Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Jordan DACI: Presidenti i Republikës dje dhe sot pas ndryshimeve kushtetuese të 2016

Presidenti i Republikës në Shqipëri është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin kombëtar. Në të njëjtën kohë ai është edhe figura më e lartë përfaqësuese e vendit tonë në marrëdhëniet me shtetet e tjera dhe organizatat ndërkombëtare ndërqeveritare.

Tiparet e institucionit të Presidentit të Republikës janë pikërisht ato që ka një kryetar shteti në një republikë parlamentare, sikurse ajo e vendit tonë. Nëse i referohemi historikut të këtij institucioni në fillim të viteve ’90 në përputhje me Ligjin për Dispozitat Kryesore Kushtetuese, Presidenti ishte kreu i shtetit, i cili kishte të drejtë midis të tjerash të nxirrte dekrete me fuqinë e ligjit, si dhe të merrte pjesë dhe të drejtonte mbledhjet e qeverisë. Me miratimin e kushtetutës aktuale në 1998, presidentit iu hoqën këto dy kompetenca duke i kaluar Këshillit të Ministrave të drejtën e nxjerrjeve të vendimeve normative me fuqinë e ligjit.

Ky ndryshim në thelb reflektoi jo ndonjë ndryshim si pasojë e ndonjë analizë apo vlerësimi profesional dhe praktik, por ishte reflektim i drejtpërdrejtë i dëshirës së shumicës parlamentare të asaj kohe që synonte forcimin e Kryeministrit dhe dobësimin e Presidentit. Në fakt, gjatë gjithë kohës së pluralizmit politik pas kohës së Presidentit Berisha, institucioni i presidentit është parë gjithmonë si një rival apo pengues i dëshirës për pushtet absolut të kryeministrave si kryesues të shumicave parlamentare përkatëse.

Kjo ka çuar në një qëndrim negativ të këtyre shumicave ndaj Presidentit të Republikës duke shkaktuar probleme në lidhje me ushtrimin e kompetencave për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, dhe në çdo drejtim të mundshëm ku përfshihej Kuvendi. Nga ana tjetër, vetë Presidentët e deritanishëm me karakterin dhe qëndrimet e tyre kanë bërë që të lënë gjurmë në historinë e shtetit tonë ose të mbeten vetëm një emër në listën e presidentëve.

Në fakt, shumica kanë zgjedhur të jenë presidentë “të butë” dhe të shijojnë privilegjet kushtetuese pa dashur të përplasen më shumicat parlamentare dhe në këtë mënyrë kanë kequshtruar funksionin e tyre si një institucion i rëndësishëm për balancimin e pushteteve dhe ruajtjen e kushtetutshmërisë dhe interesit publik. Madje ndonjëri nga ata sikurse përflitet zgjodhi edhe të bëhej pjesë e ndonjë pazari të zakonshëm për vendin tonë gjatë këtyre dekadave të një demokracie jofunksionale dhe tepër të brishtë.

Në këtë kuadër, reforma në drejtësi, e iniciuar nga shumica e fundit parlamentare dhe e miratuar me ndryshimet Kushtetuese të vitit 2016, nuk kishte se si të mos kishte si objektiv dobësimin e pozitës kushtetuese të Presidentit, aq më pak që president i takonte të ishte President z. Bujar Nishani. Në këtë kuadër, nisur edhe nga disa vlerësime ndërkombëtare të mëparshme, ishte normale që Presidenti të mos ishte më as anëtar dhe as kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Prandaj, kushtetuta e ndryshuar e zëvendëson këtë organ me Këshillin e Lartë Gjyqësor, i cili tashmë nuk përfshin në trupin e tij Presidentin e Republikës.

Nga ana tjetër, me këtë rast presidentit iu hoq edhe e drejta për të emëruar anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, të cilat më parë, pas dekretimit, miratoheshin nga Kuvendi, ku ky i fundit gjatë dekadave të fundit si zgjatues i rëndomtë i kryeministrave zgjodhi të bllokojë emërimet, gjë e cila çoi në pamundësinë efektive të ushtrimit të këtyre kompetencave nga Presidenti dhe në bllokim të punës në këto institucione, sidomos në Gjykatën e Lartë e cila ka qenë historikisht me mungesa të qenësishme të anëtarëve.

Megjithatë, sot Presidenti i Republikës ka të drejtë të emërojë 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese nga 9 anëtarë të saj, por emrat përzgjidhen nga kandidatët e renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Pra, praktikisht, emërimi i Presidentit është krejt formal pasi ai nuk mund të dalë nga lista në fjalë. Me kushtetutën aktuale, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9-vjeçar, pa të drejtë riemërimi.

Ndërkohë, që më parë Kuvendi i pati rezervuar të drejtën vetës për të vlerësuar meritat e emërimit nga presidenti, ky i fundit i ka të kufizuara mundësitë e vlerësimit të meritave. Konkretisht, sipas kushtetutës aktuale, Presidenti i Republikës, brenda 10 ditëve nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, emëron gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, me përjashtim të rasteve kur Presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit. Dekreti i Presidentit të Republikës për mosemërimin e kandidatit humbet fuqinë kur kundër tij votojnë shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në këtë rast, si dhe kur Presidenti nuk shprehet, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pra përsëri, edhe këtu kompetenca e presidentit është e ndarë me Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe presidenti në dallim nga Kuvendi para ndryshimeve kushtetuese në raport me presidentin, ka më pak kompetenca në raport me Këshillin e Lartë Gjyqësor. Më parë Presidenti kishte të drejtën e emërimit dhe shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm me pëlqimin ose propozimin e Kuvendit. Ndërkohë, sot Prokurori i Përgjithshëm ka humbur tërësisht pozitën e tij kushtetuese duke u shndërruar më shumë në një institucion manaxhues.

