Vjosa Ramadani ju fton në ekspozitën e saj në Mannheim
“Arti im rrëfen tregime intime të njerëzve, tablo çasti të emocioneve të tyre, shpesh të mbështetura e nganjëherë të penguara nga një sfond që thotë shumë”. Vjosa Ramadani është me profesion artiste dhe terapeute arti, me prejardhje është nga Kosova Lindore, ndërsa jeton në Mannheim të Gjermanisë. Në po këtë qytet ajo do të hapë nesër (më 5 gusht) ekspozitën e punimeve të saj artistike. “Unë do të ekspozoj një pjesë të punimeve të mia dhe, në një workshop (punëtori) për të rritur e fëmijë do të prezantoj edhe diçka nga puna me tekstile. Arti im rrëfen tregime intime të njerëzve, tablo çasti të emocioneve të tyre, shpesh të mbështetura e nganjëherë të penguara nga një sfond që thotë shumë. Impresionet, shprehjet dhe momentet kanë rëndësi”, thotë Vjosa në një postim të saj në rrjetet sociale që e ka bërë në prag të ekspozitës. Hapja e ekspozitës bëhet më sot 5 gusht në orën 19, në “Dankbar”, Mannheim G7, 22 Mannheim. Gjatë vernisazhit, Sebastian Gilles do të interpretojë kompozime të veta në piano. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 20 gusht./albinfo.ch/