Hajdar Blloshmi, mësuesi atdhetar
Një personalitet i madh e i fuqishëm i kohës që u la në harresë nga diktatura, po kështu edhe nga redaksia e librit “Elbasan Enciklopedi”.
Prof. Dr. Uran Asllani
Familja Blloshmi i ka dhënë kombit disa personalitete, ndaj le të merremi pak me këtë familje. Sipas legjendës të përhapur e të njohur nga populli edhe nga shumë studiues midis të cilësve edhe Hasan Dosti e Mehdi Frashëri familja Blloshmi biri i denjë i së cilës është atdhetari Hajdar Blloshmi, e ka prejardhjen nga princ Milloshi i famshëm nga fshati Kopilicë i Kosovës. Ky djalosh kosovar trim në betejën e Fushë- Kosovës të vitit 1389 arriti të hynte deri në çadrën e Sulltan Muratit të I dhe e vrau atë, duke bërë sakrificë edhe jetën e tij. Për Milloshin ka qënë folur pak madje dhe kur u përmend nëpër shkrime të ndryshme endacakët serbë e konsideruan bashkëatdhetarin e tyre. Mbi këtë prejardhje flet edhe fakti i letrës, e cilaështë zbuluar në arkivat serbe që Mbreti i Serbisë, Aleksandri, kur Hajdar Beu ndiqej nga autoritete osmane e ftonte në Serbi duke i bërë nderet e dhënë pasurinë si pinjolli i Heroit Kombëtar, Milloshit. Hajdar Bej Blloshmi e revuzoi duke i thënë se ishte shqiptar. Blloshmër shekuj më parë gradualisht, u xhvendosën nga Kosova dhe filluan jetesën e tyre në zotërimet e Princit Gjergj Komnen Arianiti, në zonën e fshatit Bërzeshtë të Quksit Librazhd. Hajdar Blloshmiështë lindur në vitin (1858?) (1860?) në Bërzeshtë. Mësimet e para i mori në shkollën E Ohrit ndërësa studimet e mesme i filloi në Greqi dhe më pas i vijoi dhe i përfundoi në Gjimnazin Perandorak franko-turk të Gallata-Sarajit në Stamboll. Studimet e larta i ndoqi në shkollën e lartë të Drejtësisë (Mejtepi Hukuk) si student i shkëlqyer.Në gazetën “Drita” të Gjirokastrës shkruhej : “Më 1897 H. Ohri hap një shkollë shqipe të vetën në Ohër tue ngarkue me detyrën e mësuesit të nderuarin Hajdar Blloshmi, të cilin e paguante nga kuleta e vet. Leja e shkollës nga autoritetet turke të Manastirit u dha për me mësuar gjuhën frënge, kurse këta mësojshin gjuhën amtare”. Hajdar Blloshmi merr pjesë në të gjitha veprimtaritë atdhetare që zhvilloheshin nga Manastiri e deri në Korçë e Kolonjë, se bashku me atdhetarët që kishin formuar “Komitetin e fshehtë” si Bajo Topulli, Themistokli Gërmenji, Gjerasim dhe Gjergj Qiriazin, Grigor Cilkën, Fehmi Zavalanin e sidomos me bashkëfshatarin e tij, nënkolonelin Halit Bërzeshtën (Cakën) “Bej baban” farmacistin ushtarak. Ashtu si shumë atdhetarë shqiptarë edhe Hajdar Blloshmi u afruan me organizatat e fshehta “xhonturke”, duke shpresuar shumë në liritë demokratike që ata propagandonin. Në këtë mënyrë bie në sy të autoriteteve osmane që po pregatisnin arestimin e dënimin e tij. Ndaj ai largohet nga territori i peranrorisë Osmane dhe shkoi në Bukuresht, duke refuzuar Beogradin. Asokohe një ndikim të madh në jetën e tij ka luajtur atdhetari i shquar dr. Ibrahim Temo, që jetonte në Rumani, me të cilin kishte korrespondencë të gjatë. Me kërkesën e autoriteteve osmane polica rumune e arrestoi atë dhe e ktheu në Stamboll për tu gjykuar. Kanë mbetur të gjalla në kujtesën e shkruar të bashkohësve të tij fjalët që Hajdari tha nëgjyq : “Për një grusht gjak që doni ju duke më dënuar me vdekje, unë nuk mund të gënjej para Zotit. Revolucioni Xhonturk dhe shpallja e “Hyrjetit” nxjerr nga burgu Hajdar Blloshmin. Në vitin 1909 u emërua si mësues i gjuhës turke dhe i frengjishtes në Shkollën Normale Të Elbasanit ku bashkpunoi me kolegët e tij Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Simon Shuteriqin, Dhimitër Papariston, Hafiz Ibrahim Dalliun, Petër Dodbibën e Hasan Mezen të asaj shkolle. Një veprimtari të gjërë ai zhvilloi me klubin “Bashkimi” të Manastirit, ku në 1-6 prill të viti 1910 ishte delegat i Starovës e Quksit në Kongresin e Dytë të Manastirit të atij arsimor. Në atë kuvend kombëtar Hajdar Blloshmi foli: “Qeveria nuk duhet t’iu japë kurgjë atyre që duan të lënë Shqipërinë në errësirë, duke thënë se shkronjat shqipe prishin fenë myslimane në një kohë kur ajo lë të lirë qeveritarët e saj në Stamboll të flasin e të shkruajnë frengjisht, anglisht, rusisht, greqisht edhe s’kanë frikë se mos prishin fenë. Shkronjat latine zënë vend në dokumentet zyrtare të qeverisë. Ajo duke mos lejuar alfabetin shqip nuk do përparimin e gjuhës dhe popullit shqiptar”.Hajdar Blloshmi së bashku me Bedri Pejanin në atë kongres diskutuan “tërë zjarr” në mbështetje të fjalës së Dervish Himës, për botimin e librave dhe gazetave shqip. Sipas gazetës “Bashkimi i kombit” në Manastir ata të dy kërkuan që vendimet e atij kongresi të botoheshin në një libër. Në vjeshtën e vitit 1912 u emërua mësues i gjuhës frënge pranë shkollës Idadie të Durrsit ku kishte punuar edhe Salih Nivica. Në Durrës u lidh ngushte me veprimtarinë atdhetare të Dom Nikollë Kaçorrit, dr. Neki Libohovës, Stefan Kaçulinit, Agustin Sereqit, Jahja Ballhysës, Abas Celkupës. Në nëntor të atij viti u zgjodh nga populli i Starovës (Pogradecit) si përfaques i tyre në Kuvendin E Vlorës, për shpalljen e pavarsisë kombëtare. Po për shkak të pushtimit nga ushtria serbe në Vlorë ai arriti më vonesë, në datën 6 dhjetor, së bashku me delegatët e Ohrit Hamdi Bej Ohrin e Dervish Himën dhe ata të Matit: Mustafa Efendiun, Ahmet Myftar Beun dhe Riza Beun. Në mbledhjen e shtatë të Kuvendit të Vlorës të datës 7 dhjetor Dervish Hima dhe Hajdar Blloshmi mungonin. Në Qershor të vitit 1913 në Vlorë organizohet një miting ku marrin pjesë mbi dhjetë mijë banorë duke protestuar në mbrojtje të tokave shqiptare në camëri. Në atë miting morën pjesë dhe folën Hajdar Blloshmi, Rauf Gjirokastra, Naxhi Libohova, Mit’hat Frashëri, Jani MInga dhe Loni Kristo. Në mars të vitit 1914 e shohim si luftëtar së bashku me kapitenët e xhandamërisë shqiptare, Gani Butkën Leon De Ghilardi, oficerët holandezë Snellen, Vallenho-Fen Ruller, Mallinkcroft e Durman si dhe me vullnetarin amerikan, majorin Spencer, në marrjen në dorzim të qytetit nga ushtria greke madje ai mori pjesë dhe në rrethimin e Mitropolisë dhe kapjen e peshkopit Jakov dhe grekomanëve fanatikë të qytetit. Përkrah Muharrem Moglicës ai luftoi edhe nëpër ullishtat e Elbasanit kundra turkoshakëve. Mori pjesë si vullnetar në luftimet e qershorit 1914, në Rashbull, në Urën e Shijakut, dhe në mbrojtjen e Durrësit së bashku me oficerët Holandezë dhe Haki Glinën, Isa Boletinin, Bajram Currin, Musa Sharrën, kapiten Kamber Sejdinin. Në vitin 1916-1920 gjatë pushtimit francez, ai shërbeu si mësues i gjuhës frënge në shkollën Plotore të Pogradecit. Ai pati miqësi edhe me mikun e shqiptarëve kolonelin francez August Mortier i cili ndihmoi arsimdashësit pogradecarë. Në maj të vitit 1920, pas largimit të ushtrisë frënge nga Korça, në qytetin e Pogradecit u mbajt një miting atdhetar ku populli i asaj zone tregoi nderimin dhe dashurinë ndaj flamurit kombëtarë. Sipas një artikulli të gazetës “Opinga” të titulluar “Flamuri kombëtar u ngrit në Pogradec” mësojmë se “…në këtë kohë Z. Hajdar Blloshmi, mësuesi në Pogradec hipi mbi një frond he me zë të lartë i tregoi popullit rëndësinë e ditës së flamurit e të atdheut … “. Nga qeveria e parë e Kongresit të Lushnjës kërkoi me ngulm që në fshatin e tij, Bërzeshtë, të dëgjuar për njerzit e ditur të tij të ngrihej një shkollë Plotore me Internat, për fëmijët e asaj zone. Këtij qëllimi iu arrit vetëm në vitin 1926, vetëm pasi e ringriti këtë problem edhe në Parlamentin shqiptar kur ishte deputet. Mbas mesit të gushtit të 1925 Hajdari u zgjodh deputet i prefekturës së Elbasanit duke zëvendësuar të birin Majorin shqiptar Selahudin Blloshmi që dha dorëheqjen për të kaluar në diplomaci. Ai qëndroi deputet edhe në legjislacionin e vitit 1928 dalë nga zgjedhjet e atij viti, së bashku me deputetë të tjerë të Elbasanit. Ahmet Hastopallin, Andon Beçën, Hasan Biçakun, Riza Kishtën, Shefqet Vërlacin. Në zgjedhjet e vitit 1932 ai u tërhoq nga jeta politiko shoqërore e atdhut dhe u kthye të banonte në fshatin e vendlindjes ku dhe vdiq në dhjetor të vitit 1935 i vrarë shpirëtrisht e moralisht nga vdekja e papritur e birit të tij, atdhetarit të madh, nënkolonel Selahudin Blloshmit më 1929.