gënjeshtër të mundshme që është përdorur për gjysmë shekulli.
Vëren Wilson:
Vështrimi ortodoks është se po, hedhja e bombës funksionoi, pati efekt. SHBA bombardoi Hiroshimën më 6 gusht dhe Nagasakin më 9 kur Japonia iu nënshtrua kërcënimit për bombardime të mëtejshme bërthamore dhe u dorëzua. Mbështetja për këtë narrativë shkon thellë. Por ka tre probleme të mëdha me të dhe të marra së bashku, ato minojnë në mënyrë domethënëse interpretimin tradicional të dorëzimit të Japonisë: Koha, shkalla dhe domethënia strategjike.
Për çështjen e parë, Wilson thotë se trajtimi i dorëzimit të Japonisë në kontekstin e projektit Manhatan siç është paraqitur rëndom dhe përdorimit të bombës në dy qytete japoneze, nuk i bindet së vërtetës.
Sipas tij, nga perspektiva japoneze, 9 gushti ishte më i rëndësishëm se 6 gushti, pasi në atë datë u zhvillua edhe takimi i Këshillit Suprem për të diskutuar dorëzimin e pakushtëzuar. Këshilli përbëhej 6 vetë, një lloj qeverie e mbyllur që dominonte Japoninë në atë kohë.
Mbledhja kishte nisur kur ndërkohë në Nagasaki u lëshua bomba e dytë dhe sipas historianit në fjalë, është jo pa rëndësi të vlerësohet se për 3 ditë, që nga bomba e Hiroshimës, opsioni i dorëzimit nuk kishte nxitur asnjë takim të nivelit të lartë.
Për krahasim sillet kriza e raketave në Kubë. Vetëm 2:45 orë pasi ish-presidenti Kennedy mori vesh nga këshilltari për Sigurinë McGeorge Bundy se në Kubë po instaloheshin raketa me mbushje bërthamore, u krijua një komitet i posaçëm, u kontaktua, u soll në Shtëpinë e Bardhë dhe zhvilloi mbledhjen me Presidentin.
Një tjetër rast: ish-presidenti Truman ndodhej me pushime në Missouri më 25 qershor 1950 kur Koreja e Veriut kapërceu paralelin 38 me trupa ushtarake. Brenda 24 orëve Truman ishte në mbledhje me këshilltarët e tij kryesorë.
Edhe argumenti se japonezët nuk po e kuptonin efektin e bombës nuk qëndron sipas Wilson. Qysh më 6 gusht, guvernatori i Hiroshimës raportoi saktësisht atë që kishte ndodhur e megjithatë zyrtarët japonezë nuk vepruan. Po kështu Komisioni i Ushtrisë Japoneze që u dërgua për të hetuar bombardimin e Hiroshimës nuk e dorëzoi raportin e vet pranë shtabit qendror përpara datës 10 gusht, pra kur kishte ndodhur Nagasaki dhe kur vendimi për dorëzim ishte marrë tashmë. Çka do të thotë se bomba nuk kushtëzonte vendimmarrjen. Po kështu sillet në vëmendje fakti se vetë japonezët kishin një program bërthamor. Ushtarakët japonezë përmendin në ditarët e tyre se Hiroshima u shkatërrua nga një bombë bërthamore, aq sa ministri i Luftës, Anami Korechika kërkoi konsultime me kreun e programit bërthamor japonez natën e 7 gushtit. Më tej akoma, në datën 8 gusht, ministri i Jashtëm Shigenori Togo, i kërkoi kryeministrit Suzuki Kantaro mbledhjen e Këshillit Suprem për të diskutuar çështjen e Hiroshimës, por anëtarët e tij e refuzuan.
Për çështjen e dytë, pra për shkallën e bombardimit Wilson sjell si argument fushatën amerikane të bombardimeve masive në verën e vitit 1945. Ajo u ndërmor nga Forcat Ajrore Amerikane dhe konsiderohet si më intensivja dhe më shkatërrimtarja e Luftës së Dytë Botërore. 68 qytete japoneze u sulmuan dhe të gjitha u shkatërruan ose pjesërisht ose plotësisht: 1.7 milionë njerëz mbetën pa shtëpi, u vranë 300 mijë, u plagosën 750 mijë. 66 sulme u kryen me bomba konvencionale, dy me bomba atomike. Shkalla e operacionit sillet si argument për të dhënë të kuptohet se japonezët nuk u kapën në befasi nga hedhja e dy bombave, as e panë atë si ngjarje të jashtëzakonshme. Për krahasim një valë goditëse prej 500 avionësh bombardues B – 29 hidhte 4-5 kiliotonë tritol në total, ndërkohë bomba në Hiroshima ishte 16.5 kt, kurse ajo në Nagasaki, 20 kt. Shkalla e shkatërrimit mes të dyja rasteve pra nuk dallon edhe aq shumë. Vetëm nga sulmi i 9-10 marsit 1945 mbi Tokio, u dogjën 16 milje katror dhe vdiqën 120 mijë japonezë.
Vëren Wilson:
Nga perspektiva jonë, Hiroshima duket unike, e jashtëzakonshme. Por nëse e vendos veten në vend të liderëve japonezë në tre javët që paraprinë sulmin në Hiroshima, panorama është krejt e ndryshme
Përditë raportohej për shkatërrimin e qyteteve të tëra: Oita, Hiratsuka, Numazu, Kuvana të shkatërruar nga bomba konvencionale në masën 50-75%. Kjo vetëm më 17 korrik 1945.
