Martin Shkreli, fajtor për manipulim letrash me vlerë
Një gjykatë federale në Bruklin të Nju Jorkut shpalli fajtor Martin Shkrelin, ish-ekzekutiv i një kompanie farmaceutike, i akuzuar për mashtrim me letrat me vlerë. 34-vjeçari përballet me deri në 20 vjet burg, por dënimi mund të jetë shumë më i vogël, sipas disa rregulloreve të reja.
Vendimi i jurisë u mor pas pesë ditë diskutimesh mes anëtarëve. Prokurorët e akuzuan Shkrelin se kishte manipuluar paratë në fondet e investimeve Elea Capital, MSMB Capital dhe MSMB Healthcare, si dhe kur ishte shef ekzekutivi i firmës Retrophin, që ai e kishte themeluar në vitin 2011. Pala mbrojtëse këmbëngul se investitorët i kishin marrë paratë e tyre, madje kishin dalë me shumë fitim.
Jashtë gjykatës, Shkreli e quajti procesin kundër tij “një gjueti shtrigash me përmasa epike”. Ish-ekzekutivi i firmës bio-teknologjike njihet më shumë për bujën që shkaktoi rritja prej tij shumëfish e çmimit të një ilaçi mjaft të kërkuar si dhe për komentet fyese që ai u bënte kritikëve në mediat sociale.