Sheila Haxhiraj, një nga talentet e spektaklit X Factor, e cila nuk rrëmbeu vetëm çmimin e parë, por edhe zemrën e vëmendjen e publikut. Sot, një këngëtare me ambicie, gjithmonë në kërkim të projekteve të reja, Sheila nuk ka pak për të rrëfyer. Marrëdhënia me një format kompetitiv teliviziv, ka bërë që artistja të reflektojë jo vetëm mbi veten dhe karrierën e saj, por edhe mbi talentet e reja që po zbulohen çdo ditë. A ia vlen të organizohen në vijim të tilla spektakle, sipas Sheilës? Çfarë mendon ajo për bukurinë në raport me muzikën? Po për ndërhyrjet kirurgjikale? A ka dikë në jetën e këngëtares, që e inspiron për muzikën e saj? Sepse, ndryshe nga shumica, Sheila nuk nguron t’i përgjigjet kësaj pyetje…Këto dhe shumë të tjera do t’i zbuloni në intervistën e mëposhtme, ekskluzivisht për bordo.al!
Çfarë ka ndryshuar në jetën tënde që nga dita që ke nisur karrierën?
Të fitosh një kompeticion, mendoj se është një arritje e sukses. Padyshim që rrjedha e jetēs të ndryshon, pasi bëhesh një personazh i njohur për publikun dhe si rrjedhojë ndryshon përditshmeria. Muzika është pasioni, ëndrra ime dhe përkushtimi im në lidhje me të është i madh, pra kjo gjë të bën të jesh më e përgjegjshme në çdo aspekt.
Sa të ndihmon pjesëmarrja në një format si X Factor, për rritjen profesionale?
Unë mendoj që ndihmon. X Factor për mua ka qenë si një trampolinë për t’u ngritur drejt suksesit.Të punosh me një staf profesionistësh në një produksion gjigant, me të madhen Vera Grabocka, të dalësh për javë të tëra në skenë përballë publikut është një shkollë më vete.
A mendon se Shqipëria duhet të ndalet për një kohë, së prodhuari të tilla spektakle? Pse?
Natyrisht që këto janë spektakle të bukura dhe të mira në promovimin e talenteve të reja, por mendoj që duhet dhe një pauzë për t’u lënë kohë dhe atyre që promovohen, sepse edhe të prodhuarit pa limit të talenteve, kur nuk ka një menaxhim të mirëfilltë, nuk sjell asnjë ndryshim. Muzika do shumë investim, gjë që jo të gjithë e kanë mundësinë.
Nëse do të kthehej koha pas, do të kishe zgjedhur ta nisje karrierën direkt me publikimin e ndonjë kënge apo do të zgjidhje përsëri formate kompetitive?
Mendoj që do të zgjidhja sërish një format si X Factor, pasi të japin mundësinë dhe shansin për t’u promovuar më mirë.
Sa e rëndësishme është për ty bukuria, kur merresh me muzikë?
Në gjykimin tim, së pari ka rëndësi talenti, por të qenurit e bukur, natyrisht që është një plus më shumë, të plotëson.
Çfarë mendon për ndërhyrjet kirurgjikale, që tashmë janë bërë të shpeshta për koleget e tua?
Nuk jam njeri paragjykues. Çdokush që mendon se ka një “defekt”, natyrisht që do të dojë ta “riparojë”. Çdo njeri është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij, por gjithsesi nuk jam dakort me disa raste të tepruara, ekzagjeruara.
Do bëje vetë ndonjë ndërhyrje të tillë? Pse?
Për momentin nuk e ndjej të nevojshme të bëj ndonjë ndërhyrje. Falenderoj Zotin dhe prindërit e mi që më kanë dhuruar këtë bukuri (qesh). Ndoshta, më vonë, kur ta kem të nevojshme.
Sa e gatshme je të sakrifikosh për karrierën?
E kam përmendur dhe më lart dhe po e rithem, që muzika është pasioni im dhe si e tillë sakrifikoj shumë për të, por gjithmonë duke qendruar brenda kornizave të mia.
Ke dikë në jetën tënde, që të inspiron për këngët e tua?
Jo,nuk kam.
Të pëlqen të dalësh me shoqërinë, apo të kalosh më shumë kohë me veten?
Më pëlqen të kaloj më shumë kohë me familjen dhe miqtë e ngushtë.
Ku e sheh veten pas 10 vitesh?
Shpresoj shumë të kem arritur majën e suksesit tim./Bordo.al/