Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Xhoi JAKAJ: Problemet në familje prekin më së shumti fëmijët

 

 

Familja shqiptare, në rrjedhën e historisë së saj, nuk ka pasur ndonjëherë më shumë probleme apo ngjarje të shënuara që ta bëjë atë të padobishme për mirërritjen e fëmijëve.

Zhvillimet e saj mes modernes dhe hijes të së kaluarës

Familja shqiptare, nuk është as më shumë e as më pak se në kompleksin e saj tërësisht patriarkale maskiliste, dhe dhënia e ndonjë fuqie a pozite seksit femëror është shumë e vogël, madje e papërfillshme po t’i krahasojmë ato me simotrat e tyre në mbarë botën e civilizuar. Të bësh një krahasim të vetë familjes shqiptare në periudha të ndryshme, do të kuptosh se sensi i drejtë i familjes nuk është ky që ne kemi sot; forma më e pranueshme e familjes shqiptare, fatkeqësisht ka qenë para viteve të demokracisë sonë kaq shumë të përfolur e të dëshiruar.

Duket si një kohë shumë e shkuar kur flet për shenjtërinë e familjes. Familja tradicionale, në themel të së cilës qëndronin vlerat e një morali të bazuar në tradita të konsoliduara ndër vite, është venitur në babëzinë e pashpjegueshme që i ka pushtuar shqiptarët ndaj gjithçkaje. Ndryshimet e vrullshme të viteve të tranzicionit dhanë efekte rrënjësore në sferën sociale e ekonomike për vendin tonë: shoqëria jonë, nga një shoqëri tradicionale dhe e mbyllur, u përmbys në një shoqëri kapitaliste e të hapur. Të gjitha këto ndryshime kanë trullosur tërësisht edhe familjen shqiptare – numër i madh i divorceve, krime të paimagjinueshme brenda familjes… pasqyrim i frikshëm e i shëmtuar i një depresioni të madh që po përjeton çdokush në vendin tonë.

Demokracia jonë e përballi Shqipërinë e vogël me kulturën e larmishme europiane. Të etur për të pasur një jetë të mirë e të pavarur, me idenë për të përmirësuar jetët e familjeve të tyre, meshkujt shqiptarë u turrën drejt emigracionit. Në këto kushte, në familjen shqiptare u zhvendosën edhe përgjegjësitë: gratë morën gjithnjë e më shumë detyra, në rritjen e fëmijëve e gjithçka tjetër. Por fenomeni që e shoqëroi emigracionin ishte i paprecedentë e i pakonceptueshëm për familjet shqiptare. Bashkëshortët ikën për jetën e premtuar por, në fund, lanë në harresë familjet e tyre në Shqipëri, madje në disa raste krijuan edhe familje paralele në botën e tyre të re – mes modernes në Evropë dhe konservatores në vendlindje. Familjet këtu ua lanë në “kujdestari” prindërve të tyre, madje në zonat rurale edhe motrave apo vëllezërve e kunetërve. Në Shqipëri, një grua pa bashkëshortin afër, duhet të kryejë disa misione e vetme njëherësh: të rrisë fëmijët duke iu mbajtur gjallë figurën atërore që e shohin gjithmonë e më rrallë, të kujdeset për prindërit e bashkëshortit në emigrim, t’iu bindet verbalisht atyre edhe nëse hendeku kulturor e intelektual është në proporcion të zhdrejtë. E mes gjithë kësaj, edhe të mirëpresë “gruan europiane” të burrit të saj kur ky i fundit tregohet “burrë” mjaftueshëm sa t’i tregojë të shkretës për jetën e tij të re; se në çdo rast tjetër duhet të durojë të gjitha “ngushëllimet nga vetmia” që burri i saj po kalon në emigracion. Por krejt ndryshe është situata nëse kjo e mjera grua që u kthye në shërbëtore të shtëpisë së saj, do të kërkojë të jetojë jetën e saj; nëse një ditë do të dojë edhe ajo të nisë të jetojë jetën e saj pa atë, burrin që e la pas natës së parë të martesës. Në kushte të tilla, kjo grua do të jetë “tradhtarja” e do të përballet fillimisht me gjyqin publik, mund të dënohet, sigurisht që do të përbuzet e persekutohet, pa marrë parasysh fare dinjitetin e saj apo që ndokush të mendojë se pasojat më të mëdha do t’i vuajnë fëmijët e saj dhe të atij burrit që prej vitesh nuk ishte më i saji.

Nuk do të doja kurrsesi t’i kthehesha bumit që mori ngjarja e pak ditëve më parë, ku një grua u masakrua publikisht nga familjarët e burrit të saj, por është e rëndësishme të nxjerrim mësime prej saj. As nuk dua t’i hyj diskutimit nëse sjellja e saj është e drejtë, e justifikueshme, e moralshme apo jo! Dua të ndalem diku tjetër. Vallë e mendoi kush ndonjëherë se çfarë do të ndodhë me jetën e atyre fëmijëve që, së bashku me nënën “kurorëshkelëse” u bënë pjesë e shfaqjes së shëmtuar që u tha se “meriton” çdo rast i tillë? A u shqetësua kush për traumën që për shumë vite me radhë do të jetë barrë e jetës së tyre? A mendoi kush se një ditë ata fëmijë do të rriten e do t’iu duhet një model për të krijuar familjet e tyre – ku do ta kërkojnë?!

Si drejtuese e Burgut të Grave në Tiranë, kam raste pa fund fatzezash që janë pas hekurave të burgut për shkak të “pandershmërisë” së tyre. Të strukura në vetminë e fatin e tyre numërojnë ditët derisa të lirohen, me frikën se s’do të dinë ku të fusin kokën. Por, pasojat e tmerrshme të vetmisë dhe përbuzjes i vuajnë fëmijët e tyre. Sa e sa herë i shikoj në takim me nënat e tyre…të lodhur, të drobitur, fajtorë për veten që lindën, e fajtorë për ato nëna që i sollën në jetë. Shoqëri me probleme të mëdha sociale, shoqëri egoiste dhe cinike deri në rrënjë!

Pas gjithë kronikave çnjerëzore e të tmerrshme që zaptojnë në media historitë familjare, është momenti kritik në të cilin ne duhet të reagojmë. Sot familja është e kërcënuar rëndë nga shkatërrimi i saj, njerëzit e kanë harruar rëndësinë dhe rolin e saj social, por ajo ende duhet të jetë qendra e “zhvillimit dhe e së mirës së përbashkët”. Është përgjegjësi morale e kujtdo të mbrojë, mbi të gjitha, respektin dhe dinjitetin e familjes! Këto nuk humben për shkaqe banale apo se dikush ngre krye të rebelohet ndaj mungesës së tyre. Familja është baza dhe bërthama e jetës; prej saj lind, krijohet dhe merr formë gjithçka – nëse ajo është e sëmurë, sigurisht që shoqëria do të jetë edhe më e sëmurë. Kemi nevojë të menjëhershme të kthehemi në rrënjët e moralit, të moralit personal mbi të gjitha, sepse siç duket, e kemi groposur thellë atë. Po tregohemi të shurdhër ndaj klithjeve të fëmijëve të pafajshëm që kërkojnë të jetojnë në një familje të denjë për ta. Le të kthehemi në bazat tona humane, ta lëmë babëzinë për më shumë mënjanë e të shijojmë atë çka kemi. Jeta është mjaft e komplikuar vetë, le ta thjeshtojmë atë e ta vëmë në dobi të fëmijëve tanë dhe të shëndetit të tyre mendor.

*Drejtoreshë e Burgut të Grave

 

Please follow and like us: