Sadik Bejko: Rrëfimtari Izet Shehu në romanin “Vetëm një grua”
Në një rrëfim bisedor, apo i shkruar qoftë ky, merr shumë rëndësi toni që i përcjell ngjarjet dhe gjëndjet. Përmes ngjyrave të këtij toni vjen e regjistruar dhe e gjallë gjithë ajo tërësi bote gjer dhe hollësitë e saj, pra, gjithë sa përmban lënda që kumtohet. Regjistrat e këtij toni, ngjyrimet e tij, janë disi fluturuese dhe të pakapshme, pasi, në rend të parë, ne ia vemë veshin asaj që po rrëfehet. Si qenie logjike mund të jemi ose jo të një mendjeje me atë që na kumtohet, me atë që po flet. Por, në të dyja rastet, pa kuptuar, ndërhyn e na merr me vete, na ndjell e na lë shtang toni, i cili i jep rrëfimit një përmasë tjetër. Njoftimet mbi ngjarjet janë të përfshira në avujt, në ngjyrat, në pozicionimin e zërit të rrëfyesit. Ftohtësia apo vlaga e tonit janë jo vetëm sfondi, thellësia, po edhe shpejtësia a përkulshmëria e ujërave për nga rrëshqet, shtrihet a degëzohet rrëfimi. Njoftimet e këtj toni (disa njoftime ekstra) mund të na nguliten po aq sa edhe kumtet e drejtpërdrejta të rrëfimit që në vijim vizaton tipat, karakteret, ngjarjet. Këto mund të kapen më me lehtësi, mund dhe të analizohen prej logjikës sonë. Toni prapë mbetet aty, është brenda ngjarjeve, është edhe përsipër tyre.
E nisa me tonin e rrëfimit, se rrëfimtari në romanin “Vetëm një grua” të Izet Shehut është personazh i romanit. Është një burrë i moshuar, me plagë nga e kaluara, pastaj dhe një i lodhur nga e sotmja e Shqipërisë, nga shoqëria e ashtuquajtur e tranzicionit. Do s’do, me kalimin e viteve, mosha njeriun e vë në skaj. Si për protestë, në skaj dhe më përtej se në skaj e degdis veten e tij ky lloj njeriu. Për të mos e rënduar më vetveten. Një tërheqje jo për t’u fshehur, më shumë për t’u mbrojtur, për të mbrojtur thellësitë. Një liqen, një lumë, një park me pemë, një kafe e mënjanuar. Kjo lloj tërheqjeje kërkon prehjen, bukurinë, mbase dhe pak lëndë përmbajtësore që nuk lidhet domosdo me këto vise të qetësisë së përjetshme. Një marrëdhënie e shtuar me vetveten dhe e rrudhur me të tjerët. Pra, kërkohet pak poezi. Poezi që vjen nga fryma dhe pamjet e mjediseve, po edhe nga lëvizjet e brendshme që duan qetësim. Qetësimi, në mos ardhtë prej zbulimit të të fshehtave fisnikërisht të ruajtura së brendshmi, së paku, të vijë prej shfrimit të pengjeve dhe të gulçeve të së shkuarës. (Ja, kudo të shkojmë, kudo të futemi, nuk shpëtokemi dot prej vetes sonë). Shfrime të tilla çojnë nga pastrimi dhe tëharrja e së keqes që ka bërë vend brenda nesh. Këtë pastrim dhe çlirim nga barrët e kujtesës ku ta gjesh? Për më tepër kur brenda vetes ke shumë trungje që nxijnë.
Kështu hapet ky roman i Izet Shehut. Dy të moshuar, shtyrë në periferitë e një qyteti, ku me rrëfimet e njërit, vjen dhe çlirimi i tjetrit. Së paku, tashmë kaq gjë mund ta kenë. Të pinë një kafe lirshëm, të shëtisin nën pemë, ta zbrazin zemrën paq, pa asnjë pengesë, pa asnjë gardh, pendim a mëdyshje. Asgjë s’mund t’u merret për keq. Të këqijat e së shkuarës kanë qenë të tilla, sa, edhe duke i rrëfyer, edhe sikur të çlirohesh pak prej tyre, nuk i bëhet dëm askujt. Jo se në të sotmen amullia dhe e keqja morën fund. Jo, ato gëlojnë e të fundosin edhe sot. Por e sotmja nuk i prek më drejtpërsëdrejti këta të moshuar. Nuk u përket më atyre. Ky çift i poetizuar i dy të moshuarve vetëm sa do të zbrazet pak nga të këqijat e kohës së tyre. Vetëm kaq. Rrëfehen histori rrëqethëse, vizatohen gjëndje të tërheqjes dhe të simpatisë së fortë midis dy të moshuarve. Ky është sfondi poetik në fillim dhe në fund të romanit.
