Albspirit

Media/News/Publishing

25 vjet më parë, kur ortodoksët shqiptarë anti-Janullatos përkraheshin nga PS dhe PD

Një protestë e rëndësishme ka ndodhur si sot 25 vjet më parë, kur një grup besimtarësh ortodoksë të Tiranës, tentuan të ndalin shpalljen e priftit grek, Anastas Janullatos, Kryepeshkop të Shqipërisë. Protesta e nënshkruar nga besimtarët ortodoksë mbërriti në parlament pasi mori mbështetjen e 28 deputetëve të PD-së dhe 20 deputetëve të PS-së.

Në deklaratën e besimtarëve ortodoksë evidentohej se disa të ashtuquajtur kishtarë shqiptarë, si ish-komunisti Aleko Dhima, po mbështesin përpjekjet e kishës greke për të emëruar  Janullatosin në krye të kishës ortodokse shqiptare.

Në emër të deputetëve të PD-së, i ndjeri Perikli Teta lexoi deklaratën e besimtarëve ortodoksë duke i kërkuar parlamentit të marrë vendimet e duhura dhe të bëjë të mundur sa më shpejt abstragimin e këtij kleriku grek nga Shqipëria dhe njëkohësisht krijimin e një komisioni parlamentar për të verifikuar aktivitetit e kishës greke në zonat jugore të vendit tonë.

Deklarata e Perikli Tetës u mbështet edhe nga ajo e Namik Dokles i cili tha se 20 deputetët socialstë të pranishëm në sale, e mbështesin protestën e besimtarëve ortodoksë.

Seancë parlamentare, e hënë, 3 gusht 1992, ora 17:00

Perikli Teta – Zoti Kryetar, Në emër të një grupi prej 28 deputetësh të Partisë Demokratike dhe të Partisë Socialdemokrate, desha të shpreh përkrahjen për një protestë që na ka ardhur nga një grup ortodoksësh shqiptarë me këtë përmbajtje:

P r o t e s t ë

Ne, besimtarët ortodoksë, të mbledhur sot në Kishën Ortodokse të Tiranës protestuam dhe protestojmë energjikisht ndaj përpjekjeve të kishës greke, të ndihmuar dhe nga disa të ashtuquajtur kishtarë shqiptarë, si ish-komunisti Aleko Dhima për të shpallur Kryepeshkop të Shqipërisë, priftin grek, Anastas Janullatos.

Këto janë atentate që i bëhen Autoqefalisë së Kishës Shqiptare, e cila është arritur me gjakun e sakrificat e atdhetarëve tanë të shquar, si: Papakristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Fan Noli etj.

Megjithëse opinioni ynë e ka ngritur zërin kundër ndërhyrjes brutale të kishës greke, të njohur për qëndrimin e saj dhe sot e kësaj dite antishqiptar, ata përsëri sot u përpoqën të realizojnë vendosjen e Janullatosit si Kryepeshkop të Shqipërisë, gjë që është në kundërshtim të hapur me statusin e kishës autoqefale shqiptare.

Ne, besimtarët e ndershëm ortodoksë, të fyer në ndjenjat tona fetare, kombëtare, i bëjmë thirrje mbarë opinionit ortodoksë shqiptarë të dënojë me forcë veprime të tilla dhe të bashkohet me ne për të mos e njohur as sot , as kurrë peshkopin e importuar. Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar klerikët e zotë, të ndershëm dhe atdhetarë. Të mos mendojnë shovinistët grekë se tashmë u erdhi koha për të realizuar synimet e tyre satanike.

Tiranë, më 02.08.1992.

Teta vazhon… Përveç kësaj, zoti Kryetar, unë në emër të këtyre deputetëve dhe të protestuesve, i sugjeroj Kryesisë së Kuvendit Popullor që të interesohet dhe të bëjë të mundur sa më shpejt abstragimin e këtij kleriku grek nga Shqipëria dhe njëkohësisht krijimin e një komisioni parlamentar për të verifikuar aktivitetit e kishës greke në zonat jugore të vendit tonë. Ju faleminderit!

Pjetër Arbnori – Ju faleminderit edhe unë, zoti deputet Perikli Teta për fjalën tuaj që thatë edhe në emër të disa deputetëve të tjerë dhe mendoj që i gjithë Kuvendi Popullor duhet të jetë dakord me këtë shprehje të patriotizmit të ortodoksëve shqiptarë dhe të patriotizmit të të gjithë deputetëve tanë që janë kundër ndërhyrjeve të huaja në kishat tona.

Namik Dokle – Meqenëse zoti Teta nuk përfshiu asnjë nga deputetët e Partisë Socialiste në këtë deklaratë, unë po them që të shtojë edhe 22 emrat e deputetëve të pranishëm socialistë që janë këtu.

Përgatiti: Ermir Hoxha – /tesheshi.com/ 

Please follow and like us: