Trump: Marrëdhëniet me Rusinë “në pikë rrezikshmërisht të ulët”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se marrëdhëniet e Uashingtonit me Moskën janë “në pikë rrezikshmërisht të ulët”, duke i fajësuar ligjëvënësit për këtë situatë. “Marrëdhëniet me Rusinë janë në pikë rrezikshmërisht të ulët”, ka shkruar Trump në Twitter. “Duhet të falenderoni Kongresin, njërëzit e njëjtë të cilët nuk mund të na japin kujdes shëndetësor!”, duke i’u referuar disfatës së fundit në Senat për planet e tij për reforma rreth kujdesit shëndetësor, të njohur si Obamacare. Komentet e Trumpit vijnë një ditë pasi ai i ka nënshkruarar projektligjin i cili e sanksionon Rusinë, masë të cilën kryeministri rus, Dmitry Medvedev, e ka cilësuar si “ luftë tregtare” kundër Moskës. Përmes një deklarate që shoqëron nënshkrimin e tij, Trump ka thënë se legjislacioni “ka të meta të konsiderueshme”, që do të pengonin aftësitë e administratës së tij për të negociuar me kundërshtarët e huaj. Trump e ka kundërshtuar kthimin e sanksioneve kundër Rusisë në ligj, mirëpo ka thënë se e ka nënshkruar legjislacionin pavarësisht “të metave të konsiderueshme”, për “ hir të unitetit kombëtar”. Projektligji i nënshkruar nga presidenti Trump i vazhdon sanksionet ndaj Rusisë, të vëna nga presidenti i mëparshëm Barack Obama, për ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA, për aneksimin e paligjshëm të Krimesë dhe mbështetjen e separatistëve kundër qeverisë në lindje të Ukrainës.