Rrëfimtari nuk e fsheh dalldinë e një simpatie të fortë që i rrëmben dy të moshuarit për njëri-tjetrin. Nuk e fsheh që e mirëkupton dhe e fal në të metat, madje dhe në mëkatet e saj gruan që sapo ka njohur. Kjo dalldi dhe ky mirëkuptim sikur e pastron dhe e dlir atë grua. Kjo e moshuar vazhdon ta dojë jetën, është ende e pashme dhe e do praninë e një burri në krahun dhe në jetën e saj. Është një grua, “Vetëm një grua”, siç na thuhet dhe në titullin e romanit. Një grua… E ka përbaltur jeta, është varrosur për së gjalli nga më të afërmit e saj, vetëm dhe vetëm se ka dashur kaq gjë: të jetë grua. Kështu i ka ndodhur asaj. Ajo asnjëherë nuk ka hequr dorë të jetë e tillë, ka dashur me patjetër të plotësojë, së paku, thellësitë e saj më themelore e më të pacipa: të gjejë një burrë që do ta kënaqë edhe fizikisht si femër. Ndryshe, ajo ikte, i linte, i braktiste burrat. Familja e martonte (jeta e kish vënë në qarkun e ngurtësuar: o te prindi, o te burri) dhe ajo e pranonte martesën si fatalitet, si kërkesë të sajën, si dëshirë për t’u plotësuar si grua. Në se kjo nuk ndodhte, ajo prapë u kthehej në derë të afërmve të saj. Ajo s’mund të mos ishte femër, grua.
Një temë kjo jo e zakontë në letrat tona. Kjo temë na kthen pas te një e kaluar që sapo e lamë. Shkrimtarët e tjerë edhe vetë Izet Shehu në poezitë dhe në tregimet e tij kanë folur për natyrën kriminale të së kaluarës sonë, për vrasjen e humanitetit nga ajo kohë, për varret pa emër, për burgjet e asaj kohe… Në këtë roman ai e shtron ndryshe mungesën e plotë të lirisë së individit, kthehet nga dramat e parrëfyera të jetës së përditshme të gruas, te këto tragjedi që nxijnë dhe ashtu të shuara në heshtje. Gra të privuara edhe seksualisht. Etja seksuale dhe mohimi i saj, mos zënia në gojë e një “turpi” të tillë, e poshtëronin dhe e degradonin njeriun, në këtë rast gruan, në intimitetin më të thellë. Rebelimi i kësaj gruaje kundër martesës si formalitet, kundër një shoqërie patriarkale dhe komunisto-puritane është i pabujë, pa thekse politike. Por kështu godet më mirë në shenjë. Kjo vajzë nga familje të thjeshta minatorësh vetëm kaq gjë ka kërkuar nga jeta: të gjejë burrin që e bën të ndjehet grua. Asgjë më shumë. Familja e saj, që t’i mbyllë gojën vajzës, vetes dhe botës, pra, për zakon, e ndien si detyrë që t’i gjejë një burë, t’i sigurojë një çati mbi kokë. Të gjetëm burrë, të bëmë një dasëm, ç’do më tepër: nënshtroju fatit. Këtu mbaronte detyra e familjes. Tej kësaj, je apo nuk je e kënaqur nga shtëpia e re, nga burri, nga të tjerat, këto ishin të tepërta edhe t’i zije në gojë. Klisheja ishte: vajza e ka fundin në martesë, gruaja e ka vendin te burri. Personazhja e këtij romani thotë: ju më jepni një burrë dhe unë e pranoj. S’po kërkoj të tjera. Por, në se burri im nuk më jep së paku një shtrat të ngrohtë, atëherë unë nuk kam ç’e dua martesën dhe burrin. Unë po i pranoj të gjitha: zakonet, varfërinë, nënshtrimin. Vetëm një gjë nuk e fal: burrin që nuk është burrë. Si t’ia bëjë vëllai i saj minator, vëllai që me punën e krahëve të tij mban e ushqen katër gojë, gruan, nënën, fëmijët, si t’ia bëjë ai që e marton tre-katër herë këtë motrën e tij dhe ajo nuk zë vend? Shkon dhe nga shkon dhe prapë i përplaset në prag. Ky minator, më së fundi, me sy të errur nga tërbimi, një natë ngre barominën e hekurt të minierës dhe i bie së motrës në kokë. E përgjak, e lë pa frymë. E pandehin të vdekur dhe e varrosin në breg të Vjosës në një natë me furtunë, me qëllim që ujërat e dallgët ta degdisin në pakthim. As varr të mos ketë. Nëna në këtë rast mban anën e djalit, edhe ajo merr pjesë në krim.
Duke mos u mbajtur në efektet dramatike, as në efektet e jetës seksuale (thamë që pikënisja është nga e sotmja, rrëfimet vijnë nga një vend me drunj të bleruar në breg të një liqeni). Autori, pas kësaj varrosjeje me vlera më tepër simbolike, personazhen e tij e çon në një teqe bektashinjsh. Në një vend të shkëputur nga shoqëria, vend ku ajo e merr veten shpirtërisht. Teqeja është një vend prehjeje dhe meditimi për këtë grua të përgjakur e të sakatuar nga jeta. Ngjyrat e bardha të teqesë, e blerta e korijes rreth e rrotull saj, tipat njerëzorë të dervishëve, bujaria dhe përkushtimi i tyre i përditshëm ndaj njerëzve, jeta e përkorë, tërheqja nga jeta vizatohen me hollësi. Teqeja është nga vendet me përshkrimin më të plotë në roman. Këtë grua atje e presin ashtu siç është, pa e pyetur: nga je, kush je, ku shkon? Teqeja është një vend bujarie që pret dhe përcjell cilindo, pa e gjykuar, pa asnjë kushtëzim. Personazhja e vrarë dhe e tallandisur nga jeta aty pëson një përndritje të brendshme. Përndritje që ka të bëjë me mohimin e së kaluarës së saj dhe kapërcimin në një jetë tjetër, jetë ku të vendosë vetë për fatin e saj. Mohon familjen, mohon të shkuarën, ndërron dhe emrin. Ajo nuk duhet të ishte më plehu i shtëpisë së babait. Pleh që duhet nxjerrë nga shtëpia. Nuk duhet të ishte më femra që vetiu, që me lindjen e saj, është e rrezikshme, e pistë dhe që pastrohet dhe merr emrin njeri, grua, vetëm në se mbillet në vatrën e një burri, e një shtëpie tjetër.
Mbas kësaj ngjarjet rrokullisen po njësoj. Kjo grua jo se e gjeti përfundimisht lumturinë, por tashmë e ka gjetur vetë familjen. Tashmë… i lind dhe instinkti i mëmësisë.
Parë nga e sotmja, është shëruar ajo (ne) nga gjithë helmet e së shkuarës?
Një dramatikë e rëndë e mbrun në thelb këtë roman. Drunjtë e një parku, shëtitjet nën këta drunj e mbulojnë atë. Një vend i përkohshëm prehjeje dhe mirëkuptimi. Ngadalësim, ndalesë në një stol parku pas ecjes së rëndë. Po a nuk kishte kërkuar ajo kaq gjë në jetën e saj: mirëkuptim, mirësi dhe prehje. Me këtë mesazh dhe më këtë ton të trishtimit poetik, në fund dhe në krye të tij, të prek ky roman, kjo prozë e re e Izet Shehut.
Tiranë, 26. 12. 2006
Nga krijimtaria e Izet Shehut
- “Çiltërsi lirike”, përmbledhje poetike
- “Vjeshtë njerëzore”, përmbledhje poetike
- “Ëndrra trëndafilash në borë”, përmbledhje poetike
- “Brohorima e një dimri”, përmbledhje me tregime dhe novela
- “Troku i fatit të verbër”, përmbledhje poetike
- “Mjegulla e trishtimit”, përmbledhje me tregime
- “Fatkeqja e bukur”, novelë
- “Perëndimi në zabelin plak”, përmbledhje me tregime
- “Mbi qerpikë çlodhet agu”, përmbledhje me poezi
- “Drithërime muzgu”, përmbledhje poetike