E njëjta histori tri ditë më pas me qytetin e Fukuit, shkatërruar 80%. Dorëzimi për shkak të dy bombave, ose sipas perspektivës japoneze të dy qyteteve, do të duhet të vendosë si kriter veprimi për shtabin japonez bombardimin e qyteteve. Mirëpo kjo siç dokumentohet nuk i shqetësonte edhe aq liderët e Japonisë, sa të merrnin në konsideratë dorëzimin. Gjenerali japonez Anami deklaronte më 13 gusht se “bombardimet atomike nuk ishin më pak kërcënuese sesa bombardimet e muajve të fundit”.
Çështja e tretë, Domethënia Strategjike, nxjerr në pah një variabël të mohuar deri më sot të ekuacionit ushtarak japonez: Bashkimin Sovjetik.
Në fund të LIIB, Japonia sipas Wilson ishte në pozitë strategjike jo të mirë, por ushtria e saj mbetej e fortë dhe e mirëfurnizuar. 4 milionë njerëz nën armë dhe 1.2 milionë trupa brenda vendit. Askush nuk ushqente më bindje gjithsesi se lufta mund të vazhdohej.
Fuqitë kryesore – SHBA, Britania dhe BS kërkonin dorëzim pa kushte. Nga ana e vet liderët japonezë synonin të shmangnin gjykimin për krime lufte dhe sipas autorit të librit, kishin përpunuar dy plane për të përfituar terma më të mirë dorëzimi.
I pari ishte diplomatik. Japonia kishte firmosur më 1941 një pakt neutraliteti 5-vjeçar me BS-në që përfundonte në vitin 1946. Një grup i drejtuar nga ministri i Jashtëm Shigenori shpresonte se Stalini mund të bindej të ndërmjetësonte një marrëveshje mes Japonisë dhe aleatëve. Wilson vlerëson te plani aspektin strategjik: ftohej BS që të shmangte rritjen e ndikimit amerikan në Azi dhe kjo nuk ishte pak.
Opsioni i dytë ishte ushtarak dhe mbrojtësit e tij drejtoheshin nga ministri i Ushtrisë Anami Korechika. Sipas këtij plani synohej të përdoreshin trupat japoneze gjatë pushtimit të ishullit duke provokuar sa më shumë dëme njerëzore tek amerikanët. Kjo mund të sillte terma të tjera nga SHBA për dorëzimin. Kjo strategji lidhej me shqetësimet në SHBA për humbjet masive të jetës.
Hiroshima nuk ndryshoi asgjë në këtë qasje. Veprimet në terren flasin për vijim të angazhimit në çdo drejtim. Mirëpo në momentin që Bashkimi Sovjetik theu neutralitetin e tij që buronte nga pakti i vitit 1941 dhe shpalli luftë, nisi pushtimin e Mançurisë dhe ishujve Sakhalin, çdo gjë ndryshoi. Në këtë moment opsioni diplomatik ra, pasi Stalini humbi atributet ndërmjetësuese. Por edhe opsioni ushtarak humbi prioritetin meqenëse Japonia përballej tani me pushtimin nga dy drejtime, diçka e papërballueshme.
“Një goditje e vetme dhe të gjitha opsionet e Japonisë avulluan”, nënvizon Wilson. Për më tepër që deklarata sovjetike e luftës ndryshoi kohën e përllogaritur të pushtimit dhe të manovrës. Nëse sipas shërbimeve sekrete japoneze amerikanëve u duheshin muaj për pushtimin, sovjetikët mund të hidheshin në ishull brenda 10 ditëve. Në një mbledhje të Këshillit Suprem të qershorit 1945, zv.shefi i Shtabit të Ushtrisë, Kawabe, deklaroi se “mbajtja në mënyrë absolute e paqes në raportet tona me BS është imperative për vazhdimin e luftës”.
Të gjitha këto fakte e nxorën në dritë tjetër rëndësinë strategjike të bombës atomike. Ndihma për të ruajtur atë që mund të ruhej erdhi andej nga nuk pritej: japonezët u shërbyen me bombën atomike për të justifikuar dorëzimin e tyre përkundrejt një situate tjetër, ku dorëzimi do të ishte thjesht dështim në fushëbetejë.
“Duke ia atribuuar humbjen e Japonisë Bombës shërbeu për tre qëllime të tjera politike: së pari ndihmoi në ruajtjen e legjitimitetit të perandorit. Nëse lufta humbi, ajo humbi jo për shkak të gabimeve por për shkak të një arme të armikut.
Së dyti, argumenti i apelonte solidaritetit ndërkombëtar.
Së treti, argumenti i Bombës kënaqte edhe amerikanët duke kërkuar shmangien e gjykimeve për krime lufte…Atribuimi i përfundimit të luftës për shkak të bombës i shërbeu Japonisë në shumë mënyra. Por i shërbeu edhe interesave të SHBA-së, shkruan Wilson.
Një lojë e zakonshme mitizimi që mbulon shumëçka dhe deformon realitetin që ndërmjetësohet nga historiografia. Në këtë rast SHBA ruan ende në fuqi mitin e bombës që mbylli luftën me Japoninë, ajo njeh përgjegjësinë formale të aktit, ndërkohë që historia tregon se ndoshta japonezët nuk e përjetonin këtë dramë që sot është si fakt i gjithëpranuar.