Nga ana tjetër, në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm, sot presidenti nuk merr pjesë fare, pasi ai zgjidhet nga Kuvendi me propozimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Po ashtu, Presidenti më parë bënte edhe emërimin e çdo gjyqtari dhe prokurori në RSH me propozimin e Këshillit të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sot nuk e ushtron asnjë nga këto komptenca të cilat ushtrohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor në të cilët nuk bën më pjesë Presidenti.

Ndërkohë, sot me krijimin e institucionit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Presidenti ka fituar të drejtën të përzgjedhë me short, midis datave 1 dhe 5 dhjetor të çdo viti kalendarik, dy gjyqtarë nga Gjykata Kushtetuese, një gjyqtar nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit, si dhe një gjyqtar nga gjykatat administrative. Nëse Presidenti i Republikës nuk arrin të zgjedhë anëtarët deri në datën 5 dhjetor, Kryetari i Kuvendit i zgjedh ata me short brenda datës 10 dhjetor të atij viti kalendarik. Kjo kompetencë duket sikur kompenson fare pjesërisht kompetencat e mëparshme që Presidenti kishte në lidhje me sistemin e drejtësisë.

Presidenti i Republikës vazhdon të ushtrojë të njëjtat kompetenca në lidhje me emërimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe qenies Komandat i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. Gjithashtu, në kuadër të procesit të Vettingut, Presidenti organizon procesin e hapur dhe transparent të aplikimit për pozicionin e anëtarit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe të Komisionerit Publik. Kandidatët i paraqesin Presidentit aplikimet dhe të gjitha deklaratat shoqëruese, sipas ligjit. Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti përpilon një listë me kandidatë, të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatë, të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit monitoron këtë proces. Nëse Presidenti nuk e përfundon procesin brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aneksi, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit. Normalisht, kompetenca e fundit është diçka ad hoc dhe shpresoj që të mos ushtrohet më nga Presidentët e ardhshëm duke i dhënë fund në këtë mënyrë edhe procesit të vlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe rivendosjen përsëri të sovranitetit të plotë të RSH i cili sot i ka kaluar pjesërisht Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Duket theksuar që të gjithë kompetencat e tjera sipas nenit 92 dhe ligjeve të tjera të veçanta mbeten të njëjta dhe është për t’u theksuar që Presidenti në një Republikë Parlamentare si e jona është kreu dhe organi më i rëndësishëm i politikës së jashtme dhe nëpërmjet kompetencave të tij mund të shndërrohet në një institucion tepër ekuilibrues midis pushteteve dhe vetë midis forcave politike. Në thelb, pavarësisht nga ndryshimet e vogla ligjore me variantin e vitit 1998 dhe tashme të qenësishme me ndryshimet e vitit 2016, përsëri funksioni dhe imazhi i Presidentit të Republikës varët në një pjesë të madhe nga natyra dhe lidershipi që përfaqëson Presidenti i zgjedhur.

Kjo shpjegon në fakt dallimin tepër të madh midis Presidentit Berisha, një President me autoritet dhe personalitet të jashtëzakonshëm dhe dallimet e vogla fare të paqenësishme ligjore të kompetencave të presidentëve të tjerë pasardhës, por President shumica tepër të vakët dhe krejtësisht pasiv dhe plotësisht të pakrahasueshëm me personalitetin e Presidentit Berisha. Këto dallime lidershipi në fakt sollën zbehjen e institucionit të Presidentit. Ndërkohë, së fundmi zgjedhja e Presidentit Meta është një mundësi e artë për t’i rikthyer institucionit të Presidentit pozitën dhe rolin e merituar si Kreu i Shtetit, Kreu i Politikës së Jashtme, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura etj.

Në fakt, nga të gjithë Presidentët e tjerë pas Presidentit Berisha, Presidenti Meta është i vetmi person që ka personalitetin, lidershipin dhe vullnetin për të qenë Presidenti i duhur. Kam bindjen që z. Meta dhe personaliteti i tij, do kthehet në një pengesë të pakalueshme të çdo lloj përpjekje të shumicave parlamentare për të anashkaluar kushtetutshmërinë me ligjet që do miratojnë dhe do të frenojë e deri pamundësojë çdo përpjekje për të zbehur figurën e Presidentit të Republikës. Një përpjekje të tillë bëri edhe Presidenti Nishani i cili do të mbahet mend si një president i vendosur, institucional dhe i gatshëm t’i thotë jo orekseve të shumicave parlamentare, por në dallim nga Meta, Nishanin nuk e favorizoi klima e përgjithshme politike dhe raportet e forcave parlamentare.

Ndërsa Presidenti Meta, si një ndër liderët më me përvojë në vendin tonë dhe i ndihmuar edhe nga vetë klima e përgjithshme politike dhe sociale aktuale, do të ketë mundësinë t’i kthejë presidentit të republikës, shkëlqimin e munguar. Një ndër betejat e Presidentit Meta do të jetë tentativa e shumicës parlamentare për të miratuar një ligj për institucionin e Presidentit, nëpërmjet të cilit do të synojë zbehjen e mëtejshme të këtij institucioni, por që referuar numrave në Kuvend, klimës së reformës në drejtësi dhe vetë asaj çfarë përfaqëson Presidenti Meta, do ta ketë të pamundur për të realizuar një gjë të tillë.

Please follow and like us: